Zbulohet emri i shenjestres se atentatit në Mamurras, ku 27-vjecari u qëllua me breshëri ndërsa po ecte me makinë, e Policia e mbajti fillimisht të fshehtë ngjarjen.
Atentati ka ndodhur në Mamurras, mbrëmjen e 3 tetorit ku është qëlluar me armë ndaj një automjeti në lëvizje. Fillimisht, ngjarja nuk është bërë e ditur nga Policia, por më pas, me anë të një njoftimi thuhet se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00, mbrëmjen e së enjtes. Shënjestër e atentatit ka qenë Kreshnik Pistja, 27 vjeç, banues në Mamurras.
I riu ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij në autostradën e Mamurrasit, duke shkuar për në banesë, pranë stacionit të Trenit, në momentin kur është qëlluar me breshëri. Plumbat kanë mbërritur deri në sediljen e parë të pasagjerit, ndërsa Pistja nuk ka pësuar lëndime. Sipas burimeve, autorët i kishin zënë prite në rrugicën pranë shtëpisë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit.
Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Sipas burimeve, në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja, ndërsa 27-vjeçari, i cili ishte në shënjestër të sulmit, ka deklaruar se nuk kishte konflikte.
Por, Policia po heton mbi të kaluarën e tij për të hedhur më shumë dritë rreth ngjarjes, si dhe për të rënë në gjurmët e autorëve. Automjeti aktualisht ndodhet në komisariatin e Policisë në Laç. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që çështja i kaluar Prokurorisë së Kurbinit.
“Më datë 04.10.2019, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të shtetasit K.P. 27 vjeç, banues në Kurbin dhe për pasojë ka vetëm dëme materiale”, bëhet e ditur nga Policia.
Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se nuk ka konflikte dhe se nuk e di se cilët mund të jenë autorët e atentatit. “Për t’i shpëtuar plumbave u futua në oborrin e shtëpisë së fqinjit. Autorët ishin me makinë, u larguan me shpejtësi, nuk dallova asnjërin”, është shprehur 27- vjeçari.
Kreshnik Pistja ka jetuar për disa kohë në Itali dhe po hetohet nëse është përfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm, që më pas mund të ketë çuar në kryerjen e atentatit ndaj tij. Gjithsesi, kjo mbetet në kuadër të dyshimeve, pasi do të jenë veprimet e mëtejshme të Policisë dhe Prokurorisë ato çka do të sqarojnë rrethanat e atentatit ndaj 27-vjeçarit nga Mamurrasi. PANORAMA