Miliarderi amerikan Elon Musk, është pajtuar në një postim në X që Shtetet e Bashkuara të dalin nga NATO dhe Kombet e Bashkuara.
Ai shkroi se pajtohet” si përgjigje ndaj postimit të komentatorit politik të krahut të djathtë i cili, tha se “është koha që Shtetet e Bashkuara të braktisin NATO-n dhe Kombet e Bashkuara”, transmeton Telegrafi.
Lajmi vjen pasi disa ligjvënës republikanë paraqitën një projektligj mbi daljen e SHBA-së nga OKB-ja, duke pretenduar se organizata nuk përputhet me agjendën e administratës Trump, “America First”.
SHBA ishte në mesin e disa vendeve, duke përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Izraelin dhe Hungarinë, që votuan kundër një rezolute të OKB-së në fund të shkurtit që dënonte pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Si NATO ashtu edhe OKB-ja u themeluan nga SHBA-ja dhe fituesit e tjerë të Luftës së Dytë Botërore për të promovuar diplomacinë dhe bashkëpunimin midis kombeve, si dhe për të parandaluar një luftë tjetër globale.
Musk, aktualisht drejton të ashtuquajturin Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë së SHBA-së, i cili ka shkurtuar sasi të konsiderueshme të shpenzimeve qeveritare, duke përfshirë ndihmën e huaj.
Presidenti i SHBA, Donald Trump ka kritikuar vazhdimisht vendet e tjera të NATO-s për mungesën e perceptuar të kontributeve të tyre në aleancën ushtarake, dhe ka bërë thirrje për një objektiv shpenzimi prej 5% të GDP-së për të gjithë anëtarët.
Kievi e sheh anëtarësimin në NATO si një mbrojtje thelbësore kundër agresionit të ardhshëm rus, por Trump tha në shkurt se Ukraina “mund të harrojë” anëtarësimin në aleancë, duke sugjeruar se oferta e saj ishte një shkas për luftën – një argument që i bën jehonë propagandës shtetërore ruse.
