Kreu i Demokristianëve Nard Ndoka i ftuar në emisionin “Real Story”, deklaroi se aleatët opozitarë i kanë kërkuar Bashës protesta para 18 tetorit, por numri një i PD kishte thënë se duhet të pritet vendimi për negociatat.
Sipas tij, djegia e mandateve zgjoi ndërkombëtarët, e ndërsa kryedemokrati në këtë formë arriti një fitore të madhe, ajo e mbrojtjes së demokracisë.
“Ne si opozitë kemi arritur dekriminalizimin. Kjo ishte arritje e madhe. Dekriminalizimi nxori në pah se maxhoranca bashkëpunonte me kriminelët, dhe madje kriminelët dhe grupet kriminale erdhën në parlament.
- Basha dhe ne si opozitë dogjëm mandatet, dhe realisht ky veprim nxori në pah problemet që ka Shqipëria, që nga kriminalizimi i parlamentit deri te zgjedhjet që janë vjedhur.
Djegia e mandateve zgjoi ndërkombëtarët. Z. Basha arriti një fitore shumë të madhe, duke mbrojtur demokracinë.
Basha ka pasur qasje pro-europiane. Ne e dimë se Reforma Zgjedhore në këto kushte nuk zgjidh asgjë. Kriza është lidhja e politikës me krimin. Kjo është agjenda jonë.
Këto janë detyrat që opozita ka marrë në raport me publikun. Disa nga aleatët i kanë kërkuar Bashës protesta para 18 tetorit, por ai ka pasur një qasje tjetër, duke kërkuar pritjen e vendimit për negociatat. Rama sot është i vetmuar”, tha Nard Ndoka.