Bashkia e Kolonjës ka proceduar në harkun kohor të një viti 17 prokurime dhe 15 prej tyre janë zhvilluar pa garë. Sipas të dhënave në APP në 8 raste janë skualifikuar të gjithë përveç fituesit ndërsa në 7 të tjera ka marrë pjesë vetëm një subjekt duke u shpallur automatikisht fituesi.

Që nga korriku i vitit të shkuar kur Erion Isai mori detyrën si kryebashkiak i Kolonjës, ky institucion ka zhvilluar 17 prokurime nga të cilat  15 janë zhvilluar pa garë.

Sipas të dhënave të publikuara në APP këto kontrata kapin vlerën e rreth 544 milionë lekëve.

Por procedura e ndjekur që konstatohet më shpesh është ajo e skualifikimit të gjithë konkurrentëve përveç fituesit.

Në këtë mënyrë është vepruar për tetë prokurime dhe në katër prej këtyre rasteve kompanitë pjesëmarrëse nuk kanë paraqitur ofertë.

Ndërkohë që nuk mungojnë as rastet kur merr pjesë vetëm një kompani që automatikisht shpallet dhe fituesja.

Nga të dhënat një procedurë e tillë është konstatuar në 7 raste, një prej të cilave është kontrata e shtatorit të këtij viti.

Për kontratën me objekt ‘Shfrytëzim i materialit drusor të pyjeve shtetëror në Bashkinë Kolonjë, viti 2020-2021’ ka marrë pjesë vetëm Thaka/G sh.p.k që automatikisht është përzgjedhur më pas dhe fituesi me vlerën 15.6 milionë lekë.

Ora News e ka ngritur vazhdimisht çështjen e procedurave të ndjekura në prokurimet publike nga institucionet ndërkohë që ana e organeve të drejtësisë nuk është marrë akoma asnjë masë.