BallinaOP EDShtetëzimi si fillimi i fundit

Shtetëzimi si fillimi i fundit

spot_img
spot_img
Nga Ledio Braho

Jo pa zhurmë, javën e kaluar, u miratua ligji ‘Për Korporatën e Investimeve Shqiptare’ që në vetë relacionin shoqërues citohet ‘si një koncept inovator për të adresuar nevojën e zhvillimit të krijimit të kapaciteteve për lehtësimin dhe realizimin e investimeve komplekse dhe me impakt social-ekonomik’.

Në nenin 2 të ligjit të miratuar parashikohet se Korporata ka si objektiva kryesorë nxitjen e zhvillimit ekonomik nëpërmjet projekteve të investimit në nivel qendror, vendor dhe rajonal, në mbështetje të politikave shtetërore të zhvillimit; vënien në përdorim me efiçencë të pronave shtetërore; dhe kryerjen e investimeve duke mobilizuar kapital shtetëror dhe/ose privat.

Është krejtësisht e paqartë se si këto objektiva do të zbërthehen në realitet duke u shndërruar në politikën tregtare të një shoqërie tregtare shtetërore. Po aq e paqartë është edhe se si ka mundësi që e njëjta politikë qeverisëse që ka nxitur më shumë se kurrë partneritetin publik privat dhe konçesionin në të gjitha format e tij e sheh nxitjen e zhvillimit ekonomik në vitin e saj të gjashtë nëpërmjet një shoqërie tregtare me kapital shtetëror.

Ajo çka rezulton edhe më ironike në objektivat e Korporatës është vënia në përdorim me efiçencë e pronave shtetërore, por cilat janë këto prona shtetërore që janë kaq strategjike për t’u vënë në efiçencë pas 30 vitesh privatizimesh, dhëniesh me enfiteozë apo dhe kompensimi fizik (proces ky që është ende në vazhdim) të ish-pronarëve? Asnjë përgjigje nuk ka në relacion në lidhje me zbatimin e këtij objektivi.

Fakti që ky ligj nuk ka qenë i parashikuar në programin e përgjithshëm analitik të projektakteve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për vitin 2019 tregon më së miri që është një nga ato ligje që edhe pse është iniciuar nga Këshilli i Ministrave shoqërohet nga një qëllim jo kaq parimor sa duket në objektivat e vetë ligjit. Në po të njëjtën linjë logjike shkon dhe mungesa e përafrimit të tij me ndonjë acquis të Bashkimit Europian.

Ndërkohë në heshtje ka kaluar një akt nënligjor që krijon një shoqëri tjetër shtetërore, shoqërinë ‘Illyrian Guard’ sh.a. me kapital 100% shtetëror dhe me aksioner të vetëm Ministrinë e Brendshme që do të ofrojë shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.

Përveç faktit që baza ligjore e përdorur për krijimin e kësaj shoqërie nuk mundet që të interpretohet në asnjë mënyrë që të çojë në themelimin e një shoqërie tregtare, është edhe përcaktimi i tarifave të shërbimeve që u ofrohen subjekteve publike me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë që bie ndesh me parimin kushtetues të lirisë së veprimtarisë ekonomike.

Për t’ju rikthyer ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’ që ka shërbyer si bazë ligjore për krijimin e kësaj shoqërie tregtare, më konkretisht nenit 81 të tij që parashikon se:

1. Policia ofron shërbime shtesë sipas mundësive që ka dhe kundrejt pagesës për persona juridikë e fizikë, publikë ose privatë, mbi bazën e kërkesës së tyre.

2. Llojet e shërbimeve dhe tarifat e pagesës përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Kuptojmë se anashkalimi i pikës 1 të këtij neni që shërbimet dhe tarifat i lidh me aktivitetin e Policisë së Shtetit dhe jo me krijimin dhe aktivitetin e një shoqërie tregtare shtetërore është i qëllimshëm. Ushtrimi i këtij aktiviteti nëpërmjet një shoqërie tregtare, përveç rekrutimeve jo sipas kërkesave të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’ do të sjellë mundësi të reja edhe për blerje uniformash, pajisjesh teknologjike për ruajtje ambjentesh, armësh etj pa procedura konkurreshmërie siç kryhen në institucione shtetërore.

Ajo se çka e bën tërësisht antikushtetues këtë vendim të Këshillit të Ministrave është fakti që detyron të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, t’i drejtohen, me kërkesë, kësaj shoqërie, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike dhe vetëm nëse kjo shoqëri merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta sigurojnë këtë shërbim në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.

Një parashikim i tillë është tërësisht në kundërshtim me nenin 11 të Kushtetutës që parashikon ndër të tjera se ‘Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në … ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike. … Kufizime të lirisë së veprimtarisë ekonomike mund të vendosen vetëm me ligj dhe vetëm për arsye të rëndësishme publike’.

Si mundet që me një parashikim nënligjor antiligjor, të krijohet një shoqëri tregtare dhe të detyrohen të gjithë institucionet dhe subjektet publike që me tarifa të paracaktuara, pa procedurë konkurrimi, të lidhin kontratë për shërbimin e ruajtjes fizike me një shoqëri të vetme tregtare?! A nuk e kufizon një parashikim i tillë lirinë e veprimtarisë ekonomike për dhjetra shoqëri private që ofrojnë aktualisht shërbimin e ruajtjes fizike për institucionet dhe subjektet publike me kontrata të lidhura pas ndjekjes së procedurave të prokurimit sipas legjislacionit në fuqi?!

Nga këto dy nisma tashmë të miratuara, Korporata e Investimeve Shqiptare, në pritje për të hyrë në fuqi, ndërkohë që ‘Illyrian Guard’ sh.a. është krijuar dhe ka nisur aktivitetin, duket qartë që qeveria ka marrë një kthesë të fortë drejt shtetëzimit. Iniciativa të tilla që cënojnë rëndë parimet kushtetuese të një vendi pa Gjykatë Kushtetuese që gëlon nga korrupsioni shtetëror dhe që ende nuk ka mbyllur plagët e shtetëzimit diktatorial, duket se përveç pamundësisë efektive për t’i goditur gjyqësisht do të sjellin si pasojë edhe mbylljen e shumë subjekteve private që operojnë në fushën e aktiviteteve që po shtetëzohen.

Kur një qeverisje nis me konçesione dhe partneritete publike private dhe bitis me shtetëzime tregon se ka dështuar plotësisht te e para ose është shndërruar në KÇK te e dyta.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular