Një dashuri që lindi në reality show por nuk u shfrytëzua asnjëherë për të përfituar famë e projekte pas daljes nga formati. Të paktën kështu shprehet Sarah Berisha në podcast-in “Zë me Mirën” për historinë e saj dhe DJ PM.
Është e vetëdijshme se fotot e tyre bashkë mund të korrin sukses, por preferon që lidhja t’u përkasë atyre dhe jo rrjeteve sociale. Gjithsesi, gjatë bisedës, Sarah s’mund t’i shpëtonte pyetjes që ndoshta i drejtohet më së shumti në intervista e rrjete sociale: a do të ketë dasmë?
Dikur përgjigjej se “nuk e dinte ende”, por tani Sarah duket se ka ndryshuar mendje lidhur me dasmat.

“Jo, nuk ka një dasmë në sfond. Unë mendoj që ato lekë që do të harxhonim për dasmë, më mirë t’i harxhojmë për disa gjëra të tjera. Kanë ndryshuar gjërat, më mirë bëjmë një biznes ose ikim me pushime diku. Dikur kam dashur shumë të bëja dasma të mëdha, tani jo”, u shpreh blogerja.

Pak kohë më parë, ajo ka rrëfyer se edhe pse kanë disa kohë krah njëri-tjetrit ata akoma nuk e kanë filluar bashkëjetesën, kjo për shkak të angazhimeve të tyre të shumta. Teksa u pyet nga moderatorët se ku e sheh të ardhmen, në Tiranë apo Prishtinë, Sarah u përgjigj: “Ky është një hap që mund të vijë shumë shpejt, por ende nuk kemi vendosur për vendndodhjen. Jemi duke e menduar të dyja opsionet”,- tha ajo.

Megjithatë Sarah shtoi se mundësitë janë më të mëdha që të jetojë në Prishtinë edhe pse do t’i pëlqente shumë Tirana.
“Më duket se do përfundoj në Prishtinë, po çfarë rëndësie ka kjo se fundja Kosova 3 orë larg është” u përgjigj Sarah. Ndër të tjera blogerja shtoi se partneri i saj nuk është romantik si natyrë, por theksoi se “ndonjëherë bën diçka që më befason.”

“Pata një shpresë kur shkuam për pushime në Itali. Mendova se ndoshta aty mund të ndodhte diçka më e veçantë, por jo. PM nuk hyn te personat romantikë, por ndonjëherë bën diçka që më befason”, tregoi ajo duke nënkuptuar se kishte pritur propozimin për martesë.


