Të premten e kaluar në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në News24 u prezantua historia e trishtueshme e një familje në Laç.
Vajza e tyre Desara 17 vjeç është e paralizuar. Babai thotë se dita-ditës vajza mezi komunikon me ta. “Në moshën 5 vjeçe kishte probleme shëndetësore, ka ngelur në karrocë, as ecën as ha dot me dorën e vetë. Nuk flet mirë”.
E ëma thotë se vajza po përkeqësohet. “E vura në darkë në gjumë, por në mëngjes ajo nuk u ngrit dot. ‘Jam e ngrirë’ tha vajza. Fëmijën e parë e ula në karrocë. Kur ishte 5 vjeç. Nuk u ngrit dot për në shkollë. U ula në gjunjë iu luta Zotit më jep forcë ta përballoj këtë. Vajza kishte hekur në tru i kishte prekur sistemin e ecjes. Edhe vajza tjetër u sëmur. Nuk mu ndanë fatkeqësitë në jetë.
Të dyja vajzat e sëmura i kam Suadën dhe Desarën. Tragjedia e tretë më ndodhi kur burri u aksidentua, ishte në gjendje të rëndë. Nuk më dhanë shpresë në spital. Nuk më zë gjumi natën. Te tre duan shërbim. Burri ka nevojë për hekura, ka nevojë për operacion. Desarës i mungojnë ilaçet, nuk gjendet veç jashtë shtetit. Ajo ka nevojë për operacion në shtyllën kurrizore. Nuk është e drejtë. Natën i shkoj dhe i ndiej frymën nëse vazhdon merr frymë. Suada është bërë agresive shumë, ka shumë probleme ka nevojë për skaner. Jam e lodhur dhe e mërzitur, nuk kam çfarë të bëj. Ata dy vajza kam do u shërbej sa mundësi të kem. Ju lutem më ndihmoni”, thotë nëna.
Kryefamiljari Shkëlqimi tregon se u aksidentua dhe sa herë dëshiron vdekjen por është gjallë vetëm për fëmijët. “U aksidentova në Laç në autostradë, më është thyer legeni këmba e djathtë, kjo është e papritur shkatërrim total. Asnjë nuk na ndihmon ekonomikisht. Ju kërkoj ndihmë të më ndihmoni të ngrihem në këmbë dhe tu shërbej vajzave. Ndonjëherë them nuk jetoj dot, pastaj them do jetoj për hatër të fëmijëve. Nuk e kam menduar kurrë këtë tragjedi. Ju lutem më ndihmoni. Pa vajzat unë nuk marr dot ajër. Merrni ndonjë pjesë tek unë dhe ngrini fëmijët në këmbë”, thotë ai.
Elvis Naçi së bashku me producentin ekzekutiv të emisionit Ilir Hoxhollin shkuan për të takuar familjen në Laç.
Elvisi: Suada dhe Desara keni emra te bukur, Suada do te thotë e lumtur, Desara do te thotë e gëzueshme. Kemi mbetur pa fjalë nga historia juaj. Zoti ju dhëntë forcë!
Gruaja: Është shumë e vështirë, të tre duan shërbim të veçantë.
Elvisi: Rëndësi ka dashuria në familjen thuaj.
Elvisi takon kryefamiljarin, Shkëlqimin i cili dergjet në shtrat.
Shkëlqimi: Ju interesoheni për njerëzit, jemi në hall, në katastrofë! Kam 10 vjet që vuaj me vajzat, por aksidenti ma vështirësoi punën, jam në ditë të vështira. Jam në katastrofë!
Elvisi: Do na kesh këtu për të plotësuar nevojat tuaja. Por rrallë herë na ka ndodh që të jemi hasur me një familje me kaq shumë plagë. Nga katër pjesëtare ju jeni tre të sëmurë. Gruaja juaj na shkroi, dhe ja ku jemi për t’u ndihmuar.
Gruaja: Vajza ime Desara me tha, është dikush që mund të na ndihmojë, siç ndihmoi Aishen dhe Sidorelën
Elvisi: pra ajo të inkurajoi për të më shkruar….stafi ynë do ti marri një nga një hallet e familjes suaj. Do ta fillojmë me operacionin e bashkëshortit tuaj. Ne do çojmë në këmbë burrin tuaj. Do shikojmë vajzat tuaj çfarë mund të përmirësojmë tek to, ilaçet do ua sigurojë fondacioni “Firdeus”.
Gruaja: Kam tre vjet që nuk i vizitoj vajzat, nuk kam mundësi.
Elvisi: Ti je një heroinë e madhe, je një shqiptare e madhe për këtë që po bën. Paç nga Zoti forcë, ti je heroinë e vërtetë. Ti nuk do jesh më vetëm. Na ke shkruar që ke mbetur e vetme me tre të sëmurë. Të ka dalë nga shpirti. Në sot jemi këtu. Do bëjmë më të mirën për familjen tuaj.
Në këtë moment tre ambulanca që kanë ardhur nga një spital privat nga Tirana, rreshtohen për të marrë dy vajzat dhe babain e tyre. Ata u vizituan nga ekipi i mjekëve profesionistë.