Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka deklaruar se do të diskutojë rëndësinë e sovranitetit të Ukrainës në bisedimet me Donald Trump javën e ardhshme gjatë një bisede telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Siç raporton BBC, Starmer përsëriti mbështetjen e hekurt të Mbretërisë së Bashkuar për Kievin.
Të dy udhëheqësit zhvilluan bisedën e tyre të dytë telefonike në katër ditë pas vendimit të presidentit amerikan Trump për të rihapur marrëdhëniet me Rusinë dhe për të kërkuar fundin e luftës në Ukrainë.
Sipas një zëdhënësi të Downing Street, kryeministri tha gjithashtu se “Ukraina duhet të jetë në qendër të çdo negociate për t’i dhënë fund luftës” dhe mund të jetë e sigurt për “angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për t’i dhënë fund luftës ilegale të Rusisë”.
Duke dhënë detaje rreth telefonatës, Downing Street tha se Sir Keir dhe Zelensky “ranë dakord që ky ishte një moment i rëndësishëm për të ardhmen e Ukrainës dhe sigurinë evropiane në përgjithësi”.
Mësohet se gjatë bisedës telefonike, Starmer i tha gjithashtu Zelenskit se “ruajtja e sovranitetit të Ukrainës ishte thelbësore për të penguar agresionin e ardhshëm nga Rusia”.
Kryeministri shtoi se ai do t’i parashtrojë këto diskutime të rëndësishme në ditët dhe javët në vijim me Trump gjatë vizitës në Uashington DC javën e ardhshme.