BallinaKryesoreKapja e shtetit dhe llogaridhënia te ndërkombëtarët

Kapja e shtetit dhe llogaridhënia te ndërkombëtarët

Nga Bujar Leskaj

Shtatë vite e katër muaj të qeverisjes së Edi Ramës kanë shkaktuar zhvendosje tektonike të pllakës së demokracisë sonë, duke krisur shtyllat e shtetit shqiptar dhe minuar bazat ekonomike dhe sociale të qytetarëve të këtij vendi. Megjithatë, dëmet e jashtëzakonshme të shkaktuara nga kjo keqqeverisje janë ende edhe sot të vështira jo vetëm për t’u analizuar, por edhe për t’u konstatuar. Kjo ndodh për shkak të propagandës së përditshme, trullosëse dhe të kapilarizuar të qeverisë, e cila ka shpenzuar me dhjetëra-miliona euro gjatë këtyre viteve për të dalë ndryshe nga ç’është në sytë e shqiptarëve. Fatmirësisht, për të parë mbretin lakuriq, për të ditur të vërtetën e plotë të qeverisjes në këto ditë, na ndihmojnë filtrat objektivë dhe optika e pagabueshme e partnerëve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë.

Sot, institucione të rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së dhe BE-së, si dhe forume të “think-tank”-ëve, instituteve dhe organizatave prestigjioze ndërkombëtare, pavarësisht nga individualiteti, vendndodhja ose përkatësia institucionale dhe organizative, bashkohen në gjetjet e tyre mbi zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit, të cilat janë korrupsioni i shndërruar në sistem, pastrimi i parave, rritja e borxhit publik përmes PPP-ve dhe koncesioneve të pakërkuara, kapja e plotë e shtetit.

Pas raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve, indeksit vjetor të Institutit të Bazelit, raportit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të trajtuara në një shkrim të mëparshëm të datës 3 dhjetor me titull “Nota jokaluese e institucioneve ndërkombëtare për qeverinë”, ku theksova se vënia e interesit të sektit të Kryeministrit në fuqi mbi interesat publike të vendit po e shkatërron të ardhmen e shqiptarëve, shfaqja e disa raporteve nga organizata të tjera ndërkombëtare më shtyu që t’u referohem këtyre analizave objektive, përpara të cilave zbërthehet dimensioni më i zi i qeverisjes Rama, që është kapja e plotë e shtetit nga një grup sipërmarrësish mbizotërues në treg (oligarkësh), ose edhe nga një oligark i vetëm.

Konkretisht, organizata prestigjioze “Transparency International” (TI) në raportin për vitin 2020 me titull “Ekzaminimi i Kapjes së Shtetit”1 , thekson se Shqipëria është e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor për numrin e “ligjeve të qëndisura”, të bëra me porosi për grupe ose persona të caktuar. “Transparency International” ngre alarmin se në Shqipëri po shkohet drejt një situate ku do të konsiderohet i paligjshëm denoncimi i të paligjshmes: “Ligjet e qëndisura posaçërisht për një ose disa persona vulosin dhe legjitimojnë privatizimin e institucioneve dhe burimeve publike duke e bërë atë të ligjshëm. Ligje të tilla jo vetëm që dekriminalizojnë kapjen e shtetit por, pasi miratohen, e bëjnë më të vështirë luftimin e kapjes së shtetit, sepse përpjekja do të perceptohet si mosbindje ndaj ligjit” (faqe 16 e Raportit). Ligji për lojërat e fatit dhe koncesioni për ndërtimin e autostradës Milot-Balldren janë dy nga shembujt që përmenden në raport, për të ilustruar ligjet, përmes të cilave synohet kapja e plotë e shtetit dhe vënia e tij në shërbim të interesave të një grushti kompanish të lidhura me kreun e qeverisë ose me sekserë e “agallarë” të tij, kompani që pasurojnë sektin Rama dhe varfërojnë shqiptarët.

Në ligjin për lojërat e fatit të vitit 2015, “Transparency International” denoncon se fillimisht ishte parashikuar që taksa mbi lojërat e fatit të ishte 25%, numri i sipërmarrjeve 500 dhe të vendosura të paktën 200 metra larg institucioneve edukuese dhe fetare. Por 24 orë para sesionit plenar parlamentar, ligjit iu bënë ndryshime, duke rezultuar në uljen e taksës nga 25% në 15%, rritjes e numrit të sipërmarrjeve nga 500 në 1000 dhe uljen e distancës minimale mes tyre, nga 200 m në 100 m (faqe 17 e Raportit).

Në denoncimin për koncesionin e autostradës Milot-Balldren, raporti i “Transparency International” thekson se “në qershor 2018, Këshilli i Ministrave i dha një kompanie pikë bonus prej 8.5 përqindësh dhe në tetor Ministria e Infrastrukturës njoftoi një koncesion 13- vjeçar për ‘A.N.K Shpk’ për ndërtimin e rrugës 17.2 km Milot-Balldren. Ligji u miratua në korrik 2019 për këtë qëllim. Për punën, kompania do të ngarkojë 256 milionë € (15 milionë € për km), më shumë se dyfishi i shumës që qeveria e Shqipërisë kishte parashikuar për ndërtimin e rrugës në Strategjinë Sektoriale të Zhvillimit të Transportit 2016-2020. Megjithatë, qeveria alokoi një shtesë prej 44 milionë € për projektin në planin e saj buxhetor afatmesëm, duke rritur koston totale në gati 300 milionë €. Institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) zbuloi një rritje artificiale në kostot e projektit të krijuar, duke e kualifikuar projektin si një “autostradë” në vend të një “rruge ndërurbane”, me një shtim, për pasojë, të çmimit nga 61.5 milionë € në 140 milionë € në studimin e fizibilitetit” (faqe 18 e Raportit).

Mes këtyre ligjeve, të cilat Raporti i “Transparency International” i cilëson “tailor-made laws”(në shqip “ligje të qëndisura, të porositura si te rrobaqepësi”) bën pjesë edhe ligji për dividendin me nr. 94/2018 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438 ‘Për tatimin mbi të ardhurat, të ndryshuar”. Në kundërshtim flagrant me Nenin 155 të Kushtetutës, ku përcaktohet se ligjet mbi tatim-taksat, detyrimet financiare etj., nuk kanë fuqi prapavepruese, sekti Rama arriti të përfshinte në nenin 9 të ligjit një dispozitë që e ulte tatim-fitimin nga dividendi nga 15% në 8%, duke i dhënë efekt prapaveprues.

Në raportin e zbatimit të buxhetit faktik të shtetit për vitin 20182 (faqe 130-133), Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se ky ligj ka krijuar pabarazi fiskale në raport me individët apo aksionerët, të cilët e kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017, ndërsa disa kompani të mëdha, duke e ditur përpara, kanë pritur ndryshimin ligjor favorizues për tatimin mbi dividendin. Kështu, të ardhurat e derdhura nga tatimpaguesit për dividendin deri më 20 gusht 2019 janë gjithsej 7.8 miliardë lekë, krahasuar me vetë 3.6 miliardë lekë për vitin 2017 dhe 3.1 miliardë lekë për vitin 2016. Dhe nga 7.8 miliardë lekë të dividendit të shpërndarë në vitin 2019, rreth 2.6 miliardë lekë u përkasin vetëm 5 kompanive që kanë kontributin më të lartë në zërin e të ardhurave “Dividend”. Thënë ndryshe, ndryshimi i ligjit mbi dividendit ka favorizuar drejtpërdrejt dhe kryesisht vetëm 5 kompani, në kurriz të të ardhurave për buxhetin e shtetit. Del qartë se këto kompani “porositëse” të ligjit, nuk e tërhoqën qëllimisht dividendin deri në gusht të vitit 2018 (në kohën kur tatimi mbi dividendin, sipas ligjit të porositur, u ul në 8%). KLSH konkludon se fuqia prapavepruese e këtij ligji për diferencën 7% (15% – 8% ndryshim në nivelin e tatimit mbi dividendin) përbën të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit.

Tjetër dimension i kapjes së shtetit është shndërrimi i Shqipërisë në qendër të pastrimit të parave dhe përdorimi i PPP-ve si “lavatriçe”. Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studimet Ballkanike (IFIMES), me qendër në Lubjanë, ka botuar në 19 dhjetor një raport analitik me titull “Edi Rama takes Albania closer to Latin America, not EU” (Edi Rama po e afron Shqipërinë me Amerikën Latine, jo me BE-në3 . Ky raport, duke analizuar ngjarjet politike dhe ekonomike për vitin 2020 në Shqipëri, cilëson se “megjithëse në 2013-ën me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, kryetar i Partisë Socialiste dhe kryebashkiak i Tiranës për shumë vite, pritej që vendi të lulëzonte, në fakt ndodhi krejt e kundërta. Ndërsa në dy vitet e para të mandatit si Kryeministër u regjistruan disa ndryshime pozitive, fill më pas ndryshime drastike ndodhën me shpërthimin e krimit (të organizuar) dhe korrupsionit”. IFIMES ndër të tjera thekson se pastrimi i parave dhe PPP-të po e çojnë Shqipërinë drejt falimentimit. Sipas IFIMES, Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar ka zbuluar se gjatë periudhës 2017-2019 vetëm në Tiranë u pastruan rreth 1.6 miliardë euro në sektorin e ndërtimit, ndërsa projektet e PPP-ve, përveçse kanë shërbyer edhe si lavatriçe parash, e kanë katapultuar borxhin e Shqipërisë (duke përfshirë edhe atë të fshehur) nga 63% në 2013- ën në 95.7% në 2020-ën. Raporti i IFIMES del me konkluzionin se “largimi i Edi Ramës është shpëtim për Shqipërinë” (faqe 6 e Raportit).

Kapja e plotë e shtetit tonë në lëmin ekonomik, e denoncuar fuqishëm këtë dhjetor nga raportet e mësipërme, të sjell në vëmendje shprehjen e njohur “është ekonomi, o budalla” të James Carville, strategut të shquar të fushatës presidenciale të ish-Presidentit të 42-të SHBA-së, Bill Klinton. Qeveri Rama e ka kuptuar së prapthi këtë shprehje, që në fakt është aksiomë sa politike dhe ekonomike e logjikës së veprimit të një qeverie brenda kornizës së shtetit të së drejtës. Qeveria Rama kupton vetëm ekonominë për sektin oligarkik të Kryeministrit, duke e kthyer Kuvendin në një “rrobaqepësi” ligjesh për oligarkët, në dëm të ekonomisë së vendit dhe qytetarëve.

Në historikun 30-vjeçar të demokracisë sonë të brishtë, asnjëherë nuk kemi pasur një qeveri kaq të komentuar me nota negative nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, sa qeveria Rama. Kur ndërkombëtarët humbasin besimin te një qeveri dhe e demaskojnë atë si grupim për kapje të shtetit, kumti që përcillet është një dhe i vetëm: kjo qeveri jo vetëm që e ka humbur besimin e qytetarëve të saj, por largimi i saj është një domosdoshmëri për frymëmarrjen demokratike dhe integrimin në BE të Shqipërisë.

1 https://images.transp arencycdn.org/ images/2020_Report_ExaminingState Capture_English.pdf 2 http://www.klsh.org.al/web/ Raport_per_Zbatimin_e_Buxhetit_ te_Shtetit_te_Vitit_2018_4092_1.php 3 https://www.ifimes.org/en/9947

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular