BallinaKryesorePelikani Kaçurrel

Pelikani Kaçurrel

spot_img
spot_img

Nga Erl Kodra

Të shkruash për opinionin publik, veçanarisht në demokraci, është përgjegjësi e jashtëzakonshme. Aq më tepër të ndërtosh këtë opinion ose ta përpunosh atë sipas disa interesave; që rezultojnë të jenë të ndryshme nga e mira e përgjithshme, ose më keq akoma, të deformosh perceptimet e të tjerëve për realitetin ku jetojmë. Ka diçka të madhe në guximin e gjithkujt që merr përsipër t’i drejtohet njerëzve me fjalë, mendime dhe shpjegime rreth politikës, ekonomisë dhe demokracisë. Impakti që ka politika dhe ekonomia në jetën tonë e tejkalon çdo interes vetjak, për të mos thënë se një politikë e mirë ose e keqe zakonisht bën diferencën mes pasjes ose mospasjes së bukës në sofër, dhe shpesh herë mes jetës dhe vdekjes. Unë do të përpiqem të argumentoj me fakte se çfarë dëmesh të pariparueshme u është shkaktuar qytetarëve nga përpunuesit e opinionit, dëme këto që tejkalojnë çdo faktor tjetër, të brendshëm ose të jashtëm.

Shqipëria është një vend i vogël, me popullsi të vogël, ku të gjithë njohin njëri tjetrin, një shoqëri tipike ku dominojnë lidhjet fisnore, familjare, krahinore dhe miqësore. Ky është një mjedis i vështirë për të kryer punë publike i pandikuar nga njohjet private. Njeriu është qenie emotive, shoqërisht i ndikueshëm, një lloj produkti i “shoqërisë së kafeneve”, ku gjithçka zgjidhet mes shokësh, në një pazarë që nuk ka çmime fiks. Këto janë rrethana të vështira për një popull tejet të varfër, që ka ra pre e një labirinthi vicioz të ndërtuar djallëzisht nga të tjerët. Po kush janë këta “të tjerët”?

Të tjerët, domethënë ajo pjesa që rri në krye të punëve, zakonisht dhe përgjithësisht ia kanë patur me të pabesë pjesës tjetër të shoqërisë. Duke qenë vend i vogël, me shumicën e popullsisë që jeton në kufinjtë e mbijetesës, Shqipëria nuk ka qenë në gjendje të përmbushë dhe të kënaqë të gjitha ambiciet e specieve që rrinë në krye të zinxhirit ushqimor. Kjo është karakteristikë e vendeve të rajonit, por për ne shqiptarët ka qëlluar fatale, edhe për faktin se jetojmë të shpërndarë në pesë shtete të Ballkanit. Turqia përshembull, mund të ketë të njëjtat karakteristika, por Turqia si një vend i madh i ka aftësitë të përmbushë edhe nevojat e grabitqarëve, përgjithësisht pa rrezikuar mbijetesën e shumicës dhe funksionimin normal të shoqërisë. Përkundrazi, shoqëria shqiptare është kthyer në një shoqëri që nuk funksionon, që nuk përmbushë nevojat e veta bazë, ajo vazhdon të mbetet peng i “të tjerëve”, një pakice që ka bllokuar mendimin kritik, aftësitë reflektuese, organizuese dhe çdo mundësi tjetër që mund të ndryshojë jetët e njerëzve.

Pelikani Kaçurrel është një specie që rrezikon zhdukjen në Lagunën e Karavastasë. Mjedisi ku rritet ky shpend i rrallë vizitohet rregullisht nga gjahtarët e pamëshirë, që vazhdojnë të kënaqin instinktet në kurriz të ekzistencës së një specie në zhdukje. Ngjashëm, edhe shoqëria shqiptare po shkon drejt zhbërjes, saktësisht sepse “të tjerët”, domethënë ata që gjenden në krye të punëve nuk ngopen me gjahun brenda llojit, njëlloj kanibalizmi i rrallë ky që po i kushton shtrenjtë shoqërisë. Ngjashëm, shumë herë përgjatë shekullit të fundit kemi rrezikuar ekzistencën.

E di, këto janë fjalë të rënda. Pesha e mendimeve të tilla ushtrojnë shtypjen e një mali. Treguesit bazë kanë rënë nën nivelin e lejueshëm nga shkencat ekzakte që ekonomia të funksionojë, dhe politika të jetë çelësi i zhgjidhjes. Popullsia po emigron masivisht, ndërsa plakja popullsisë së mbetur shuan çdo shpresë ripërtritje. Ne vazhdojmë të mbijetojmë për inerci të sotshmen, pa ditur se e nesërmja mund të jetë dita e fundit për çdonjërin prej nesh.

Të shkruash opinione rreth cilësisë së litarit bash në shtëpinë e të varurit është e papranueshme. Shqipërisë ia kanë shembur institucionet kryesore që mbajnë drejtpeshimin e shoqërisë. Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë, çfarë gjame më e madhe duhet të shfaqet këtej pari, në mënyrë që opinion-bërësit të shpallin më në fund se Edi Rama duhet të largohet pa kushte. Sepse, shikoni se çfarë ka ndodhur ndërkohë, përgjatë viteve të vetë-harrimit tonë.

Në fillim ne ishim naiv që besuam se vuajtjet tona morën fund me rënien e diktaturës. Me kohë, kur gjërat po zinin vend, përditë e më shumë po përvijohej një ndarje e re shoqërore, që thellonte hendekun mes të fortit dhe të dobëtit. Pabarazia e thellë shoqërore është karakteristikë e vendeve të varfëra, por tek ne pabarazia është kthyer në vrimën e zezë që po përthithë të ardhmen tonë. Ndërkohë, asnjë opinion-shkrues nuk u tregon të vertetën qytetarëve, përkundrazi!

Përkundrazi, ata kanë zënë pikat e komunikimit publik, kanë hedhë rrënjë në mediat e shkruara dhe studiot televizive, të veshur chic si yje kinemaje, gjithçka e justifikojnë me vetmohim. Për ata, Edi Rama është thjesht një politikan ndryshe, që vishet ndryshe, paksa atipik, njëlloj artisti që shqiptarët nuk e kuptojnë, prandaj ata janë aty për të shpjeguar Edin tjetër, që ne vdekatarët nuk jemi në gjendje të përceptojmë madhështinë e Tij. Ata nuk e shohin Edi Ramën ashtu si ai është në të vertetë, një lugat që ka shembur kolonat e shtetit, ka zhytur një shoqëri në krim, ka përzënë disa qindra mijëra qytetarë, ndërkohë qeverinë ia ka dorëzuar Mafias.

Arsyet pse ata i shërbejnë Edi Ramës dhe jo opinionit publik janë lehtësisht të kuptueshme; Edi Rama paguan për shërbime të tilla, duke u kujdesur që e tërë hapësira të jetë e zënë vetëm me një lloj opinion-bërësi, që vërtitet në të njëjtin mjedis që prej 30 vitesh, që shërben me devotshmëri, siç shërben ta zëmë Mustafa Nano, Lorenc Vangjeli, Alfred Peza, Sokol Balla e të tjerë. Të tillë janë shumë, në të gjitha mediumet shqiptare, domethënë nga ata që kanë zënë pikat kyçe prej ku mbulimi dhe ndikimi publik është maksimal. Kështu sigurohet vazhdimësia e letargjisë shoqërore, ndërsa Shefi vazhdon me shpërblimet për shërbimet e ofruara.

***

Çfarë ndodhë nëse përpiqesh të thyesh rregullat e vendosura pa ndonjë ligj të shkruar, por të imponuara nga një rreth sektarësh mediatik? Cilat janë mundësitë dhe alternativat që ke në dispozicion për të kuptuar se çfarë po ndodh me jetën tënde? Cila rrugë është më e mirë; të pranosh verdiktin e “të tjerëve” për jetën tënde, apo të ngjitesh në malin e lartë, dhe të thithësh ajrin e rrallë? Çfarë pritet të kuptosh nga pamundësia tragjike e moskuptimit, që gjithmonë të thotë “rri aty ku je, në padije, në pamundësi, në mjerim, sepse kur kjo botë u nda, kështu na ra”.

Ne presim akoma që “Lorenc Vangjeli & shokët” t’i thonë të vertetat supreme, kur në fakt ata paguhen për tjetër punë; të vrasë dhe varrosë të verteta. Kështu, Edi Rama vazhdon paqësisht “qeverisjen” e Shqipërisë, deri në ditën kur shqiptarët të rrezikojnë zhdukjen si Pelikani Kaçurrel. Me gjasë, atë ditë OKB-ja do na shpallë “specie e rrallë e njerëzimit në rrezik zhdukje”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular