Sot Kosova feston ditën e Pavarësisë dhe emisioni “Shqipëria Live” në Top Channel, ka bërë një puntatë dedikuar historive të tmerrshme të ndodhura gjatë luftës së Kosovës
Një ndër këto histori, është ajo e familjes Muqolli, ku kanë ndërruar jetë 57 pjesëtarë të një fisi. Xhavit Muqolli është i mbijetuari i familjes Muqolli dhe sot ishte i ftuar në studio për të rrëfyer historinë e familjes së tij.
Muqolli rrëfen se si dy policisë kanë shkuar në shtëpinë e tij dhe kanë ekzekutuar të gjithë ata që ishin brenda.
“17 prilli ka qenë ditë me shi, e gjatë rrugës janë kthyer në shtëpi për të ndërruar rrobat. Rreth orës 4.30 kanë shkuar dy policë, të cilët i kanë nxjerrë jashtë dhe i kanë numëruar. I kanë futur brenda e më pas janë larguar. Janë kthyer sërish dhe kanë ekzekutuar nënën e një tjetër 100 metra larg shtëpisë. U kthyen sërish dhe hapën derën e panë a janë të gjithë brenda. Hodhën dy bomba dhe nisën ekzekutimin me armë kallashnikov. Pas përfundimit të karikatorëve, kanë nxjerrë revolen dhe kanë gjuajtur sërish ndaj atyre që kanë lëvizur. Pasi u siguruan se janë të gjithë të vdekur janë larguar. Më pas ata që kishin shpëtuar, janë ngritur dhe janë larguar nga aty”, përfundoi Xhaviti.