BallinaOP ED25 Prill… Shqipëria fiton zgjedhjet dhe shtetin e së drejtës

25 Prill… Shqipëria fiton zgjedhjet dhe shtetin e së drejtës

Nga Ardit Gjinali

Në rendet që paraprijnë autokracinë, humbin të gjithë pavarësisht dritëshkurtësisë politike të ndonjë kahu politik që brohoret fitoren mbi humbëtirë… marshimi i së keqes përmes zhurmës është reagimi që ndjell frika e të ndjerit vetëm; zhurma e gënjeshtërt që rreket të tregojë gjithë miratimin e dëshiruar dhe që mbulon mbështetjen e munguar; zhurmë e madhe për të mundur zërin e ndërgjegjes së brendshme të pushtet-ushtruesve, e tilla që gjëmon duke u kërkuar tërheqjen nga humbëtira që sjell vetmia politike. Secili ka humbur diçka apo shumëçka gjatë kësaj periudhe të errët, por energjia për ndryshimin mbetet e pandryshuar; e tilla dëshmon Shqipërinë që nuk tjetërsohet dot.

Qytetari humbi zërin e përfaqësimit, shoqëria humbi të tillin zë të reagimit, e tashmja humbi të ardhmen, pushteti zaptoi shtetin duke humbur arsyen, pushtet-ushtruesi humbi ndërgjegjen, Republika ka humbur solemnitetin, Parlamenti ka humbur legjitimitetin, shtetari humbi dinjitetin shtetëror, e tashmja humbi të ardhmen kurse e shkuara fitoi vetveten përmes evokimit të secilës praktikë negative që cenoi kohezionin dhe stabilitetin shoqëror, gjithashtu. Rendi i mbrapshtisë qeverisëse i rrëmbeu zgjedhjet Shqipërisë për të vjedhur shpresën për të ardhmen dhe besimin në të tashmen; këto vite qeverisjeje shënojnë kronikën dramatike të deformimit tërësor të vullnetit qytetar, të tillin në një numër të caktuar njësish vendore dhe në zgjedhjet parlamentare, gjithashtu.

Zgjedha keqqeverisëse që rreket të vendosë tërësisht nën hyqmin e absolutizmit tërësinë e një vendi dhe shoqërie i rrëmbeu Shqipërisë zgjedhjet dhe dhuroi për vetveten politike votimet moniste; të tillat që ishin shfaqja groteske në kontekstin e një sistemi demokratik funksional, por dramatike në kufijtë e tragjikes për prosperitetin demokratik të një shoqërie. E shkuara e afërt nuk mund të kushtëzojë veprimin e së tashmes që është i mbrujtur në besimin për ndryshim; besim për t’i kthyer Shqipërisë zgjedhjet e rregullta dhe demokratike si kushti themelor për të garantuar një prosperitet shoqëror, i tilli që nuk garantohet nga një stabilitet i gënjeshtërt demokratik që ngrihet mbi cenimin e vullnetit qytetar. Cenimi i vullnetit qytetar nuk shkaktoi humbjen e një partie politike të caktuar, i tilli ishte guri që vrau të drejtën përmes ligjit dhe drejtësisë që është shndërruar në një nocion abstrakt ose emërtesë shoqëruese ballinave të institucioneve që gëlojnë nga padrejtësia.

Shqipëria ka nevojë për shtetin e së drejtës dhe i tilli nuk fitohet dot nëse nuk shpëtohen zgjedhjet; të tillat që shpëtohen nga një pjesëmarrje masive që do të përmbyste secilën llogari të tryezave që tremben nga reagimi qytetar përmes votës. Një votë për të rivendosur përfaqësimin dhe për t’i kthyer Shtetit fytyrën e dinjitetshme që është rrëmbyer nga arkaizmi dhe arbitrariteti pushtetor… për shtetin që nuk mund të jetë llogorja e betejave të pushtetit për të mbrojtur sundimin mbi qytetarin përmes kufizimit të secilës liri… për t’i kthyer dinjitetin secilit punonjës shteti që nuk mund të urdhërohet për gjobëvënie selektive, arrestime të paligjshme apo gaz lotsjellës të derdhur mbi bashkëqytetarët.

25 Prilli është dita dhe data që Shqipëria fiton zgjedhjet dhe përmes të tillave fiton shtetin e së drejtës, zbatueshmërinë e ligjit dhe një ndryshim thelbësor me ditë më të mira ku një besim i palëkundur për një shpresë të re është thelbi i energjisë pozitive për një bashkim të madh; bashkim i madh për Shqipërinë e normalitetit me një qeveri dhe Kryeministër normal, gjithashtu. Koha për një bashkim të madh për ditë më të mira në një Shqipëri që fiton është tani! Bashkë sepse ka ende shpresë…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular