Një skenë e pazakontë ndodhi në stadiumin ‘Via del Mare’, në Lecce, në ndeshjen e Seria A
Rreth minutës së 30-të të lojës, arbitri Bonacina dha një penallti për Udinese-n pas një goditje me krah ndaj Lovric.
Ajo çfarë bëri bujë është një ‘zënkë’ mes lojtarëve të Udinese se kush do e ekzekutonte penalltinë. Lorenzo Lucca mori topin për ta ekzekutuar penalltinë, pavarësisht se disa shokë të skuadrës, me Thauvin, ekzekutuesin e ekipit, në krye, u përpoqën ta bindnin se nuk ishte i duhuri.
Lucca nuk u dorëzua dhe, pas një debati të gjatë, gjatë të cilit mori edhe një karton të verdhë për vonesë kohe, e ekzekutoi penalltinë dhe shënoi gol.
Pavarësisht suksesit në rrjetë, ai festoi i vetëm, pasi shokët e skuadrës qëndruan larg tij. Sikur të mos mjaftonte kjo, trajneri i Udineses vendosi ta zëvendësonte pas pak minutash, duke e nxjerrë nga loja për Iker Bravo. Kështu, mbrëmja e Luccas përfundoi herët dhe pa buzëqeshje.

