BallinaKryesoreQeveria Rama mbyll shkollën e financuar nga Gülen/U kërkua ndërprerja e veprimtarisë...

Qeveria Rama mbyll shkollën e financuar nga Gülen/U kërkua ndërprerja e veprimtarisë që në 2016 nga Turqia

Qeveria Rama ka vendosur mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Memorial International School of Tiranma (MIST)”.

Me një vendim të firmosur nga zv.Kryeministri Erion Braçe, thuhet se mbyllja e veprimtarisë së MIST bëhet në të gjitha nivelet, arsim fillor, i mesëm i ulët dhe i mesëm i lartë.

Në vendimin e Qeverisë nuk jepen arsyet apo shkaqet që çuan në mbylljen e veprimtarisë së shkollës jo-publike, çka duket se ka lidhje me një vendim politik. {ak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Turqi me presidentin turk Erdogan, çka duket se u pasua edhe nga vendimi për mbylljen e një shkolle jo-publike.

Institucioni arsimor MIST është konsideruar si një prej shkollave jopublike të financuara nga Fondacioni Gülistan, i cili ka nisur aktivitetin e saj në Shqipëri në vitin 1993. Ky fondacion njihet me afërsinë e tij me ideologjinë e Gylenit.

Në vitin 2016 raportohej se Organizata kishte në administrim disa kolegje si “Mehmet Akif” në Tiranë, “Hasan Riza Pasha” në Shkodër, “Turgut Özal” në Durrës dhe “Memorial International School Tirana” (MIST) në Tiranë.

Turqia i ka kërkuar autoriteteve në Shqipëri të mbyllin shkollat e financuara apo mbështetura nga Gyleni, gjë që duket se është realizuar së fundmi, nga Qeveria shqiptare.

Në vendimin e Qeverisë thuhet se Institucionet arsimore private parauniversitare, “Memorial International School of Tirana (MIST)”, kanë këto detyrime:

a) Të pajisin çdo nxënës me dokumentacionin e nevojshëm shkollor, që do të shërbejë për transferimin e tij në një institucion tjetër të arsimit parauniversitar;
b) Të mbulojnë të gjitha shpenzimet për kryerjen e procedurave për transferimin e nxënësve, në zbatim të këtij vendimi;
c) Të kthejnë pagesat e kryera (nëse ka) nga prindi/përfaqësuesi ligjor i nxënësit për pjesën e papërfunduar të shkollimit, si dhe çdo detyrim tjetër të papërmbushur që mund të ketë ndaj nxënësit;
ç) Të vënë në dispozicion të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, çdo informacion të kërkuar deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të parashikuara në këtë vendim;
d) Të dorëzojnë në Arkivin Shtetëror Vendor dokumentacionin dhe të paraqesin në institucionin arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar një kopje të dokumentacionit dhe të procesverbalit të dorëzimit të tij, sipas afateve të parashikuara në legjislacionin në fuqi.

LEXO EDHE  Covid-19 rikthehet në Kuçovë/ Infektohet edukatorja e kopshtit me fëmijën e saj 5 vjeç

Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, nën juridiksionin e të cilit ndodhet shkolla, ka për detyrë:
a) të ngrejë grup pune brenda 3 (tri) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi dhe të marrë masat për mbylljen e veprimtarisë së institucioneve arsimore private parauniversitare, “Memorial International School of Tirana (MIST)”.
b) Të marrë masat për transferimin e nxënësve në institucione të tjera të arsimit parauniversitar për të gjithë nxënësit e regjistruar në këto institucione arsimore;
c) Të administrojë dokumentacionin lidhur me veprimtarinë mësimore të kryer nga këto institucione arsimore private parauniversitare.

Institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar të marrë të gjitha masat sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

Vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.25, datë 28.1.2002, “Për dhënien e lejes së funksionimit të institucionit arsimor jopublik, “Memorial International School of Tirana””, nr.545, datë 3.8.2005, “Për dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor jopublik parauniversitar, shkollë 9-vjeçare, cikël i lartë “Memorial International School”, që do ta zhvillojë mësimin edhe në gjuhën angleze””, si dhe nr.134, datë 8.3.2006, “Për dhënien e lejes për hapjen e institucionit arsimor privat parauniversitar, si shkollë e mesme e përgjithshme, e profilizuar “Memorial International School”, që do ta zhvillojë mësimin edhe në gjuhën angleze”, shfuqizohen.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular