BallinaEkonomiNga fushata në fushatë; saga e legalizimeve dhe përdorimi i tyre për...

Nga fushata në fushatë; saga e legalizimeve dhe përdorimi i tyre për politikë

re ditë para zgjedhjeve të 30 qershorit, një ekip i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës u shfaq në  tunelin e një kompleksi pallatesh në kryqëzimin e rrugëve “Him Kolli” dhe “Mujo Ulqinaku” në Tiranë, për të shpërndarë leje legalizimi për apartamentet e ndërtuara gati dy dekada më parë.

Një grup i vogël prej 40 banorësh sfiduan temperaturat e larta për të marrë në duar dokumentet, por Qani Basha, 74 vjeç vendosi të qëndronte indiferent në shtëpi.

Kirurg stomatolog në pension, Basha i tha BIRN se e kishte blerë apartamentin në vitin 2004 dhe priste ende pas 15 vitesh hipotekën e shtëpisë. Por ndryshe nga fqinjët e tij, i moshuari nuk beson te fushata e nisur në Tiranë për legalizimin dhe më pas hipotekimin e qindra gjigandëve prej betoni që konsiderohen me shkelje të lejes së ndërtimit.

“Ato dokumente [lejet e legalizimit] janë kot, mashtrim. Në radhë të parë mashtrim për zgjedhjet dhe më pas për drejtorinë e re që kanë krijuar,” tha Basha për BIRN, duke nxjerrë nga një dosje blu me dokumentet e apartamentit të tij.

Legalizimi është një ndër fjalët më të përdorura në tre dekadat e tranzicionit në Shqipëri dhe për qindra mijëra familje shqiptare, nënkupton pronësinë juridike mbi shtëpitë që ata i zotërojnë prej vitesh. Megjithatë, procesi i nisur që në vitin 2006 është ende në gjysmë të rrugës, ndërkohë që partitë politike nga të dyja krahët e kanë përdorur atë në luftën për të shtuar radhët e mbështetësve të tyre.

BIRN intervistoi banorë të zonave informale në Durrës dhe Tiranë, të cilët pas vitesh të tëra pritje u legalizuan në kohë fushatash dhe pohuan se “ua dinë për nder” zgjedhjeve që u bënë pronarë me letra të shtëpive të tyre.

Ndërkohë, përfaqësues të shoqërisë civile të specializuar në vëzhgimin e proceseve zgjedhore në vend e kritikojnë këtë fenomen si një ndër format e korrupsionit elektoral në Shqipëri.

Të dhënat mbështeten edhe nga një raport statistikor i ALUIZN-it, të cilin BIRN e disponon, e që tregon se pavarësisht premtimeve dhe propagandës, vetëm 51% e ndërtimeve ilegale janë legalizuar në Shqipëri përgjatë 12 viteve.  Raporti tregon gjithashtu fluksin në rritje të lejeve të shpërndara në kohë fushatash elektorale, si në peridhën e qeverisjes së Berishës, ashtu edhe në atë të Ramës.

Premtime dhe zvarritje

Pas rënies së sistemit komunist në vitet ’90 në Shqipëri, gati një e treta e popullatës migroi nga zonat rurale drejt zonave urbane, peri-urbane dhe bregdetare në kërkim të punës dhe të një jete më të mirë. Një raport i EURALIUS për të të drejtën e pronës në Shqipëri vlerësonte në vitin 2018 se gati 1/3 e ndërtimeve në Shqipëri ishin të paligjshme “për shkak të mungesës së një certifikate pronësie të qartë dhe të lejeve të ndërtimit”.

Procesi i legalizimit dhe integrimit të zonave informale nisi zyrtarisht në vitin 2006, vetëm pak muaj pas ardhjes në pushtet të qeverisë së djathtë të kryeministrit Sali Berisha. Legalizimet ishin gjithashtu një ndër kuajt kryesorë të betejës së Partisë Socialiste në rrugën e saj drejt pushtetit në vitin 2013; kur u premtua përmbyllja e procesit dhe legalizim falas për të gjitha objekteve informale.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë megjithatë se procesi u zvarrit përgjatë 12 viteve dhe mijëra familje në Shqipëri nuk e kanë zgjidhur ende çështjen e tyre të pronësisë.

Një raporti statistikor i ALUIZN-it, i siguruar nga BIRN, tregon se nga viti 2006 deri në vitin 2013 u grumbulluan aplikime që përfshijnë 323,082 objekte në të gjithë Shqipërinë.  Nga këto, ALUIZN-i ka shpërndarë 166,745 leje legalizimi deri në fund të vitit 2018, duke i dhënë përgjigje pozitive vetëm 51% të aplikuesve.

Mbi 94 mijë objekte ose 29% e totalit janë klasifikuar të palegalizueshme, por fati i tyre mbetet ende i paqartë. Në proces mbeten ende edhe 62,206 objekte për t’u legalizuar, të cilat përfshijnë 19% të numrit total të aplikimeve.

BIRN analizoi gjithashtu kurbën e shpërndarjes së lejeve të legalizimit ndër vite dhe rezultoi se rekordet përkojnë me vitet zgjedhore në Shqipëri, si në kohën e qeverisjes së Berishës, ashtu edhe në atë të Ramës.

Tirana, qyteti më numrin më të lartë të ndërtimeve informale në vend ka legalizuar rreth 6466 objekte në vitet 2006-2013 dhe 42 639 objekte gjatë viteve 2014-2018. Megjithatë, rreth 90% e lejeve të shpërndara gjatë qeverisjes së Berishës i përkasin harkut kohor mes dy fushatave elektorale të viteve 2011-2013, ndërsa gjatë qeverisjes aktuale, rreth 60% e banorëve të rinj të kryeqytetit u legalizuan mes dy fushatave elektorale 2015-2017.

Durrësi, qyteti i dytë me numrin më të lartë të ndërtimeve informale ndjek të njëjtin trend. Gjatë viteve 2006-2013 në këtë qark u shpërndarë 2728 leje legalizimi, ndërsa në vitet 2014-2018 u shpërndanë 30 447 leje ose 11-fish më shumë. Por përtej diferencës në shifra, administrata “Berisha” rezulton të ketë shpërndarë rreth 90% të lejeve në Durrës përgjatë fushatave 2011-2013; ndërsa mbi 70% e lejeve të shpërndara nga administrata “Rama” i përkasin viteve 2015-2017.

Në zonën e rrëmujshme të ish-Kënetës në Durrës, ku rrugët fillimisht të asfaltuara përfundojnë në gropa të thella dhe pirgje inertesh, memoria për fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2015 është ende e freskët.  Më 11 prill 2015, eskorta e kryeministrit Edi Rama, e shoqëruar edhe nga një furgon i mbushur dëng me dosje legalizimesh i ALUIZN-it mbërritën në zonë, duke i dhënë fund pasigurisë për qindra familje.

Ndërsa punon në oborrin e vogël të shtëpisë së tij trekatëshe, Rasim Doda, 67 vjeç, kujton katër vjet më vonë se ajo ditë i dha fund ankthit të tij 19-vjeçar.

“Legalizova shtëpinë tre kate. E ndërtuan djemtë për 15 vite më shumë mund pasi janë në emigracion, njëri në Itali dhe tjetri në Greqi,” tha Rasimi për BIRN në mesin e qershorit.  “U bënë shkak ato zgjedhje që përfituam edhe ne,” shtoi 67-vjeçari.

Pjesa më e madhe e banorëve të ish-Kënetës me të cilët BIRN bisedoi, janë pajisur me leje legalizimi mes viteve 2015-2017, ndonëse kishin aplikuar në dy thirrjet e hapura në vitet 2006 dhe 2013. Banorët treguan gjithashtu se kishin zbritur në zonë në fillim të viteve ’90, kur nuk kishte ende rrugë dhe as energji elektrike dhe pasi i ndërtuan shtëpitë tullë pas tulle, priten me vite të tëra për t’u pajisur me dokumentin e pronësisë.

“Aty kam mundin tim dhe të djemve. Sot e gëzoj me tapi dhe më vjen mirë që nuk i kam rënë kujt në qafë për t’i zënë tokën, pasi kjo e gjitha ka qenë pronë shtetërore,” thotë Rasimi, ndërsa drejton gishtin tregues nga shtëpia.

Njësoj si 67-vjeçari, edhe fqinji i tij Gjovalin Ndoi e legalizoi shtëpinë në prill të vitit 2015, ndonëse kishte aplikuar për dokumentin që në vitin 2007.

“Këtë banesë e kam ngritur kur dy djemtë ishin ende të vegjël dhe bashkëshortja e papunë. Ikja që në mëngjes në Durrës dhe punoja në ndërtim si usta, për një kohë në vitet 2002-2004 kishte shumë punë, kryesisht në bregdet,” tha Ndoi, ndërsa shtoi se truallin e kishte blerë dyfish te një person privat dhe te ALUIZN-i.

Shtëpisë së Ndoit i erdhi radha për legalizim, tetë vite pas aplikimit.

“U interesova disa herë dhe në fillim të vitit 2015 ata të ALUIZNI-it më thanë se ‘dosja është gati dhe do shpërndahen këto ditë nga kryeministri,” kujtoi ai për BIRN.

Ceremonia e shpërndarjes së 1001 lejeve të legalizimit në rrethinat e Durrësit nga kryeministri Edi Rama u transmetua “live” në televizione. Vetë kryeministri e quajti pak javë më vonë të gabuar shpërndarjen e tyre gjatë fushatës elektorale, por kjo nuk i pengoi disa banorë të zonës së ish-Kënetës që ta shpërblenin atë me votë.

“Atë votë e kam dhënë me bindje për Dakon, pasi u bënë shkak zgjedhjet lokale që të merrte fund ankthi im,” tha një banor i zonës në kushtet e anonimatit. “Legalizova shtëpinë dhe një dyqan të vogël,” shtoi ai.

“Tjetër punë legalizimi, e tjetër hipoteka”

Zona e ish-Kënetës në Durrës, ku pjesa më e madhe e banorëve u pajisën me cerifikata legalizimesh mes dy fushatave zgjedhore 2015-2017. Foto: Sebi Alla.

Ndërkohë që dhjetra mijëra banesa presin ende të legalizohen në periferi, Agjencia Kombëtare e Kadastrës ka nisur një tjetër fushatë për apartamentet e pahipotekuara në zemër të qyteteve të mëdha.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, mbi 30 mijë apartamente të ndërtuara gjatë dy dekadave të fundit nuk janë hipotekuar ende në të gjithë Shqipërinë, për faj të ndërtuesve, që sipas saj kanë shkelur fillimisht lejet e ndërtimit dhe që më pas kanë braktisur godinat pa përmbyllur ende procedurat. Numri më i lartë i pallateve me probleme është në Tiranë me 1230 të tilla.

Në pamundësi për t’i zgjidhur problemet e mbartura me kompanitë ndërtuese, Kadastra u ka bërë thirrje banorëve që të bëhen bashkë, të zgjedhin një përfaqësues dhe të plotësojnë një listë të gjatë me 13 pika, për të legalizuar dhe më pas hipotekuar apartamentet e tyre.

Por lista përmban dokumente që i tejkalojnë pronat e banorëve, të tilla si leja e ndërtimit e miratuar nga organet e qeverisjes vendore, një akt-ekspertizë për qëndrueshmërinë e pallatit si dhe projektin e gjendjes ekzistuese të godinës.

Në apartamentin e tij në rrugën “Mujo Ulqinaku” në Tiranë, Qani Basha i tha BIRN-it se thirrjet publike të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës i kanë ndarë banorët e pallatit të tij në dy grupe; ata që e presin hipotekën nga ndërtuesi dhe të tjerët që përmes administratorit u pajisën së fundmi me leje legalizimi.

Basha vetë tha se nuk ishte përfshirë në procesin e ri, pasi i ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj kompanisë së ndërtimit, ka paguar madje edhe 120 mijë lekë për hipotekën në maj 2018 dhe pret nga ndërtuesi që të përmbushë pjesën e tij të detyrimeve. Në dosjen e tij blu gjendet numri i aplikimit në ALUIZNI si dhe një deklaratë e shkruar me dorë nga ndërtuesi, përmes së cilës pranon marrjen e pagesës për hipotekimin e apartamentit të Bashës.

“Presidenti i kompanisë ka çuar emrat e banorëve që kanë shlyer të gjitha detyrimet te Agjencia dhe më thotë ‘tani shkoni kërkojani Artan Lames’. Shkova vetë te Hipoteka dhe bëra debat me atë zonjën atje; ajo më dha të drejtë por më tha se ‘nuk kam ku t’i gjej dokumentet e tua sepse po zhvendosemi te Kadastra,” tha Basha për peripecitë me të cilat po përballet.

Në një zonë tjetër të Tiranës, atë të Kasharit, banorët e tre kullave të ndërtuara nga kompania “Lorena” sh.p.k i thanë BIRN se dolën duarbosh nga një takim i organizuar në shkurt 2019 me drejtorin e Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, ku ishin njoftuar se do të merrnin lejet e legalizimit.

Në faqen e saj në Facebook, Agjencia deklaroi në shkurt 2019 se legalizoi tre kulla me mbi 300 apartamente dhe 60 dyqane në to, si dhe u bëri thirrje banorëve që të vijojnë procedurat për hipotekimin e tyre.

Por banorët e këtyre pallateve i thanë BIRN se pesë muaj pas takimit, nuk kanë mundur të marrin ende asnjë dokument dhe se hipotekimi i apartamenteve të tyre vazhdon të jetë i bllokuar.

Banorët i thanë BIRN në kushtet e anonimatit se problemi qëndron sërish te ndërtuesi, i cili duhet të paguajë detyrimet përpara se banorët të nisin procedurat. Të pyetur për takimin me Lamen, ata u përgjigjën “U legalizuan pallatet, po tjetër punë legalizimi, e tjetër hipoteka”.

Mungesa e hipotekës për apartamentet e blera vite më parë i mban të pasigurtë banorët, ndërkohë që pronat e tyre vazhdojnë të qëndrojnë të ngrira për vite të tëra.

Qani Basha i tha BIRN se apartamenti i bollshëm, i blerë në vitin 2004 nuk i hyn më në punë, por mungesa e hipotekës i mban prej vitesh peng planet e tij.

“Interesi ynë ka qenë që të merrnim hipotekën dhe ta shisnim apartamentin. Unë e bëra gjithë këtë për fëmijët, por ata nuk duan të jetojnë në Shqipëri dhe mua s’më duhet më,” tha ai. “Kam pasur shumë kërkesa, por vetëm për shkak të hipotekës nuk e shes dot. Presidenti [i kompanisë] bashkë me hipotekën duhet ta zgjidhin këtë çështje,” shtoi ai i irrituar.

Përdorimi politik

Fushatat politike me procesin e legalizimeve i kanë shkrirë shpesh kufinjtë mes shtetit dhe partisë në Shqipëri, ndërkohë që kritikohet si një nga mënyrat për ndikimin e votuesve. Raporti i OSBE/ODIHR që analizon zgjedhjet lokale të vitit 2015 u binte këmbanave të alarmit për këtë shqetësim.

“Personalitete kryesore të PS-së dhe LSI-së shpërndanë certifikata për legalizimin e pronës në aktivitete zgjedhore, dhe një numër kandidatësh të Aleancës për Shqipërinë Europiane përdorën aktivitete dhe burime shtetërore për qëllime fushate,” thuhet në raportin e OSBE/ODIHR-it.

“Këto zbehën ndarjen midis shtetit dhe partisë, dhe shkelën paragrafin 5.4 të Dokumentit të Kopenhagenit të OSBE-së të vitit 1990, i cili parashikon një ndarje të qartë midis shtetit dhe partive politike,” shtohet në raport.

Raporti i vitit 2015 sjell për ilustrim tre raste, ku kreu i qeverisë, Edi Rama, ish-kreu i Kuvendit, sot Presidenti Ilir Meta dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndanë certifikata legalizimesh në kulmin e fushatës elektorale të kohës në maj 2015.

Fenomeni kritikohet edhe nga vëzhguesit vendorë në Shqipëri, të cilët pohuan për BIRN se për shkak të numrit të lartë të familjeve shqiptare të interesuara për legalizimet, të gjitha palët e kanë përdorur atë për përfitime politike.

“Shifra për legalizime është shumë e madhe, është përdorur haptazi jo vetëm në zgjedhje kombëtare por edhe lokale, i kanë përdorur të gjitha këto aspekte në mosrespektim të fushatës,” tha Premto Gogo, përfaqësues i KRIIK Albania, duke shtuar se të gjitha kompetencat shtetërore vihen në funksion të përfitimit elektoral.

Edhe Gerta Meta, përfaqësuese e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë i tha BIRN se procesi i legalizimeve është përdorur deri edhe nga krerët më të lartë të shtetit për të mikluar votuesit në kohën e fushatave elektorale.

“Taktika të tilla që bëjnë institucionet shtetërore, përfaqësuesit e lartë të politikës apo mazhoranca në fuqi, është një nga metodat për të joshur votuesit shqiptarë në lidhje me iniciativa sensitive që prekin dretpërdrejt jetën e qytetarëve apo votuesve,” tha Meta për BIRN.

“Natyrish është një lloj mesazhi që i jepet qytetarëve për të ndikuar ata të përqafojnë politikat që ka…për të përqafuar partinë në fjalë apo partinë qeverisëse,” shtoi ajo.

Vëzhguesit vendorë e rendisin këtë fenomen në listën e gjatë të ndikimeve mbi votuesin në Shqipëri; një proces ky që vazhdon t’i mbajë zgjedhjet ende larg standardeve ndërkombëtare.

“Korrupsioni zgjedhor fillon që nga pjesa e ndërtimit të një sistemi që favorizon pushtetarët, që nga ndarja e zonave, mënyra si ndërtohet infrastruktura zgjedhore, mënyra  se si menaxhohet administrata publike, pushteti qendror dhe lokal…Nga kjo pikëpamje, këto [legalizimet]  janë mirëfilli me qëllim të drejtpërdrejtë për të përfituar elektoralisht,” përfundoi Premto Gogo./BIRN

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular