Nga Mimoza Hajdarmataj
Të dashur demokratë, bashkëudhëtarë të rrugëtimit tonë të gjatë politik!
Në këtë moment vendimtar për Partinë Demokratike dhe për Shqipërinë, jam bërë edhe unë pjesë e garës së primareve të PD për Tiranën.
Për mua ky nuk është thjesht një angazhim politik, por një betejë për të rikthyer fuqinë dhe dinjitetin e Partisë Demokratike si forca e vetme që mund të çojë Shqipërinë drejt zhvillimit dhe ndryshimit të vërtetë.
Unë nuk jam një emër i ri në këtë betejë.
Kam qenë pjesë e saj që nga fillimi, që nga Lëvizja e Dhjetorit ’90, kur si studente firmosa për Themelimin e Partisë Demokratike, duke besuar se kjo parti do të ishte zëri i lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.
Gjatë këtyre dekadave, jam angazhuar pa lëkundje në strukturat e PD-së, duke filluar nga anëtare e thjeshtë, disa herë anëtare e Këshillit Kombëtar, deputete në vitet 2015-2017, anëtare e Komisionit të Rithemelimit, aktualisht anëtare e Kryesisë së PD- së, qëndrestare në çdo betejë opozitare.
Kam qenë krah për krah me ju demokratët e vërtetë, në ditët më të vështira, kur PD u tradhtua, u përça dhe u sulmua nga brenda e nga jashtë.
Por mbi të gjitha, kam qenë dhe mbetem besnike ndaj Liderit historik të Partisë Demokratike, dr.prof. Sali Berisha !
Në kohët kur shumëkush u largua, unë, si shumë prej jush, qëndrova.
Sepse besimi në ideale, në betejat e drejta dhe në një lidership që nuk shitet dhe nuk dorëzohet, nuk është çështje interesi, por parimi.
E kam konsideruar gjithmonë këtë një detyrim moral dhe politik ndaj demokratëve dhe ndaj së vërtetës!
Pse kandidoj?
Sepse PD po ringrihet, më e fortë dhe më e pastër se kurrë.
Sepse Shqipëria ka nevojë për një opozitë të vërtetë.
Sepse ky është momenti për të çuar përpara një betejë që kemi nisur bashkë dhe për të ndërtuar një të ardhme ku PD të jetë sërish forca qeverisëse që vendi meriton.
Demokratë dhe demokrate!
Nga përzgjedhja që do të bëjmë, në 1 Mars, në primare, varet fitorja e PD-së në 11 Maj!
Le të zgjedhim ata që kanë qëndruar, që kanë luftuar dhe që mund ta udhëheqin këtë betejë drejt fitores!
Së bashku mund ta bëjmë këtë rrugëtim fitues!
Kërkoj mbështetjen tuaj që të jem një ndër ata që do tju përfaqësojë me dinjitet dhe përulje!
