BallinaKryesoreBesa mos e jep dorëheqjen

Besa mos e jep dorëheqjen

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti – 

Ditët e fundit ka zëra për dorëheqjen e Ministres së Arsimit, Besa Shahini. Madje u bë edhe një tubim simbolik për këtë qëllim nga një OJF. Përmes FB, kryetarja aktuale e Komisionit të Edukimit dhe Mediave, i ka kërkuar gjithashtu Besës të jap dorëheqjen. Arsyeja? Një video e dalë në një emision ku mësuesi kërkon favore seksuale ndaj një nxënëse.

Dhe për kaq Besa duhet të jap dorëheqjen?

Kurrsesi jo. Për shumë arsye që do ti rendis më poshtë. Besa nuk e dha dorëheqjen dhe askush nuk ja kërkoi nga subjektet e mësipërme, ku një fëmijë 13 vjeç, u përdhunua kolektivisht në shkollën “Rilindja” në Kavajë. Besa nuk doli të thotë asnjë fjalë, ndërsa Elisa na tregoi të gjithë bagazhin e saj të ligësisë, kur u shpreh: “Se ngjarje të tilla janë mëse të zakonshme e madje aludoj se mund të merrej si subjekt i ndonjë skenari hollivudian. Besa nuk e dha dorëheqjen kur një fëmijë në Durrës, deklaroi në polici se ishte ngacmuar seksualisht në mjediset e shkollës. Edhe në këtë rast Besa heshti e nuk foli asnjë fjalë.

Besa nuk e dha dorëheqjen kur një nxënës 16 vjeç po në Durrës, u vra me thikë në zemër për motive krejt banale, në prag të derës së shkollës. Asnjë mësues, drejtues i nivelit më të ulët në Durrës nuk dha dorëheqje, nuk u shkarkua dhe nuk u mor asnjë masë disiplinore. Besa nuk e dha dorëheqjen kur na siguroi si zëvendësministre e arsimit parauniversitar se do të kishim provime të drejta, pa kopje, pa celularë dhe me rigorozitetet të plotë. Këtë na premtoi live Besa në të gjitha ekranet e televizioneve. Por çarë ndodhi në realitet? U kopjua apo më troç u vodh hapur në mes të ditës teza, u shpërnda me shpejtësi rrufe në gjithë vendin dhe Besa përsëri zgjodhi të bëjë atë që di më mirë: Të heshti dhe të bishtnoj nga përgjegjësitë e saj. Besa nuk dha dorëheqjen kur fëmijët e Dibrës u helmuan nga sistemi ngrohës, që u zgjodh për tu testuar pikërisht kur kishin fëmijët mësim dhe jo kur ata ishin pushim. Besa nuk u tut fare kur dëgjoi se fëmijët në Bulqizë, u helmuan brenda në klasë, në prani të mësuesit dhe zunë spitalin. Nuk na tha asgjë Besa përse ndodhi, nuk nxori asnjë zëdhënës të saj të na sqaronte situatën, nuk  shkoi asnjë prej drejtuesve të Ministrisë së Arsimit për të parë gjendjen e fëmijëve.

Besa doli e na tha se pas tërmetit të 21 shtatorit se “kishte vetëm shkolla me plasaritje dhe do të bëhej e pamundura që të riparoheshin sa më shpjet”. Kur tërmeti ra, bashkë me rrënjat e shkollave dolën në dritë të diellit edhe gënjeshtrat plot pathos e emocion të Besës. Ama Besa e bëri një punë të rëndësishme: Doli me defter në dorë e mbajti shënimet sesa ishte dëmi, në miliona euro por nuk foli kurrë për përgjegjësit që sollën këto rrënoja. P.sh, a mund të na thotë Besa, se kush e bëri tenderin e shkollës “Ramazan Jangozi,”, sa ishte fondi i Ministrisë së Arsimit në bashkë financim me Bashkinë Krujë? A ka dijeni Besa se kush fshihet pas këtij tenderi që rrëzoi shkollën brenda dy muajve, pas ndërtimit nga themelet të saj? A është Besa e përfshirë në këtë aferë korruptive që mund të sillte pasoja në humbje të jetëve të nxënësve? Nëse jo, pse nuk e çon dosjen në SPAK? E pra Besa edhe në këtë rast nuk dha dorëheqjen.

A ju kujtohet Besa dhe premtimet e saj për Paktin e Universitetit (përndryshe Univerziteti, siç u thotë Besa)? Le ti risjellim edhe njëherë në vëmendje: “Bordet e Administrimit do të shkarkohet në të gjithë univeristetet dhe anëtarët e rinj do të zgjidhen nga një proces i hapur që do të jetë transparent. Anëtarët e Bordit do të jenë figura të njohura, dhe një prej tyre do të zgjidhet nga studentët. Prandaj u bëj thirrje studentëve që të nisin të mendojnë për procesin e zgjedhjeve, jo vetëm të anëtarëve të bordit por dhe për Këshillat Studentor, aty nuk ka pasur zgjedhje”. Dhe Besa e mbajti fjalën. Shkarkoi të gjithë anëtarët e Bordit dhe në vend të tyre në një proces të zvarritur për muaj të tërë emëroi mamatë e këshilltarëve të ministrisë së arsimit, ish-deputetë të PS-së, zyrtarë të bashkive socialiste, me një fjalë besnikë të denjë të partisë në pushtet.

Po çfarë ndodhi me Këshillat studentor? Besa jo vetëm nuk pranoi zgjedhjen e tyre por bllokoi edhe formalizmin e atyre që dolën nga një proces i rregull zgjedhor. Besa nuk na tha asnjë fjalë për plagjiaturën që kishte hedhë rrënjë ndër kolegët e saj në qeveri e parlament, për bibliotekat digjitale, për shkarkimin e drejtuesve të konvikteve,m shkatërrimin e godinave të Qytetit Studenti. Ah po. Mos e harroni faktin që Besa doli, na njoftoi për lajmin e madh se do të bëheshin zgjedhje në universitete, duke na hequr veshin se “nuk duhet të zgjedhim njerëz si Rektori i Tiranës”.

Pra Besa, nuk na rekomandoj, as orientoj po urdhëroi stafet akademike të votojnë jo atë që dëshirojnë ata, por atë që është më u përshtatshme për Besën e për rrjedhojë për vetë Komandantin. Besa shkeli hapur Kushtetutën, ligjin, Kodin Etik të një shtetari dhe askush nuk i kërkoj dorëheqjen Besës. Kjo ndodhi pak ditë më parë, jo vite më parë, por të gjithë e kanë “harruar”: Akademikët, studentët, OJF-të në mbrojtje të arsimit, Komisioni i Edukimit dhe Medias, organizmat e huaja në mbrojtje të arsimit, etj. Besa mesa duket nuk e tha nga koka. Ka marrë izmën gjithandej dhe ju fut edhe arsimit të lartë për ta bërë terbiet si ai parauniversitar.

Nuk e kuptoj përse duhet t’u kërkohet dorëheqja Besës, për “kaq pak gjë”: Ngacmim seksual i një mësuesi play-boy, apo siç vetëquhej zhigolo. Lindita p.sh me Fatmir Xhafën, duhet të na shpjegojnë në këtë rast se nuk është Minsitrja e Arsimit që e zgjidh këtë punë por…, oficeri i sigurisë. Ai, oficeri i sigurisë, me bekimin e Lindita Nikollës dhe Fatmir Xhafajt, të cilët nënshkruan një marrëveshje, këtu e hyhy, dy vjet më parë, u vendos në shkollë për të gjitha hallet e nxënësve: Zënkat, problemet me tyre dhe mësuesve, mes tyre dhe komunitetit, etj, etj. Madje drejtuesja e gjimnazit, T.B, sipas skenarit të E.F, na siguruan se projekti pilot, kishte dhënë frutet e veta. “Të gjithë ne kemi ndjerë ndryshimin që ka ndodhur në shkollë që nga dita kur ka ardhur Oficerja e Sigurisë. Vërtet filloi si një projekt pilot vetëm në disa shkolla të Tiranës, por e ndjen veten të privilegjuar fillimisht që u caktuam një prej atyre shkollave.

Por ndryshimin ne e kemi vënë re të gjithë, duke filluar nga ne mësuesit, nxënësit dhe prindërit” Po si ka mundësi që oficeri i sigurisë me nuhatjen e tij për zbulimin e krimit, nuk ka dalluar dot se më shumë se 1 mësues, abuzojnë apo kërkojnë favore seksuale më nxënëset? As mësuesi kujdestar i vajzave, nuk parë e nuk ka dëgjuar, gjë as drejtuesit e shkollave, nuk kanë parë e dëgjuar gjë.

Por çfarë na përralliste më 1 maj 2018, Lindita?

“Nëse shikojmë raportimet shumë serioze që vijnë dhe nga shkollat dhe nga oficerët e sigurisë, në javët e para numri i konflikteve ka qenë shumë më i madh, gjë që ka ardhur çdo muaj në zbritje, duke treguar edhe njëherë besimin në rritje, por ajo që është objektivi kryesor i këtij projekti, shkollat janë më të sigurta.”

Pra Lindita dy vjet më parë e Besa sot ja kanë dal t’i kenë shkollat të sigurta, herë sipas mendjes së tyre dhe herë sipas skenarit hollivudian të Elisës. Tani mos kërkoni dorëheqjen e Besës kot më kot. Janë shembur shkolla, tavane, janë vrarë nxënës brenda dhe në prag të shkollës, pihet duhan, alkool, hashash, rrihen me njëri-tjetrin për 7 palë qejfe nxënësit, nga vendi 51 shkojmë në vendin 61 në PISA, ja mbathin çdo ditë e më shumë nxënës, mbyllen shkolla, adoleshentët mbushin burgjet dhe ju kërkoni dorëheqjen e Besës? Për besë është e tepërt t’ia kërkosh këtë ndjesi të lartë qytetare e përgjegjshmëri shtetari.

Besë mos jep dorëheqjen. Rri aty sa ta kesh kismetin dhe sa të kesh bekimin  e Komandantit. Çoje deri në fund kryeveprën më të madhe me të cilën do të mbaheni mend në historinë e shqiptarëve, ti, Lindita dhe Komandanti: Shkatërrimin me rrënjë e themel të arsimit kombëtar.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular