HomeEkonomi"Sufiçiti, pasojë e keqmenaxhimit", Bujar Leskaj rendit arsyet kryesore

“Sufiçiti, pasojë e keqmenaxhimit”, Bujar Leskaj rendit arsyet kryesore

spot_img

Fjala e deputetit Bujar Leskaj më 27.02.2025, në Kuvend…

Sufiçiti, pasojë e keqmenaxhimit.

Në fund të vitit 2024, buxheti i Shqipërisë u mbyll me një sufiçit prej 420 milionë eurosh.

Arsyet kryesore për suficit përfshijnë:

-Të ardhura më të larta se parashikimet: Rritja e të ardhurave fiskale dhe jo tatimore ka tejkaluar pritshmëritë fillestare.

-Shpenzime më të ulëta se planifikimi: Disa projekte kapitale dhe programe shpenzimesh nuk janë realizuar sipas planit.

Sufiçiti buxhetor zakonisht është tregues pozitiv, pasi tregon të ardhura më të larta se shpenzimet. Megjithatë, në një analizë më të thellë, në kontekstin shqiptar, një sufiçit kaq i madh nuk është një sukses financiar, por përkundrazi një dështim i menaxhimit fiskal. Kjo shumë e konsiderueshme ngre pikëpyetje të rëndësishme mbi menaxhimin e buxhetit dhe prioritetet e shpenzimeve publike. Gjithashtu vë në diskutim mungesën e një vizioni strategjik, paaftësinë në rialokimin e fondeve dhe një qasje të gabuar në menaxhimin e prioriteteve publike, sidomos kur ky sufiçit gjykohet përballë detyrimeve të paplotësuara ndaj shtresa më të cënueshme të shoqërisë.

Çfarë e bën këtë sufiçit të jetë tregues i një politike fiskale të dështuar?

1- Qeveria nuk ka qenë në gjendje të zbatojë plotësisht projektet e planifikuara. Nëse shpenzimet e miratuara nuk ekzekutohen, do të thotë se ose projektet publike janë vonuar, ose ka munguar vullneti politik për të realizuar investimet e planifikuara.

2- Rishpërndarja e buxhetit nuk është bërë në mënyrë fleksibël dhe efektive. Një qeveri efikase duhet të ketë mekanizma që, nëse një projekt nuk realizohet, fondet të ridrejtohen menjëherë për sektorë me nevojë urgjente, si shlyerja e borxheve apo kompensimi i ish të përndjekurve politikë.

3- Në vend që ky sufiçit të justifikohet si “rezultat pozitiv” ai duhet parë si një indikator i menaxhimit të dobët të financave publike, një pasojë e mungesës së vizionit dhe mungesës së vendimmarrjes për çështje thelbësore.

Përse ky sufiçit nuk u përdor për të shlyer detyrimet ndaj ish të Përndjekurve Politikë, të cilët aktualisht përfaqësojnë kategorinë më të ndjeshme sociale në Shqipëri?

Ky proces ka zgjatur për dekada, në një kohë që kundrejt kësaj kategorie shteti shqiptar ka një detyrim ligjor dhe moral ndaj viktimave të komunizmit.

Pra kjo qeveri vijon të dëshmojë mungesë vullneti politik për të adresuar buxhetin në drejtimet e duhura edhe në një kohë kur fondet janë të mjaftueshme.

Në tërësi të veprimeve të veta kjo qeveri vijon të zgjedh rrugën e përdorimit joefikas të burimeve financiare, duke sjell keq menaxhim dhe paaftësi në përdorimin e buxhetit të shtetit.

Po kështu, ky suficit mund të ishte përdorur edhe në një drejtim tjetër, në uljen e borxhit publik, sidomos në një kohë që Qeveria pret Eurobondin e radhës, një praktikë kjo që vijon të zhys edhe brezat e ardhshëm në borxhe të pafundme.

Ka shumë arsye përse kjo Qeveri duhet të përdorte një pjesë të suficitit për shlyerje borxhi.

Aktualisht pagesat për shërbimin e borxhit, interesat kanë një kosto të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.

Një suficit i lartë dhe një nivel borxhi apo shërbim borxhi i lartë tregojnë një mospërputhje në politikat fiskale. Nëse shteti ka para të pashfrytëzuara, por gjithashtu huazon para me norma të larta interesi, kjo tregon një strategji të dobët menaxhimi financiar.

Shlyerja e një pjese të borxhit do të përmirësonte qëndrueshmërinë financiare të vendit. Kjo do të ulte presionin mbi buxhetin e viteve të ardhshme dhe do të siguronte më shumë hapësirë për mbështetje sociale ose investime në sektorët më në nevojë siç janë shëndetësia, arsimi, bujqësia etj.

Fakti që qeveria nuk e përdori suficitin tregon mungesë vendimmarrjeje, mungesë vizioni për ekonominë afatgjatë dhe mungesë vullneti politikë për përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.

Një nga problemet më të mëdha që reflekton ky suficit është mungesa e fleksibilitetit në menaxhimin e fondeve. Ky suficit ka nxjerrë në pah pikën më të dobët të kësaj Qeverie, që është dështimi që në fazën e planifikimit të buxhetit. Po kështu, ky suficit tregon një mungesë transparence në rialokimin e fondeve pasi nuk adreson nevojat urgjente në kohë.

Dhe problemi më madhor është që sufiçiti i këtij viti mbart në vetvete një paqartësi mbi destinacionin e fondeve dhe një risk të lartë që të shërbejë si një mjet politik për të krijuar hapësirë për shpenzime elektorale.

Pra, në fund të 2024, Shqipëria u gjend me 420 milionë euro suficit, ndërkohë që ky fond nuk u ri-alokua në asnjë prej sektorëve apo kategorive më në nevojë që ka vendi ynë.

Ky nuk është një tregues suksesi, por një shenjë e qartë e një keq menaxhimi buxhetor. Nëse një qeveri ka fonde të tepërta dhe nuk i përdor për të shlyer detyrime të tilla, kjo nuk është vetëm një mungesë eficience, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë e përgjegjësisë shtetërore.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular