Nga Red VARAKU
Vlera e një dorëheqjeje
Përgjimet e publikuara nga BILD dhe Zëri i Amerikës zbuluan se zgjedhjet e vitit 2017, u vodhën barbarisht nëpërmjet një strukture kriminale efikase të ndërtuar enkas për vjedhjen votave, e cila drejtohej vertikalisht nga vetë kryeministri dhe ministrat.
Pas këtyre publikimeve që denonconin masakrën e bërë nga kjo strukturë, pothuajse në të gjithë vendin, çdo kryeministër normal jo vetëm do të jepte dorëheqjen, por do të largohej pëfundimisht nga politika me turp.
Rama duhet të merrte menjëherë përgjegjësinë që i takonte dhe të pranonte zgjidhjen e ofruar nga opozita për zgjedhje të parakohshme me qeveri tranzitore pa Ramën kryeministër.
Kërkesa këto fare normale, pas shfaqjes së përgjimeve zyrtare të prokurorisë që ekspozonin hapur dhunimin barbar nga bandat e krimit mbi qytetarët, shantazhin shtetëror mbi punonjësit e administratës dhe blerjen masive të zgjedhjeve.
Këto përgjime thjesht i vunë vulën të gjitha pretendimeve të opozitës, e cila vazhdimisht ka denoncuar , që Rama është një hajdut psiqik, që i ka vjedhur gjithmonë zgjedhjet, që kur garonte kundër Besnik Mustafajt dhe Spartak Ngjelës në Tiranë.
Pas, shfaqjes së kësaj barbarie, cila opozitë në botë do të futej në zgjedhje me arkitektin e vjedhjes së votave në krye të qeverisë? Cila opozitë nuk do të shqetësohej në maksimum, nëse ky kampion i vjedhjes së votës do të ishte në krye të qeverisë, sidomos pasi ka dëgjuar Zërin e Amerikës dhe BILD?
Por, ai jo vetëm që i vodhi dhe u kap duke i vjedhur, por me paturpësinë më të madhe kërcënon gazetarët dhe dhe drejton grushtin kundër opozitës. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, madje as në Afrikë.
Për këdo që ka një kuptim minimal për bashkëjetesën politike në demokraci, kjo është thjesht katastrofë.
Në vend që të jepte dorëheqjen që në momentin e parë kur u zbulua skandali i vjedhjes së votave nëpërmjet përgjimeve të Zërit të Amerikës, ai zgjodhi të sulmonte opozitën dhe të impononte 30 Qershorin si datë zgjedhjesh, për të mbuluar skandalin e përgjimeve, duke sfiduar kështu sugjerimin e Europianëve, nëpërmjet z. Wahdepul, të cilët njohën si të ligjshëm dekretin e presidentit për anulimin e 30 Qershorit.
Pas skandalit të vjedhjes së zgjedhjeve me banda kriminelësh, populli shqiptar u derdh rrugëve në protesta ndër më të gjatat dhe masivet që Shqipëria kishte parë. Për herë të parë, pas publikimit të këtyre përgjimeve , populli shqiptar tregoi që është një popull që nuk e lejon më diktaturën. Tregoi që është një popull vigjilent ndaj çdo përpjekjeje që mund të cënojë demokracinë dhe pluralizmin politik. Ai u ngrit në këmbë si asnjëherë tjetër në mbrojtje të demokracisë dhe vlerave perëndimore.
Rama, për t’iu shmangur thelbit, ngatërrohet kot me lloj-lloj çikërrimash e gënjeshtrash të vogla që i nxjerr pa asnjë filtër logjik. Ndërsa prokuroria, në vend që të niste hetimin e përgjegjësve të këtij skandali, transferon në kulmin e debatit në Dibër, dosjen 184 , ku ishte përfshirë vetë kryeministri. Asgjë nuk do të dalë nga ky shpenzim dhe shpërdorim i kotë energjish, që po riciklon tërë mendësinë e vjetër, por sterile të partisë- shtet.
Arritjet e Shqipërisë pas vitit 1990 nuk mund të zhbëhen dot, sado artist qoftë kryeministri . Pushtetet në Shqipëri janë të ndara dhe nuk mund të bashkohen në një dorë. Liria e shtypit është e garantuar, pavarësisht nga presionet dhe pengesat e një regjimi që cilësohet demokraci hibride.
Këto arritje nuk preken dot në thelbin e tyre, sado i zemëruar dhe i kompleksuar të jetë Rama. Problemet reale të qeverisë së tij në këtë periudhë pëveç korrupsionit të jashtëzakonshëm, janë përgjimet dhe 30 Qershori. Janë probleme që bashkë me themelet e qeverisë, kanë tronditur edhe mbarë opinionin publik shqiptar dhe të huaj.
Amerikanët dhe Europianët, nga njëra anë për sytë e pastërvitur të politikës duket sikur e kanë mbështetur Ramën, por nga ana tjetër kanë mbështetur edhe hetimin dhe ndëshkimin e fajtorëve për vjedhjen e zgjedhjeve të 2017, duke legjitimuar pretendimet e opozitës.
Rasti i sulmit të z. Dako, numrit dy të PS menjëherë pas 30 Qershorit nga DASH, dëshmon vendosmërinë e perëndimit për ndëshkimin e të korruptuarve dhe hajdutëve të votës. Në fakt, nëpërmjet Dakos ato po sulmojnë drejtpërdrejtë z. Rama. Po ashtu, z. Palmer duke iu referuar OSBE/ODHIR, deklaroi që zgjedhjet e 30 Qeshorit janë të papranueshme për standartet demokratike duke cënuar rëndë legjitimitetin e 30 Qershorit.
Në këto kushte, pasi t’i ketë konsumuar kot të gjitha sulmet kundër Presidentit të Republikës dhe Opozitës, Ramës nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të mendojë për zgjidhjen e krizës.
Ai nuk është aq naiv sa të besojë se mund të trembë me kërcënime një opozitë, e cila sot ka një mbështetje të jashtëzakonshme . Kombinimi i kauzave politike, siç është kjo e vedhjes së zgjedhjeve, me kriza ekonomike financiare vetëm mbush sheshet me protestues dhe e çon vendin drejt paralizës. Tranzicioni shqiptar i ka të freskëta këto kombinime. Ato janë shkruar me bilancin e ngjarjeve tragjike të vitit 1997-të.
Injorimi i kësaj krize, me mohimin i saj, përpjekja për ta ndrydhur atë, pëpjekja për ta shtypur atë me anë të represionit shtetëror dhe banditesk, trajtimi me arrogancë, me gjaknxehtësi, pa kuptuar arsyet objektive të ngjizjes së tyre e thellon krizën, nuk e zgjidh atë.
Shumë-shumë e mbajnë në vend për pak kohë, duke i dhënë asaj mundësi të akumulohet pastaj të shpërthejë, me pasoja shumë të rënda për ne të gjithë. Me pak fjalë, këto qëndrime thjesht vonojnë zgjidhjen. Në pamje të parë duket sikur fiton pak kohë, dhe kjo është e vërtetë, por një kohë që shkon në kundërkohë, shkon kundër interesave dhe aspiratave të shqiptarëve. Sa më e gjatë vonesa, aq më e rëndë kosto e zgjidhjes së krizës.
Në kushtet e refuzimit të kërkesave të opozitës, nuk ka dyshim se kriza do të vazhdojë të thellohet, deri në plotësimin e kërkesave legjitime të saj. Radikalizmi pjell radikalizëm. Situata është shumë e ndërlikuar. Kush vonohet, paguan shtrenjtë.
Nëse Rama nuk e jep menjëherë dorëheqjen, ai vetëm se do të rrisë shumëfish koston e daljes së vendit nga kriza, duke e futur Shqipërinë në një spirale shumë të rrezikshme, me kosto shumë të rënda për vendin, por ama ai dhe kushdo tjetër, duhet ta kenë të qartë, se kush mbjell erën, do të korrë stuhinë.