Hani, pini, lozni, qeshni, broçkollisni e molloisni…

0
462

Nga Luçiano Boçi

HANI PINI
Hani, pini, lozni, qeshni
Broçkollisni, molloisni
Me Evropë na nanurisni
Mbi got’ vere kukurisni

Na mësoni ç’është paraja
Se pa të nuk vlen sevdaja
Na mësoni ç’është hardhia
Se sa gradë na del rakia

Hani, pini na përrallsni
Me qitapet bubullisni
Ç’është për ju demokracia?
Shtatë nga vija, një nga dhia

Shyqyr Zotit që ju kemi
Këtë thotë dhe Sadrazemi
Ulëret, bucet Veziri
Me gotë vere t’loz fiqiri

Pra o burra ju mos rrini!
Hosanara thurni, tirrni
Të na rrojë Salep-Edvini
Zullumqari më i miri

Hani, pini, buzagaz ju defrehni
Popullin në parmendë mbrehni
Sot kurora vishni, ngjishni
Dhe të nesërmen hiç mos prisni.

Merrni zarfe, ndani torta
Dhe këndohuni n’harixhofka
Ne harem tunduni, shkunduni
Pa vrarë mendjen se vjen fundi

Hani, pini, shisni, blini
Batërdisni e grabisni
Ndrroni nder e ndrroni tas
Edhe qeshni pa tallaz

Të përmjerë por “krenarë”
U vetshpallët zylyftarë
Për dovletin “jepni jetën”
Dhe i shisni për kuletën

Hani, pini e këndoni
Hidhni valle, plasni dajre
Përmbi skamjen e miletit
Dorën rrasur n’xhep t’shtetit

Blini vota e favore
Shqyeni kë ju merr prej dore
Mos kurseni as vëllain
Bëni gjumë me millonain

Porse drita dalngadalë
Në terr t’natës sa ka dalë
Po afron dit’n e gjykimit
Që t’marojnë “dokrrat e hinit”

E at’here nga syt këmbët
Vrapin s’di ku do e mbani
Me çitjane e fustane
Porsi nuse me nallane.