BallinaOP EDCa a ca çirren për një klasë të re politike... Po ku...

Ca a ca çirren për një klasë të re politike… Po ku ta gjejmë, se?

Nga Eden Babani, Bruksel 

Dje, më erdhi një video nga ato që janë bërët të modës e që fluturojnë celular më celular për shaka, por edhe për të shënjestruar njërin ose tjetrin krah të spektrit politik. Asgjë të keqe s’ka në këtë mes. Shakaja dhe politika janë pjesë të jetës. Secili bën zgjedhjen e vet dhe, nga këndvështrimi i vet, e sheh e kënaqet ose mbledh buzët dhe e fshin.

E keqja është me ca video thikë me dy presa, që në dukje krijojnë përshtypjen sikur therin njëherësh të dyja anët. Ato janë të rrezikshme, jo vetëm se shpeshherë nuk interpretohen saktë, por sepse synojnë drejtpërdrejt fashën e elektoratit të pavendosur. Pra, qesh e ngjesh, njëherësh neutralizo ç’të mundesh e si të mundesh, digj vota sa të djegësh, godit e përça sa të ha krahu për llogari të atij që po jep shpirt politikisht.

E tillë, – thikë me dy presa, – ishte videoja që më dërgoi kushëriri im, Eduardi.

Demokrat e antikomunist nga maja e flokëve deri te thonjtë e këmbës, i internuar dhe i përndjekur si ai, me pjesëtarë të familjes të pushkatuar e të burgosur që, po t’i mbledhësh vitet e burgut, kushedi sa bëjnë, im kushëri e kishte keqinterpretuar brendinë. Kishte pandehur sikur dikush donte të tallej me kreun rilindës, i cili e ka humbur toruan përballë dështimeve që variojnë nga buxheti i shtetit dhe xhepi i qytetarëve, deri te shëndeti dhe menaxhimi skandaloz i situatës epidemike që po i përlan njerëzit tufë-tufë, pa llogaritur ata që hidhen nga ballkonet e spitaleve për qejf, si “njeriu merimangë”.

Videoja sillte pamje të filmuara nga salla e Parlamentit, përpara se opozita ta braktiste atë.

Katër-pesë sekonda, paraqitej lideri rilindës në foltore, veshur sportiv, i qetë dhe me një buzëqeshje ironike. Katër-pesë sekonda të tjera, shfaqej po ai, por nga një tjetër pozicion dhe i veshur ndryshe, duke bërë grimasa e duke belbëzuar “të-të-të-të…”, pa thënë gjë prej gjëje. Katër-pesë sekondat e fundit, shfaqeshin ish-opozitarët të ngritur nga vendet e tyre, duke bërë Ou-u! Ou-u!… thua se do të synonin foltoren. Të njëjtat pamje përsëriteshin disa herë.

U lidha në telefon me tim kushëri. Ia thashë pikëpamjen time dhe interpretimin e videos nga këndvështrimi im. Nuk bindej. I kishte mbetur mendja te surrati që bënte “të-të-të-të…”, siç rëndom përqesh gazetarët në studio, deputetët në parlament dhe këdo që e vë në pozitë të vështirë si politikan e si njeri.

Më vjen keq që s’po më kupton, i thashë. Krahaso dy surratet, atë që buzëqesh qetë e me ironi, me surratin që përqesh ata që e akuzojnë. A e sheh kë ka përballe? Kjo do të thotë se opozitarët a paragjykojnë liderin global dhe e sulmojnë kuturu pa nxjerrë nga goja as edhe një fjalë.

Kushëriri i futi një e-hu!… dhe e mbylli telefonin.

Nuk më shqetësoi shtraku i telefonit.  Mes nesh, asgjë s’mund të krijojë krisje sado të vogël.  Jemi moshatarë, jemi rritur bashkë, mbajmë të njëjtin mbiemër dhe kemi kaluar nëpër dallgët e luftës së klasave që fëmijë.

* * *

Qysh se Presidenti caktoi 25 prillin e ardhshëm si dita e zgjedhjeve të përgjithshme, ka filluar në një farë mënyre edhe fushata elektorale. Gjatë kësaj kohe, kam vënë re një aktivizim të çuditshëm analistësh, gazetarësh dhe artikuj shkruesish të tjerë, të cilët hiqen të paanshëm politikisht, por dihet se ku ngjyejnë. Nuk është se këta tipa kanë dalë sot dhe duhet ca kohë që t’i njohësh. Kanë qenë shfaqur me kohë në mediat e përditshme. Çudia është riaktivizimi i tyre i vrullshëm.

Mua s’ma do mendja se me të vërtet gjen ndonjë të tillë, të pavarur, në publicistikën tonë të sotme. Për mua, të tillët janë të ndërgjegjësuar plotësisht për atë çka shkruajnë, janë në përputhje të plotë me bindjet politike që i udhëheqin. Ka edhe nga ata që shkruajnë me porosi. Por, në krahasim me të parët, të dytët janë të neveritshëm, sepse nuk udhëhiqen nga ideale, por nga interesa meskine.

Kinse të pavarur, të dy kategoritë rrezikojnë më shumë opozitën, sesa pozitën qeverisëse, përderisa synojnë elektoratin e pavendosur me argumentin joshës sikur klasa politike ekzistuese është e konsumuar. Të mos harrojmë se sulmi është thellësisht politik, madje bash tashti, kur opozita po fiton gjithnjë e më tepër terren në elektorat.

Hidh gurin e fshih dorën, ata kërkojnë me zë të lartë një klasë të re politike.

Ta zëmë se është kështu dhe së ardhmes i duhen profile të reja dhe energji të reja për të qeverisur vendin. Mirëpo nuk na thonë ku dhe si ta gjejmë atë klasë të re politike. Ta zbresim nga qielli apo të ngremë të vdekurit nga varret?

Që politika e çdo kohe ka përzgjedhur dhe do të përzgjedhë fytyra të reja, kjo s’ka pikë dyshimi. Është përvojë e përbotshme. Ama, jo qiqra në hell. As hap thesin dhe nxirr ç’të zë dora.

Për vete, e shoh ndryshe problemin. Klasa politike nuk gjykohet nga vjetërsia, por nga arritjet e mosarritjet. Nga ky këndvështrim, edhe rrotacioni politik, çka çasti historik e kërkon domosdoshmërisht.

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular