Ministri i jashtëm i Malit të Zi, Dermanoviq: Nuk është ide e mirë korrigjimi i territoreve

0
244

Vizita në Kosovë e ministrit të jashtëm malazez Darmanoviq përkon me një vjetorin e ratifikimit në Parlamentin e Kosovës të demarkacionit Kosovë-Mali i Zi. Kjo marrëveshje duhej të korrigjohej, por akoma nuk ka ndodhur.

Ministri i jashtëm i Malit të Zi Sërgjan Darmanoviq tha se vendi i tij e mbështet çdo opsion për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mirëpo për të, ideja e korrigjimit të territoreve, “nuk është ideja më e mirë”. Sipas tij, në Ballkan duhet të mbyllen të gjitha çështjet e hapura.

Këto komente ministri i jashtëm i Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq i bëri gjatë një vizite që realizoi në Prishtinë dhe takimeve që pati me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Vizita e Darmanoviqit në Kosovë përkon me njëvjetorin e ratifikimit në parlamentin e Kosovës të marrëveshjes së kufirit Kosovë-Mali i Zi.

“Ne e shohim një dialog intensiv, i cili kohë pas kohe është ndërprerë me mospajtime politike, shohim se ka koncepte të ndryshme rreth zgjidhjes dhe njëri nga konceptet është për korrigjimin e territoreve. Ne nuk përzihemi në çështje të brendshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por kemi disa brenga rreth mundësive për korrigjim të territoreve. Kjo nuk është ideja më e mirë, por nëse kjo është e mirë për fqinjët tanë dhe ata merren vesh, atëherë do të jetë e mirë edhe për ne”, tha Sërgjan Dermaniviq. Ai tha se Mali i Zi shpreson që Kosova dhe Serbia të gjejnë shpejtë zgjidhje për marrëdhëniet e tyre, në mënyrë që zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi të nënkuptonte që të dyja vendet ta njohin njëra-tjetrën.

Dialogu Kosovë-Serbi, ka kohë që është ndërprerë. Serbia nuk pranon të rinisë dialog me Kosovën pa e hequr Prishtina zyrtare tarifën shtesë për mallrat serbe, ndërsa qeveria e Kosovës thotë se çështja e taksës nuk duhet të ndërlidhet me zhvillimin e dialogut.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç i deklaroi sot për agjencinë Reuters që vonesat në rifillimin e bisedimeve mund të destabilizojnë Ballkanin Perendimor. “Çdo ditë vonesë mund të krijojë kushte, në të cilat një shkëndijë mund ta ndezë në flakë tërë rajonin. Vendet perëndimore duhet ta dinë këtë” tha Vuçiçi për Reuters.

Sidoqoftë, vizita në Kosovë e ministrit të jashtëm të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq bëhet në një vjetorin e ratifikimit në Parlamentin e Kosovës të marrëveshjes së shënimit të kufirit Kosovë-Mali i Zi dhe nënshkrimit të një marrëveshjeje tjetër (aneks), ku parashihej brenda dy vitesh korrigjimi i një pjesë të këtij kufiri.

Për ministrin malazez Srgjan Darmanoviq, çështja e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, është problem i zgjidhur dhe nuk është çështje e hapur. “Problemi është zgjidhur. Ne nuk e shohim si një çështje të hapur ndërmjet këtyre dy vendeve, nuk ka pika kontestuese, kjo është kryer”, u shpreh Dermanoviq.

Kufiri me Malin e Zi – “çështje e zgjidhur”

Edhe për shefin e diplomacisë kosovare Behxhet Pacolli, çështja e demarkacionit me Malin e Zi është çështje e zgjidhur, ndërsa, sipas tij janë komisionet shtetërore që do ta shënojnë këtë kufi.

“Është komisioni ndërshtetëror që do të dalë dhe do ta shënojë këtë kufi dhe unë besoj që ky problem është i zgjidhur dhe nuk është temë diskutimi. Problemi është zgjidhur, kemi një marrëveshje me Malin e Zi dhe kjo zgjidhje ka pasur jehonë të madhe ndërkombëtarisht, si hap jashtëzakonisht fisnik i dy shteteve në zgjidhjen e problemeve pa intervenime nga jashtë, pa ndërmjetësime”, tha Behxhet Pacolli në një konferencë të përbashkët për medie me homologun e tij malazez.

Mirëpo partia opozitare Lëvizja Vetëvendosja, sot në një vjetorin e ratifikimit në parlament të demarkacionit me Malin e Zi, i rikujtoi kryeministrit Ramush Haradinaj që “Kosova humbi 8.200 hektarë një vit më parë më 21 mars 2018”.

“Ramush Haradinaj u bë kryeministër duke premtuar korrigjimin e gabimeve të demarkacionit me Malin e Zi. Një vit më pas, nuk është bërë asnjë hap përpara, asnjë raport apo sqarim për korrigjimin e tij”, tha në një konferencë për medie anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes Arbërie Nagavci. Madje sipas saj, “ratifikimi i demarkacionit me idenë e korrigjimit të versionit fillestar po shërben tash si precedent për Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, që të shtrojë në sferën publike idenë e ndryshimit të kufijve me Serbinë”. Ndryshe nga Lëvizja Vetëvendosja, kryetari i partisë tjetër opozitare LDK, Isa Mustafa që kishte nënshkruar demarkacionin me Malin e Zi, akuzon kryeministrin Haradinaj, që siç thotë, “kur u bë kryeministër Haradinaj e votoi marrëveshjen e demarkacionit, për të cilën sa ishte në opozitë e kundërshtonte me çdo formë, madje edhe me dhunë”. “Po i pyes të gjithë ata që me kauzë të rrejshme organizuan dhe përkrahën dhunën kundër demarkacionit: ku jeni sot? Sepse kufiri mbeti aty ku ishte. Aty ku ju, pas gjithë asaj katrahure që i shkaktuat vendit dhe asaj marrie, e gëlltitët dhe e votuat. Pyes edhe kryeministrin e vendit, Qeverinë dhe Kuvendin, e Komisionin shtetëror?”, shkroi Isa Mustafa në profilin e tij në Facebook. Ai thotë se me “veprimet tuaja i morët në qafë qytetarët dhe i privuat nga liberalizimi i vizave për shkak të egos”. Kosovës i ishte premtuar nga Bashkimi Evropian që me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, Kosovës do t’i liberalizoheshin vizat, por kjo edhe një vit pas nuk ka ndodhur. DW