Këshilla nga Prof. Ermira Kola, Shefe e Shërbimit të Reanimacionit Pediatrik
Në periudhën e dimrit dhe fillimit të pranverës, gripi ose influenza është infeksioni viral i cili haset më shpesh në moshat fëminore. Janë infeksione virale që kryesisht shfaqen me shenja klinike të përfshirjes së sistemit të frymëmarrjes, duke qenë shumë ngjitës në moshën fëminore. Në epidemitë e gripit preken më shumë fëmijët në moshën shkollore.
Shfaqja e simptomave të gripit
Pas një periudhe të fshehtë ose të heshtur pa shenja klinike, periudhë kjo nga 48-72 orë, në një fëmijë që ka patur kontakt me të sëmurë me grip shfaqen shenja të sëmundjes kryesisht të rrugëve të sipërme respiratore. Ky fëmijë është ngjitës për fëmijët e tjerë, gjatë 24-orëshit të parë nga fillimi i sëmundjes.
Shenjat e gripit te fëmijët janë të ngjashme me ato te të rriturve, por mënyra se si shfaqen ndryshojnë nga një rast në tjetrin, në varësi të moshës. Në fëmijët e muajve të parë bie në sy grindja, të qarat pa shkak, prishja e gjumit, rënia e dëshirës për marrjen e gjirit ose të biberonit. Në mjaft raste temperatura nuk është shenjë shoqëruese në këtë grupmoshë. Në fëmijët deri në dy vjeç, bie në sy një gjendje e përgjithshme jo e mirë, hundë të zëna, prishje e humorit, ulje e oreksit. Krahas temperaturës së lartë, në shumë raste dalin në plan të parë edhe çrregullimet e aparatit tretës si të përziera, të vjella, diarre që mund të çojnë në humbje të lëngjeve.
Në moshat parashkollore shenjat fillojnë menjëherë, me ethe në shifra të larta, dhimbje koke e muskujsh, këputje, kollë e thatë e cila forcohet shkallë shkallë, më vonë djegie gryke, rrjedhje nga hundët, skuqje të syve, mund të kemi nauze, të vjella, diarre dhe dobësi të përgjithshme.
Sëmundja arrin kulmin gjatë ditës së dytë dhe të tretë, më pas të gjitha shënjat fillojnë të zbuten gradualisht. Gripi normalisht ka ecuri të shkurtër, mesatarisht 2-4 ditë, pavarësisht se edhe për pak ditë do të vazhdojë me ulje të oreksit. Kolla mund të zgjasë për një farë kohe, disa herë edhe me javë.
Rreziku nga gripi
Në përgjithësi gripi kalon mirë dhe pa ndërlikime. Por shpesh prindërit dhe mjekët duhet të jenë të kujdesshëm për ta ndjekur fëmijën në dinamikë sepse ndonëse ndërlikimet janë të rralla, ato mund të ndodhin.
Këto ndërlikime shkaktohen jo vetëm nga viruset, po dhe nga mbivendosja e mikrobe ve të tjerë.
Ato shfaqen më shpesh në moshat e vogla dhe fëmijët me probleme të tjera shëndetësore.
Dhënia e antibiotikëve për të parandaluar ndërlikimet, është një veprim i gabuar, antibiotikët do të jepen vetëm me konsultën e mjekut.
Ndërlikimet më të zakonshme në fëmijë janë otiti (maisjet e veshit) si dhe pneumonia që i dedikohen mbivendosjen e infeksioneve bakteriale.
Shpesh shfaqen disa shenja që nuk duhet të neglizhohen dhe që duhet të tërheqin vëmendjen, qoftë të prindërve ose të mjekut, të cilat lidhen me prezencën e ndërlikimeve. Përgjumësia, refuzimi i marrjes së gjirit ose biberonit, maviosja rreth buzëve që thellohet herë pas herë (në vend të kollës). Këto janë shenja tepër shqetësuese që tregojnë për prekjen e rrugëve të poshtme të frymëmarrjes, prandaj pa humbur kohë duhet të lidheni me mjekun.
Nëse fëmija do të ketë grindje, qarje të cilat shtohen më shumë kur ushtrohet pak presion mbi tragusin e veshit ose kur fëmijët më të rritur ankojnë dhimbje veshi, kollë ngacmuese lehëse, kollë të thatë, kumbuese, zë të ngjirur etj, duhet të drejtoheni patjetër tek mjeku.
Si të kujdesemi për fëmijët
Regjimi – Dëshiron të shtrihet në shtrat ose jo, këtë e zgjedh vetë fëmija, pa e detyruar, por duhet të qëndrojë në shtëpi, në mjedise të ngrohta (jo të nxehta), me ajër të pastër e pak të lagështuar. Të ajroset dhoma e fëmijës edhe nëse jashtë është ftohtë, duke ruajtur një temperaturë konstante. Mos e vishni tepër. Të jepen lëngje shpesh e nga pak, si ujë e lëngje frutash.
Menaxhimi i temperaturës
Temperatura përtej vlerave normale nuk është sëmundje, është një shenjë që tregon që një infeksioni viral ka filluar. Temperatura është shenja e parë e sëmundjeve të ndryshme, të cilat mund të variojnë nga një infeksion i lehtë ose si shenjë e sëmundjeve që rrezikojnë jetën.
Prezenca e temperaturës, nuk ka lidhje midis gravitetit të sëmundjes dhe prezencës së saj. Temperaturat e larta dhe mos rënia e temperaturës nuk janë tregues që lidhen me prognozën e sëmundjes, pra nuk lidhen me gjendje të rënda të fëmijës . Temperatura mund të jetë shumë e lartë në një infeksion të lehtë dhe mund të jetë jo shumë e lartë në një sëmundje të rëndë.
Temperatura në fëmijët e vegjël, shpesh herë është fobi për prindërit, të cilët tentojnë në çdo mënyrë për ta ulur sa me shpejt atë, në shifra normale. Në fakt, ndonëse duket paradoksale temperatura është skalioni i parë mbrojtës i trupit kundër viruseve dhe bakterieve shkaktarë të infeksionit. Temperatura është mekanizëm mbrojtës, që do të thotë që nëse ne e lëmë fëmijën me temperaturë, mekanizmat mbrojtëse të fëmijës do të aktiviziohen mjaft mirë e mjaft shpejt, duke ndikuar në ecurinë e mirë të sëmundjes. Fobia e prindërve ndaj temperaturës dhe abuzimi me dhënien shpesh dhe me doza të larta të medikmenteve ulës së temperaturës, janë të dëmshme për fëmijën.
Fillimisht që të realizohet transmetimi i temperaturës nga trupi – jashtë tij, duhet të bëhet heqja e rrobave, të mbahet vetëm me pelena. Të jepen lëngje shpesh e nga pak. Rekomandohen banja me ujë të vakët, kompresat nuk kanë vlerë. Të përdoren ulës të temperaturës si algofen, paracetamol etj, qoftë në formë shurupi ose suposti. E rëndësishme është që dhënia e tyre të jepet në shifra të temperaturës mbi 38.5 gradë celsius dhe jo më shpesh se 4 ose 6 orë. Kujdes, Aspirina nuk duhet të jepet në moshat fëminore.
Drejtohuni menjëherë te mjeku nëse:
- Fëmija është më i vogël se 2 muaj dhe shifrat e temperaturës janë mbi 38 gradë celsius.
- Fëmija është 3-12 muaj dhe temperatura është mbi 39 gradë celsius.
- Zgjat mbi 24-48 orë.
Këshilla për ushqyerjen
- Mungesa e oreksit është dukuri e zakonshme, por mundohuni të jepni ushqimet shpesh e nga pak.
- Tentoni të jepni supra të holla perimesh, të varfëra me proteina dhe yndyrna. Këto të fundit nxisin acetonin (atë erë të rëndë që ju ndjeni nga goja e tij).
- Lëngjet e frutave duhen të jenë pjesë e rëndësishme e ushqyerjes.
- Mënjanoni kontaktet me të sëmurë me viroza, duke evituar vizitat e panevojshme ose çuarjen e fëmijëve në mjediset me grumbullime.