Më shumë sëmundje me potencial që të kthehen në pandemi ka të ngjarë të kalojnë nga kafshët te njerëzit në të ardhmen e afërt. Kjo për shkak të mënyrave të jetës moderne, paralajmëroi sot një profesoreshë e lartë angleze.
Sarah Gilbert, truri që qëndron pas vaksinës Covid-19 të Universitetit të Oksfordit, tha se globalizimi i udhëtimeve dhe rritja e popullsisë po shton rrezikun e shpërthimit të infeksioneve zoonotike.
Sëmundjet e transmetuara nga kafshët janë bërë më të zakonshme në vitet e fundit për shkak të rritjes së kafshëve në ferma për mish dhe shpyllëzimit, të dyja këto i vendosin kafshët në afërsi të njëra-tjetrës dhe me njerëzit.
Gilbert u shpreh se pandemia aktuale thekson se si udhëtimet ndërkombëtare përkeqësojnë përhapjen e këtyre viruseve dhe popullatat më të mëdha i bëjnë ato më të vështira për t’u zhdukur.
Origjina e saktë e Covid-19 aktualisht është e panjohur, por konsensusi është se virusi e ka origjinën tek lakuriqët e natës para se të kalonte te një kafshë tjetër e cila më pas ua kaloi njerëzve.