Pavarësisht krizës së thellë që po kalon vendi si pasojë e COVID-19, kryeministri ka obsesion sulmet ndaj opozitës.
Kështu shprehet në një reagim të tijin në Facebook Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Sipas numrit dy të selisë blu, kryeministri në vend që të shqetësohet për mijëra shqiptarë që sot janë pa punë, pa bukë, merret me videomontazhe të turpshme për të sulmuar opozitën.
“Në vend që të shqetësohet për mijëra shqiptarë që sot janë pa punë, pa bukë, mijëra prindër që janë në ankthin e përditshëm të infektimit apo të humbjes së vendit të punës, Edi Rama merret me videomontazhe të turpshme për të sulmuar opozitën.
Nuk ka gati asnjë qindarkë t’u japë nesër shqiptarëve, siç ua premtoi. Nuk do tja dijë se as gjysma e atyre që duhet të merrnin paratë e paketës së parë nuk i kanë marrë akoma.
Çfarë turpi që në këto ditë krize të thellë për çdo shqiptar ai ka vetëm një obsesion, të sulmojë opozitën”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.
Reagimi i Bardhit vjen pas publikimit të një video nga ana e kryeministrit ku ironizon liderin e opozitës Lulzim Basha.