BallinaOP EDDITARI/EDHE PËR KORONAVIRUSIN, SHQIPËRIA S’E SHMANGU DOT ROLIN E SHEMRËS SË ITALISË

DITARI/EDHE PËR KORONAVIRUSIN, SHQIPËRIA S’E SHMANGU DOT ROLIN E SHEMRËS SË ITALISË

Nga Ilir Nikolla

Nuk kishte si të mos e shfaqte që në ditën e parë kryeministri ynë papërgatitjen e plotë të strukturave të shtetit për përballimin e një epidemie të tillë si koronavirusi. Nga fillimi deri në fund, mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë ishte një justifikim i përgjithshëm se qeveria s’ka faj, se fatkeqi ka ardhur vetë me makinën e tij në rrugë tokësore (a thua sikur po të kishte ardhur në rrugë ajrore nga Firence, qeveria do të bënte ndonjë gjë), se s’ka vend për panik e se shqiptarët do t’ja dalin…
E më pas, erdhën masat: të gjitha kopje 100 % nga vendimet e jashtëzakonshme që këto ditë po merr Italia. Edhe pse u tha se Shqipëria regjistron vetëm 2 rastet e para (çudi si rasti dukej laboratorikisht ai i duhuri për tiradën shfajësuese të Edi Ramës), masat e marra janë si ato të Italisë. Shkollat do t’i mbyllim (vini re, në fillim u shpall data 3 prill, e njëjtë me atë të Italisë, më pas u korrigjua me 23 marsin), aktivitetet masive po e po…e të tjera kopje të kësaj qeverie kopje në fushën e administrimit të pushtetit. Masat restriktive s’janë marrë në këtë shkallë as në Francë, ku regjistrohen rreth 1 mijë të infektuar në disa vatra të shpërndara në të gjithë vendin, as në Gjermani ku mendohet se u regjistrua pacienti zero në Evropë, as në Spanjë, e cila gjithashtu thuajse ka arritur numrin 1 mijë të të infektuarve.
Gjithçka e shfaqur sot në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë nuk ishte për të qetësuar shqiptarët, thjesht u bë për të shpallur faktin se paniku në vend ka një zot e se zot i panikut në Shqipëri është qeveria, është ajo që ja hap e ja mbyll derën panikut, kur dhe si të dojë. Ja tregojmë vendin kur duam, por edhe e lëshojmë panikun rrugëve, nëse gjindja nuk na bindet sa dhe si duhet. Tani po vras mendjen ta zëmë, si do të sillemi me dy bartësit fatkeqë të virusit, të cilët edhe pse janë vetëm dy, janë vënë në spitalin infektiv, në karantinën e improvizuar, në kushtet më skandaloze të mundshme. Imagjinoni, kemi kushte skandaloze për dy të infektuarit e parë, imagjinoni si do të jenë kushtet kur të infektuarit do të jenë 1 mijë, e kur të mos jenë vetëm në Tiranë, apo vetëm nëpër qytete.
Qeveria e Edi Ramës s’mund të luajë shemrën e qeverisë së Italisë, duke u përpjekur të marrë prej saj pak sharm qeverisës, atë sharm që qeveria e dobët e Kontes po e fiton në këto kushte fatkeqësie. Një qeveri në krye të detyrës është e detyruar të japë që në fillim informacionin, sa persona janë infektuar, sa janë vendosur në karantinë e cilat kategori janë më në risk e që duhet të paraqiten për analizat e rastit. Edhe pse janë 6 mijë të infektuar e rreth 15 milionë italianë në një karantinë virtuale, qeveria italiane i jep ato rast pas rasti. Kurse për Edi Ramën, ishte e vështirë edhe të identifikonte si duhet pikën kufitare nga kishte hyrë i infektuari i parë në vend (u deshën përgënjështrimet e dy pikave doganore për të identifikuar vendin e saktë nga i sëmuri kishte hyrë në Shqipëri me 24 shkurt). Mendojeni pak që qeveria shqiptare të ketë qoftë edhe përafërsisht numrin e saktë të personave që kanë hyrë në kontakt me të sëmurin, jo më t’u thoshte shqiptarëve se brenda ditës së sotme të gjithë këtyre personave u ishte marrë tamponi i analizës dhe ishin vendosur në një karantinë preventive.
Unë s’pres kurrfarë eficence të tillë nga qeveria jonë, e pamë në tërmetin e 26 nëntorit dhe tek mungesa e jashtëzakonshme e qenve jetëshpëtues se ç’nivel kishin emergjencat tona. Edhe në këtë rast e di se një punë e tillë as që është nisur, jo më të kemi përgjigjet brenda ditës të kontakteve të të sëmurit. Në mbledhjen e sotme Edi Rama nuk zhgënjeu veç në propagandë, aty ku kopjimin e ka kthyer në art. Ai kopjoi tëkpë masat që po merr qeveria Konte në Itali, por…Hane Shan, Hane Bagdad, ku burokracia e Italisë, ku shtabet propagandistike të Ramës.
Duke shpresuar se shpëtimi i kombit tonë, si gjithmonë është i fshehur në adn-në e mbijetesës tonë dhe i kënduar edhe në strofën e censuruar të himnit tonë kombëtar, kronika ime e sotme mbi koronavirusin në Shqipëri mbyllet me dëshirin: pastë qeveria e Ramës fatin që meritojnë shemrat e rëna nga vakti.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular