BallinaBotaKëshilli i Europës feston 70 vjetorin

Këshilli i Europës feston 70 vjetorin

Më 5 Maj Këshilli i Europës feston 70-vjetorin e tij. KE me 47 anëtarë shihet si më e fuqishmi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në kontinent e jashtë tij. Shpesh Këshilli i Europës ngatërrohet me Këshillin e BE.

Ishin 10 shtete europiane ato që më 5 Maj 1949 në Strasburg vendosën të bashkoheshin me qëllimin „e ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët europiane.” Rivendosja e paqes, demokracisë, stabilitetit në Europë pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore ishte prioriteti kryesor europian – në të njëjtën kohë planifikohej thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ndihma për çështjet sociale. Këshilli i Europës ka për detyrë të zhvillojë afrimin mes vendeve anëtare, thuhet në statutin e organizatës.

„Detyrimi për një bashkim europian nuk është fat pësues për Europën. Por më shumë një impuls krijues, që i përgjigjet madhështisë së traditës europiane.” Kështu është shprehur kancelari i atëhershëm gjerman, Konrad Adenauer (1876-1967) më 10 dhjetor 1951 para Asamblesë këshilluese të Këshillit të Europës, vit kur Gjermania u bë anëtare e tij.

Këshilli i Europës dhe Këshilli i BE – struktura të njëjta?

Sot Këshilli i Europës ka 47 anëtarë. Vetëm tre shtete në hapësirën gjeografike të Europës nuk janë anëtarë të tij. Kosova, Vatikani dhe Bjellorusia. Këshilli i Europës ka dy organe të rëndësishme: Asamblenë Parlamentare me funksion këshillues, ku janë të përfaqësuar deputetë të vendeve anëtare dhe Komiteti Ministror që përbëhet nga ministrat e Jashtëm dhe përfaqësuesit e përhershëm diplomatikë të vendeve anëtare.

Ky institucion u shërben shkëmbimeve diplomatike dhe vendos për pranimin e anëtarëve të rinj, pezullimin e përkohshëm të anëtarësisë si edhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut u krijua si institucion i pavarur nga Këshilli i Europës në vitin 1959 dhe financohet prej tij. Simbolet e Këshillit të Europës si flamuri dhe himni përdoren nga viti 1986 edhe nga Bashkimi Europian.

Këshilli i Europës nuk është i lidhur institucionalisht me BE. Shpesh ndodh që Këshilli i BE-së të ngatërrohet me Këshillin e Europës. Por Këshilli i BE është instancë e BE, që bashkon krerët e shteteve dhe qeverive të BE. Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës dallojnë mes tyre jo vetëm në numrin e anëtarëve – BE ka 28 anëtarë, kurse KE 47, – por edhe në ndikimin politik. BE ka kompetencë ligjore në tregun e brendshëm dhe mjedisit, kurse Këshilli i Europës përgatit marrëvëshje apo konventa ndërkombëtare si Konventa e Stambollit për luftimin e dhunës kundër gruas.

Ndër arritjet më të mëdha të Këshillit Europës të vitit të kaluar konsiderohen zbatimi i shpejtë i vendimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Përveç kësaj Këshilli i Europës ka krijuar një platformë ku mund të publikohen kërcënimet ndaj gazetarëve.

Sfidat e ardhshme të Këshillit të Europës

Në deklaratën e përbashkët të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, presidentes së Asamblesë Parlamentare, Liliane Maury Pasquier dhe kryetarit të Komitetit Ministror, Timo Soini të publikuar me rastin e 70-vjetorit të krijimit të theksohet se „70 vjet pas krijimit, Këshilli i Europës është organizata më e rëndësishme për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.”

Por deklarata e vë theksin tek sfidat e sotme. „Tek ato renditen krahas revolucionit të inteligjencës artificiale, edhe robërimi i skllavërisë moderne e rritja e pabarazisë në shumë nga shoqëritë tona, dhe ne ende nuk e dimë, se cilat lloj problemesh do të duhet të zgjidhim në vitet e ardhshme. Një Këshill i fortë i Europës me mbështetjen e Komitetit Ministror dhe Asamblesë Parlamentare – do të shfrytëzojë aftësinë e sistemit tonë konvencional dhe vendosmërinë e shteteve anëtare – për të ofruar zgjidhje multilaterale, nga të cilat të përfitojnë të gjithë qytetarët në kontinent.” Një nga temat më të debatuara në Këshillin e Europës është aneksimi i Krimesë. Deputetët rusë bojkotojnë nga viti 2015 Asamblenë Parlamentare. Kurse nga viti 2017, Moska nuk e paguam në kontributin e saj disamilionësh për këtë organizatë. Gjermania dhe Franca punojnë për një zgjidhje, sepse ato e duan Rusinë anëtare aktive të Këshillit të Europës.  DW

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular