Nga rrogat, favoret, të drejtat e arrestimi, si ishte ligji i zgjedhjeve parlamentare në 1925-ën! Askush s’mund të pranohej për deputet, pa mbushur moshën 30 vjeç

0
104

Nga Dashnor Kaloçi/ Historia e zgjedhjeve parlamentare në vendin tonë, apo më saktë tentativat për zgjedhje e kanë zanafillën që nga koha e sundimit osman, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Turke. Një nga deputetët e parë shqiptarë që u zgjodhën për në Parlamentin e parë të Turqisë, i cili hapi punimet në dhjetorin e vitit 1877, ishte Abdyl Frashëri. Por ai parlament nuk pati jetë të gjatë, pasi u prish nga vetë Sulltani, për shkak të fillimit të Luftës Ruso-Turke. Pas prishjes së parlamentit të parë të Turqisë, pati edhe disa tentativa të tjera për zgjedhje, por që të gjitha dështuan për shkaqe nga më të ndryshmet. Zgjedhjet e para dhe të rregullta në Shqipëria, u mbajtën vetëm në vitin 1908, kur në Turqi erdhën në fuqi xhonturqit. Ato zgjedhje nuk ishin direkte, por me përfaqësim, apo siç janë njohur ndryshe; me zgjedhës të dytë.

Parlamenti i parë i Turqisë u hap më 10 dhjetor të vitit 1908 dhe aty nga 266 deputetë, 27 prej tyre ishin shqiptarë të zgjedhur në katër vilajetet e Shqipërisë. Në atë kohë anëtarët e Komitetit “Bashkim-Përparim”, në Turqi ku bënin pjesë dhe shumë shqiptarë, u ndanë dhe u grupuan në tre grupime politike. Grupimi i parë ishte “Bashkim-Përparim” (partia turko-maqedonase) me 164 deputetë, ku 130 ishin turq, 5 arabë, 1 grek dhe 15 shqiptarë, të cilët kryesoheshin nga Hasan Prishtina, deputet i Kosovës.

Në grupin e dytë që quhej: “Bashkimi-Liberal”, (partia greko-shqiptare) ku bënin pjesë 45 deputetë, kishte 12 shqiptarë të cilët kryesoheshin nga Ismail Qemali. Ndër deputetët e tjerë shqiptarë që kishte asokohe Parlamenti i Turqisë, ishin dhe Esad Pashë Toptani, Nexhip Draga, Rexhep Pashë Mati etj. Pas vitit 1908, pati edhe disa zgjedhje të tjera ku shqiptarët vazhdonin të votonin për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Turqisë dhe ajo gjë zgjati deri në nëntorin e vitit 1912 kur u shpall Pavarësia dhe Ismail Qemali u zgjodh kryetar i Qeverisë.

Kurse zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri u zhvilluan në pranverën e vitit 1921, pasi deri në atë kohë ato nuk ishin zhvilluar për shkak të Luftës së Parë Botërore, ku ishte përfshirë dhe Shqipëria. Parlamenti i parë Shqiptar u hap më 21 prill të atij viti dhe godina e parë e Parlamentit Shqiptar ka qenë aty ku është sot Akademia e Shkencave dhe në atë parlament morën pjesë 76 deputetë, të cilët u zgjodhën pas një procesi relativisht të rregullt nga nëntë prefekturat e vendit, si: Berati, Durrësi, Elbasani, Gjirokastra, Korça, Kosova, Shkodra, Vlora dhe ajo e kolonisë shqiptare të SHBA-së. Ashtu si dhe në të kaluarën, ato zgjedhje u bënë me sistem përfaqësimi, apo siç njihen ndryshe me zgjedhës të dytë, ku në bazë të ndarjes territoriale, përfaqësuesit e çdo krahine kishin të drejtë të zgjidhnin deputetin e tyre. Sa më sipër, si dhe një historik të shkurtër të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, që nga ajo periudhë e deri në vitin 1991, Memorie.al i ka publikuar në numrat e kaluar, këtu po publikojmë të plotë Statutin Themeltar të Republikës Shqiptare, (Kushtetuta) të vitit 1925, ku një vend të veçantë zë edhe legjislacioni i zgjedhjeve parlamentare të asaj kohe, si dhe rregullorja e Parlamentit, me të drejtat e detyrat e deputetëve, e cila është botuar nga Shtypshkronja “NIKAJ”, në vitin 1925.

                                      Statuti themeltar i Republikës Shqiptare (1925)

(Tiranë, Shtypshkronja “Nikaj” 1925)

Kombi Shqiptar i lirë dhe indipendent, kryenaltë për kohën e tij të kalueme dhe plot besim për kohën e ardhëshme, në Kuvendin Kushtetues vendon këtë Statut.

Kaptinë I.

FORMIM I SHTETIT

Pjesa A.

Dispozita të Përgjithshme

Art. 1. Shqipnija asht Republikë Parlamentare e Kryesueme prej nji Kryetari. Sovraniteti buron prej popullit.

Art. 2. Republika Shqiptare, asht indipendente, e pa-ndame, tanësija tokësore e sajë e padhunueshme edhe toka e sajë e pajetërtueshme.

Art. 3. Flamuri Kombtar, asht i kuq me shqipe të zezë dy krenshe në mes.

Art. 4. Shqipja asht gjuha zyrtare.

Art. 5. Republika Shqiptare s’ka fé zyrtare.

Të gjitha fét e besimet janë të nderueme dhe lirija e ushtrimit dhe e praktikimit të jashtëm të tyne asht e sigurueme.

Feja nuk mund të formojë pengime juridike me as-nji mënyrë.

Fét e besimet kurrsesi nuk mund të përdoren për qëllime politike.

Art. 6. Tirana asht Kryeqyteti i Shqipnis.

Art. 7. Pushteti legjislativ ushtrohet prej Senatit e Dhomës së deputetve si mbas këtij Statuti.

Art. 8. Pushteti përmbarues i përket vetëm Kryetarit të Republikës, i cili e ushtron me anën e Ministravet.

Art. 9. Pushteti gjyqsuer ushtrohet prej gjykatavet dhe vendimet e tyne epen n’emën të Republikës Shqiptare.

Pjesa B.

Pushteti legjislativ

DHOMA E DEPUTETVET

Art. 10. Përfaqësija Kombtare përmblidhet në dy trupa; prej Dhomës së Deputetve, e përbame prej deputetësh të zgjedhun nga populli dhe prej Senatit, i përbamë prej Senatorve, të zgjedhun si mbas ligjës së posaçme.

Art. 11. Deputetët zgjidhen për 4 (katër) vjet dhe për ç’do 15.000 frymë nji.

Art. 12. As kush nuk mund të pranohet për deputet pa qenë shtetas Shqiptar, pa pasë mbushun moshën 30 vjetshe, pa gëzuem të drejtat civile e politike dhe pa pasun të gjitha cilësit e tjera të lypuna prej ligjës.

Art. 13. Cilësija e deputetit asht e pa-pajtueshme me ç’do nëpunësi të Shtetit me rrogë ose me nëpunësi komunale, ose me shërbimin aktiv fetar.

Art. 14. Deputeti nuk përfaqëson vetëm qarkun qi e ka zgjedhun, por kombin përgjithësisht.

Art. 15. Deputetit nuk mund t’i epet as nji porosi urdhënore prej zgjedhësvet të vet.

Art. 16. Deputetët kanë të drejtë me marrë nji shpërblim prej 5000 fr. Ari në vjetë.

Këjo shumë mund të ndryshohet herë pas here me ligjë.

Art. 17. Mënyra e ushtrimit të zyravet të Dhomës së deputetve, caktohet në rregullorën e mbrendëshme të saj.

Art. 18. Parija e Dhomës së deputetve zgjidhet prej saj, dhe në gji të saj, në nisje të ç’do sesioni, për gjith vijimin e tij deri në fillim të tjetrit. Zgjedhja e paris dhe emnimi i nëpunësve të Dhomës së Deputetve, bahen mbas rregullores së mbrendëshme të saj.

Art. 19. Dhoma e deputetve shqyrton fuqit e cilësit e saj ligjore të misvet të vet, dhe gjykon e vendon mbi ta mbas parashkresavet të rregullores së mbrendëshme të saj.

Art. 20. Ç’do Mis i Dhomës së deputetve, asht i detyruem ma bamun dy bé; njanën përpara se të shqyrtohen fuqit e cilësit e tija, dhe tjetrën përpara se të nisë detyrën e tij si Deputet.

Beja e parë asht këjo: “Betohem n’emën të Perendis e mbi nderin t’em se kam për të kryem detyrën e shqyrtimit me ndërgjegje e asnjianësi të plotë.

Beja e dytë do të bahet me këto fjalë: “Betohem n’emën të Perendis e mbi nderin t’em se kam për të ruejtun besnikrisht mëvetësin e tanësin toksore të Shqipnis, se kam për t’i ndejun besnik Atdheut e Republikës dhe për t’u dalun zot Statutit e ligjëvet të Shtetit, e se kam për të kryem detyrën t’eme me ndërgjegje të plotë për të mirën e përgjithëshme pa u-penguem as pak prej interesash të veçanta a krahine.

Art. 21. Deputeti i zgjedhun rishtas qi, pa shkake të justifikueshme të vërtetueme siç duhet, nuk paraqitet deri në dy muej përpara Dhomës së deputetve për të bamë ben e detyrshme, quhet i ramë nga deputetsija.

Gjykimi mbi pranueshmin a mos të shkakevet justifikative, i përket Dhomës së deputetve.

Art. 22. Deputeti qi për dy muej rrjesht mungon prej mbëledhjevet pa auktorizimin e Dhomës së deputetve, quhet vetiu i rrëxuem nga deputetsija.

Art. 23. Kur, për ç’do arsye qi të jetë, mbetet zbrazët vendi i nji deputeti, mbrenda dy muejsh prej ditës së zbrazjes, por jo ma parë se nji muej, duhet zgjedhun nji tjetër në vend të tij.

Art. 24. Dhoma e deputetve, mblidhet vetiu dy herë në vjetë në dy sesjone të rregullshme të tremuejshëm.

I pari sesjon fillon me 15 Shtatuer e mbaron me 15 Dhetuer, dhe i dyti fillon me 1 Mars dhe mbaron me 31 Maj të ç’do viti.

Art. 25. Deputetvet nuk mund t’u kërkohen përgjegjësi për mendimet e shfaquna e për votat e dhanuna në Dhomën e deputetve.

Art. 26. Në kohë të sesjonit, deputetët nuk mund të gjinden të burgosun për borxh.

Gjith ashtu, në kohë të sesjonit, nuk mund të ndiqen as t’arrestohen për çashtje penale, pa lejen e vendimin e Dhomës, veç se n’u kapshin në faj e sipër për krim. Në këtë rasë auktoritetet gjyqsore janë të detyruem me lajmue Dhomën e deputetve, mbenda 24 orësh me anë të Ministris së Drejtësis.

Për delikte e krime politike, deputetët gjykohen dhe dënohen kurdoherë, do-me-thanë mbrenda e jasht sesjonit, prej Gjyqit të naltë me auktorizimin e Dhomës, si mbas ligie së posaçme.

Art. 27. Dhoma e deputetve, ka të drejtë me dekretue lirimin e nji misi të vet për gjith kohën e sesjonit, në qoftë se ka qenë zanë në periudhë të pushimevet, me përjashtimin e atyne qi janë zanë për krime.

Art. 28. Në sesjon të jashtzakonshëm bisedohen vetëm ata sende qi e kanë shkaktuem, të cilat do të caktohen në programën e pregatitun prej Qeveris.

Kryetari i Republikës ka të drejtë me e mbyllun këtë sesjon kur do qi t’a shohë me arsye, por gjithmonë ma parë se të nisë sesjoni i zakonshëm.

Art. 29. Në të hapun të sesjonit të parë të zakonshëm, Kryetari i Republikës me nji ligjiratë ase lajmesë, parashtron gjendjen e përgjithshme të vendit e masat e gjykueme të nevojshme për me u-marrë atë mot prej Pushtetit përmbarues, dhe Dhoma i ban nji përgjegje sa ma të shpejtë.

Art. 30. Dhoma e deputetve nuk mund të bisedojë e të vendojë pa qenë pranë nji ma shum se gjysma e të gjithë misvet të saj qi kanë kaluem ndëpër formalitetet e artikujvet 19 e 20.

Nuk njehen në numër të përgjithshëm, ata qi mungojnë me leje.

Art. 31. Të gjitha vendimet votohen me shumicë absolute të deputetvet qi gjinden pranë.

Zgjedhjet qi i përkasin personave, në qoftë se nuk votohen për herën e parë me shumicë absolute, herën e dytë votohen me shumicën relative të deputetve të mbledhun.

Art. 32. Votimi i ligjevet bahet nji here parimisht e dy herë artikull për artikull, në tri dit të ndryshme.

Votimet për kodet e paraqitun prej Qeveris e të pregatituna prej nji komisije të posaçëme të krijueme me ligjë, bahen toksisht (en bloc) në tri mbledhje në ditë të ndryshme, për veç ligjëvet, qi Dhoma me vendim i quen të ngutshme, të cilat votohen mbas rregullores së mbrendëshme.

Art. 33. Mbledhjet e Dhomës së deputetve, bahen botnisht. Për veç gjindjes s’armëvet kushdo tjetër mundet me marrë pjesë në to në konformitet me rregulloren. Bisedimet e Dhomës botohen në vëllime të posaçme.

Art. 34. Dhoma e deputetve, mund të bisedoj edhe në mbledhje të fshehtë në qoftë se kërkohet prej ministërvet ase prej pes deputetvet e në qoftë se pranohet prej shumicës, mbassi të kenë lanë Dhomën të gjithë ata qi s’janë deputetë.

Art. 35. Dhoma e deputetve asht e pa dhunueshme. Asnji zyrtar a fuqi armësh, për veç trupit policuer me shenjë te veçantë, nuk mund të vehet mbrenda Dhomës, ase te porta e ndërtesës ku mblidhen deputetët pa vendim e kërkim të Dhomës.

Art. 36. Ç’do akt me fuqi ligjore do të spalle në gazetën zyrtare, e cila u dërgohet të gjitha Bashkive të Shqipnis.

Shpallja do të bahet të shumtën dy javë mbas votimit dhe akti hyn në fuqi e zbatim nji muej mbas shpalljes, përveç atyne ligjëvet qi caktojnë nji afat të ndryshëm për të hyemit e tyne në fuqi.

Aktet me fuqi ligjore do t’i inserohen në mbështjelljen zyrtare të ligjëvet e të dekretevet.

Art. 37. Parija e Dhomës asht e detyrueme mbrenda në sesjon me i këthyem Pushtetit përmbarues, ç’do projekt të paraqitun prej tij e të refuzuem prej Dhomës, me gjithë arse e mos pëlqimit.

Art. 38. Asnji projekt-ligjë qi s’pëlqehet prej Dhomës së deputetve, nuk mund të paraqitet për bipedi nji herë të dytë po n’atë sesjon.

Art. 39. Për gjith vjetë, Pushteti përmbarues do t’i paraqesë Dhomës së deputetve për shqyrtim e pëlqim Bugjetin e përgjithëshëm t’ardhunavet e të prishunavet të Shtetit, bashkë me parashtresën e mënyravet e të mjetevet mbas të clave do t’u bajë ballë atyne shpenzimevet.

Të gjitha t’ardhunat e shpenzimet e Shtetit, do të futen në Bugjet.

Bugjeti do të paraqitet gjithmonë në hapjen e sesjonit vjeshtuer, i cili s’mund të mbyllet pa u votue Bugjeti.

Mënyra e hartimit të Bugjetit, bahet me ligjë. Bugjeti votohet kaptinë për kaptinë, dy herë në dy ditë të ndryshme.

Pushteti përmbarues, në mbarim të vitit financjar dhe mbrenda në sesjonin e dytë të vitit financjar tjetër, do t’i paraqesë Dhomës së Deputetve për shqyrtim e pëlqim Bugjetin konsomtif të motit të kaluem, i cili votohet nji herë përgjithësisht.

Art. 40. Kur, për ç’do arsye qi të jetë nuk arrijnë me marrë formën ligjore definitive Bugjeti i ri deri në fillim të vjetit financjar për të cilin asht pregatitun, Pushteti Përmbarues ven në zbatim atë ma të përparshmin për aq kohë sa do të vonojë pëlqimi e votimi i të riut.

Në rasë qi Dhoma asht çelun, at’herë këjo i hap nji kredit të përmuejshëm se cilës degë t’administratës, por ky kredit nuk mund kapërcejë nji të dymbëdhjetën pjesë të shpenzimevet të zakonshme qi i përkasin mbas bugjetit të vjetër.

Art. 41. Pushteti përmbarues nën përgjegjësin e tij civile, detyrohet të shenjojë në bugjetin e përvitshëm të Shtetit ç’do ligjë qi ngarkon shtetasit me paga e taksa.

Ligjet qi nuk shenjohen në Bugjet, quhen si të ngrituna e të pa fuqi ligjore.

Art. 42. Kur nji kredit i dhanun në bugjet nuk mjafton për atë shërbim, Pushteti Përmbarues me nji dekret ligjë mbrenda në motin financjar, kërkon prej Dhomës shtimin e atij krediti deri sa t’arrijë, dhe, kur shfaqen shpenzime për nevoja të pa-parapame në Bugjet, Pushteti Përmbarues përsëri mund të kërkojë prej Dhomës nji shtesë krediti, gjithnji në themel të nji project-ligjës së posaçme.

Ligjët për kredite suplementare ashtu dhe të jashtzakonshme, votohen si ligjët e zakonshme.

Në rasa lufte, kryengritjeje, e kalamiteti public kur Dhoma e deputetve gjindet në pushim, Qeverija mundet me dekret-ligjë të krijojë nji kredit të jashtzakonshëm nen-përgjegjësin e saj.

Këjo dekret-ligjë i duhet paraqitun Dhomës në sesjonin e afërm.

Art. 43. Dhoma e deputetve ka të drejtë të thërrasë përpara saj cilindo nga Ministrat, për me e pyetun mbi ç’do çashtje qi i përket degës së tij.

Mënyra e thirrjes dhe e shfaqjes së Ministravet, caktohet në rregulloren e mbrendëshme.

Art. 44. Dhoma e deputetve kontrollon Qeverin.

Për mbrojtjen e interesave të përgjithëshme, Dhoma detyrohet, në ç’do rasë të veçantë, të formojë prej guini të vet Komisi hetimesh për të studjuem çashtjet e faktet qi lidhen me to. Komisit hetuese kanë të drejtë me kërkuem shpjegime me gojë e me shkrim, si prej auktoritetevet botore ashtu edhe prej privatve. Mund të këqyrin edhe të gjitha aktet zyrtare qi t’u duken të nevojshme.

Art. 45. Dhoma e deputetve akuzon Ministrat e i dërgon përpara Gjyqit të Naltë të Shtetit, në bazë të ligjës së veçantë.

Art. 46. Dhoma e deputetve nuk mund të pranojë deputetsi as të ndigjojë të tjerë për veç ministërvet, ase zavendësvet të këtyne me përjashtimin e rasës së parame në Art. 29.

Art. 47. Në mbarim të periudhës ase në rasë të shpërndarjes së Dhomës së deputetve, Pushteti përmbarues detyrohet mbrenda në dy javë prej ditës së shpërndarjes së saj, të dekretojë zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat duhen bamë, jo ma vonë se dy muej e gjymës dhe jo ma parë se nji muej prej datës së dekretit.

Në qoftë, se për shkake të pa prituna, periudha e Dhomës së deputetve, merr fund, ma tepër se nji muej përpara kohës së caktueme në Statut, Dhoma e re mblidhet vetiu pesmbëdhet dit pas zgjedhjeve. Në qoftë se në kohën mbas mbarimit të periudhës parlamentare dhe pa u bamë zgjedhjet e reja, Pushteti përmbarues gjindet i shtërnguem me shpallë luftë ase me dhanë dorëhekjen Kryetari i Republikës, me dekret të këtij të fundit ase të zavëndësit të këtij, thëritet Dhoma e vjetër për aprovimin e dekret-ligjes për luftë ase për pranimin e dorëhekjes, të Kryetarit të ri si mbas këtij Statuti.

Art. 48. Trupi Ministruer, e Ministrat votë besimin e marrin vetëm prej Dhomës së deputetvet. Memorie.al