BallinaKryesorePS, tjetër skemë për të mos hapur listat. Çfarë është herësi me...

PS, tjetër skemë për të mos hapur listat. Çfarë është herësi me 10 mijë vota dhe pse nuk ka rëndësi në 4 qarqe

ARDIT HOXHA/ Dje, pak para se të niste mbledhja e Komisionit të Ligjeve, Partia Socialiste paraqiti disa amendime në draftin për ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor si përshtatje e ndryshimeve kushtetuese të 30 korrikut.

Në ndryshimet e propozuara dhe më pas të votuara në Komisionin e Ligjeve me votat e deputetëve të PS-së dhe të disa opozitarëve, nuk ishte marrë në konsideratë në asnjë pikë çështja e koalicioneve parazgjedhore.

Të vetmet çështje që ishin cekur në këto amendime që propozoi dhe votoi dje PS-ja, kishin të bënin me uljen e pragut zgjedhor nga 3% në 1%, dhënien e mundësisë për kryetarët që të kandidojnë në 4 qarqe të ndryshme, si dhe një modifikim në formulën e shpërndarjes së mandateve.

SHPËRNDARJA E MANDATEVE

Për shpërndarjen e mandateve në draftin e djeshëm të Partisë Socialiste herësit të votave që merr partia me numrin e deputetëve në një qark, i shtohet edhe një prag prej 10 mijë votash.

“Parashikohet që renditja e kandidatëve që përfitojnë mandat ndryshon nëse kandidati ka marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti sipas nenit 162 të këtij Kodi, por jo më shumë se 10000 vota”, thuhet në amdendimin që iu bashkua draftit të PS-së për ndryshimin në Kodin Zgjedhor. Thënë ndryshe, me anë të këtij amendimi në formulën për shpërndarjen e mandateve të bërë dje nga PS-ja, kandidatëve që do të jenë poshtë listës fituese të partisë së tyre në një qark të caktuar, do t’iu mjaftojnë 10 mijë e 1 vota preferenciale për të marrë mandatin.

Për shembull, nëse partia x ka fituar 5 mandate në qarkun e Korçës dhe herësi për çdo mandat, në bazë të votave për partinë do të jetë 11 mijë, kandidatit që do të jetë i renditur i gjashti në listë i jepet mundësia që ta marrë mandatin me 10 mijë e 1 vota, pa pasur nevojë që të kapë herësin e votave që janë dhënë për partinë. Por ky “favor” që jepet me këtë ndryshim mund të rezultojë i padobishëm në disa qarqe për kandidatët që renditen poshtë në listë nga kryetari i partisë. Gazeta “Panorama” ka bërë përllogaritjen e votave që i janë dashur Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të nxjerrë mandatet në 12 qarqet në zgjedhjet e 2017-ës.

llogaritja e mandateve sipas qarqeve

Sipas rezultateve që prodhuan zgjedhjet e 2017-ës, del se në qarqet Durrës, Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër, një kandidati jashtë listës fituese nuk do t’i shërbente pragu i 10 mijë votave, pasi herësi ka qenë më pak se 10 mijë vota për një mandat. Në rastin e opozitës, bazuar në rezultatet e 2017-ës, një kandidati të PD-së jashtë listës, pragu prej 10 mijë votash nuk do t’i shërbente në qarqet Shkodër, Vlorë, Gjirokastër dhe Durrës.

SONDAZH BRENDA LISTËS

Përtej këtij ndryshimi në formulën e shpërndarjes së mandateve, në draftin e djeshëm të PS-së hapet lista brenda pjesës që e merr mandatin, duke dhënë mundësinë që qytetarët përmes votës preferenciale të rirendisin deputetët e qarkut të tyre ndryshe nga sa i ka vendosur kryetari. Pra brenda 5 deputetëve që partia x fitoi në Korçë në bazë të votave që ka marrë si subjekt politik, vota preferenciale mund ta ndryshojë renditjen, dhe ai që ishte i pari, mund të shkojë i pesti, dhe i pesti të shkojë i pari nëse merr më shumë vota preferenciale, duke ngjasuar kështu me një formë sondazhi që bëhet nga votuesit për deputetët e preferuar.

PRAGU Ndryshimi tjetër që ishte në draftin e djeshëm të PS-së kishte të bënte edhe me pragun zgjedhor. Ky i fundit, nga 3% në rang kombëtar që kërkohej fillimisht në dokumentin që u prezantua në Këshillin Politik, këtë herë u ul duke shkuar në 1%, aq sa edhe kishte kërkuar opozita parlamentare përmes amendimeve që propozoi Myslim Murrizi javën e shkuar.

KRYETARËT E PARTIVE

Ndërkohë, një risi që iu shtua draftit të PS-së për ndryshimet në Kodin Zgjedhor kishte të bënte me mundësinë që iu jepet kryetarëve të partive. Këtyre të fundit, sipas draftit që kaloi dje në Komisionin e Ligjeve, iu jepet shansi që të kandidojnë për deputet në 4 qarqe të ndryshme. Edhe kjo pikë ishte një nga pajtimet e PS-së me opozitën parlamentare, e cila kishte kërkuar në fillim mundësi për të kandiduar në 2 qarqe, por edhe pse gjatë mbledhjes kërkoi në të 12-të qarqet, nga maxhoranca socialiste u pranua që kryetarët të mund të kandidojnë në 4 qarqe. PANORAMA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular