Dy vajza që mbetën të plagosura në aksin Tiranë-Elbasan, në dalje të tunelit kanë ndërruar jetë në spital.
News 24 raporton se dy vajzat kanë marrë dëmtime të rënda, saqë nuk kanë mundur t’i mbijetojnë plagëve të marra.
Po ashtu në spital ndodhen edhe dy vajza të tjera, të cilat po marrin mjekim, ndërsa njëra prej tyre pak më parë është nisur drejtë Tiranës për mjekim më të specializuar.
Në aksident u përfshinë një mjet tip “Benz” dhe një mjet tip “Volkswagen”, ku në këtë të fundit udhëtonin katër persona. Dyshohet se ishte mjeti tip ‘Benz’ që ka goditur atë tip ‘Volkswagen’.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur policia e cila po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti tragjik, që u mori jetën dy vajzave.
Elbasan/ Informacion paraprak
Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në dalje të tunelit të Krrabës, mjeti tip “Benz”, dyshohet se ka goditur mjetin tip “Volkswagen”, ku udhëtonin 4 shtetase.
Shërbimet e Policisë dhe të zjarrëfikses kanë bërë e mundur nxjerrjen nga mjeti të 4 shtetasve të cilit ishin të bllokuar, të cilat u transportuan menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, ku 2 shtetase si pasojë e plagëve të marra kanë ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e shkakut të aksidentit.