Kryeqytetit duket se do t’i shtohet një tjetër stadium modern. Klubi Tirana ka një projekt që të rindërtojë stadiumin “Selman Stërmasi”. Stadiumi i dytë i kryeqytetit me shumë mundësi do të shndërrohet në një impiant komod. Projekti përflitej prej kohësh dhe duket se ka ardhur koha që gjërat të kthehen në realitet. Në fakt, e gjithë ideja është e presidentit të Tiranës, Refik Halilit, i cili ka investuar në këtë projekt dhe beson shumë që në fund do të ketë një stadium, të krahasueshëm me “Air Albania”-n.
Prej kohësh projekti është në planet e klubit Tirana. Madje janë bërë edhe hapat e parë për të njohur drejtuesit e shtetit dhe ndoshta shumë shpejt do të ketë një finalizim si për mënyrën e financimit dhe detajet e projektit që në plan të parë është shumë i bukur, mbushur me ngjyrat bardheblu.
KOSTOJA – Si fillim, kostoja e stadiumit do të jetë sa gjysma e “Air Albania”-s. Është llogaritur që stadiumi mund të ndërtohet me 40 milionë euro. Kjo është një shifër e parë, por që mund të ndryshojë në varësi të kapacitetit të këtij stadiumi dhe luksit. Një kosto e përballueshme dhe sa gjysma e “Arenës Kombëtare”. Për më tepër që ndërtuesi do të jetë vetë presidenti i Tiranës, Refik Halili. Ky i fundit ka thënë gjithmonë se gjithçka në stadium do të jetë perfekte, që tifozit të mos i mungojë asgjë në stadium.
14 MIJË VENDE – Nëse në “Air Albania” janë 22 mijë vende të ulura, në “Selman Stërmasi” do të jenë 14 mijë vende të ulura. Një stadium, goxha i madh, por jo i vogël që i shtohen 6 mijë vende nga kapaciteti ekzistues. Do të rritet 14 metra nga fusha dhe do të ketë një shikueshmëri perfekte. Nga ana tjetër, Tirana mendon që këtë stadium do ta ketë pothuajse plot në çdo ndeshje të kampionatit, pasi kushtet do të jenë akoma më të mira se “Air Albania”. Panorama Sport