BallinaOP EDA është Basha partneri i Perëndimit në Shqipëri?

A është Basha partneri i Perëndimit në Shqipëri?

NGA FITIM ZEKTHI

Qeverisja, kur është duke ecur mirë, i ka treguesit bazë të efikasitetit dhe rezultateve, të sundimit të ligjit dhe të llogaridhënies të fuqishme. Kur ajo ecën keq, këta tregues dobësohen, rezultatet bëhen të këqija, sundimi i ligjit shkatërrohet dhe qeveria nuk jep llogari për asgjë.
Si çdo sistem, edhe qeverisja ka mekanizmat e veta të vetërregullimit dhe në qoftë se këto mekanizma nuk mundin më të vetërregullojnë sistemin, atëherë ajo nis vdekjen e ngadaltë (nëse nuk ka aksidente, d.m.th., skandale të rënda). Studiuesi Charles Horton Cooley thotë në momente të tilla se qeverisjet kapen nga s’munden, si “kanceri”. Siç ndodh me qelizat kancerogjene, ashtu ndodh edhe me qeverisjet kur ato nisin vdekjen. Qelizat kancerogjene në origjinë janë qeliza me funksione të rëndësishme jetësore në organizëm, madje me funksione për të mbrojtur organizmin. Këto qeliza në një moment të caktuar fillojnë të sillen ndryshe (për shkaqe të shumta, por sidomos për shkaqe që lidhen me mënyrën abuzive të të jetuarit), ndryshojnë funksion, nuk i shërbejnë më organizmit, veprojnë krejt në “kokë të tyre” në mënyrë ekstremisht “egoiste”, sulmojnë fort vetë organizmin dhe gjithë qelizat e tjera. Ato, duke qenë se janë brenda organizmit, e njohin mjaft mirë organizmin, arrijnë t’i mbijetojnë reagimit të tij dhe e marrin atë gradualisht në kontroll, duke përhapur metastaza kudo derisa e vrasin. E njëjta gjë ndodh me qeverisjet kur ato apo entitete të tyret nuk veprojnë në përputhje me funksionet, nuk veprojnë për të forcuar sundimin e ligjit dhe të llogaridhënies, nuk punojnë që qeverisja të ketë synim jetën e njerëzve, ligjin, të drejtën dhe llogaridhënien. Shkurt, ministra, zyrtarë, drejtorë, Kryeministri, prokurorë, etj., punojnë kundër funksioneve legale të qeverisë. Veprimi dhe pushteti i tyre kundër qeverisjes dhe ligjit rritet dhe ajo që ata përfaqësojnë përhapet në të gjitha institucionet si metastaza.

Pa u zgjatur shumë, është e qartë se po të nisësh dhe të analizosh qeverisjen e Kryeministrit Rama, do të shohësh me lehtësi se ajo nuk është thjesht një qeverisje e keqe apo një qeverisje me probleme, por një qeverisje, në të cilën metastazat e këtij kanceri kanë shkatërruar sundimin e ligjit, llogaridhënien e qeverisë, kanë vënë në krye vetëm egoizmin e anëtarëve me rol të fortë në qeverisje.

Kjo është e qartë. Qeverisja e Ramës nuk ka më asnjë mundësi të vërë në punë mekanizmat e vetërregullimit të organizmit për të vepruar dhe ta shpëtuar organizmin, pra, qeverisjen. Nëse do të vepronin këta mekanizma (të cilët vdesin të parët), do të duhej të bëheshin hetime për koncesionet, për manipulimin e zgjedhjeve, për arsyet e kandidimit dhe futjes në Parlament të njerëzve që vijnë nga trafiku i drogës, për shkallën e depërtimit të krimit të organizuar në ekonomi, për pastrimin e parave etj.

Në këto kushte, kur qeverisja ka rënë në këtë gjendje të rëndë, kushdo përpiqet të shohë apo rregullojë raportin e tij më qeverisjen, me diçka që po shkon drejt vdekjes. Sa i takon votuesit, është e qartë se kushdo po bën hesapet (të cilat duket i ka bërë ka kohë). Veç atyre që kanë një interes personal pune apo biznesi, veç atyre që kërcënohen nga qeverisja me bukën e gojës apo diçka tjetër, veç bazës së përhershme militante, zor se gjen të tjerë me vetëdije politike që mund të mbështetet te Rama apo mbështesin më Ramën. Këtë gjë po e bën shoqëria, biznesi, edhe të gjithë faktorët e tjerë.

Ka rreth dy vite që ka gjithnjë e më shumë edhe një qartësim të pozicionit të Bashkimit Europian dhe të vendeve, me të cilat Shqipëria ka marrëdhënie, të cilat me shumë takt po japin sinjale se e konsiderojnë qeverisjen e Ramës një të sëmurë me kancer. Duhet thënë se në fillim të mandatit të parë, Rama shihej si një partner, me të cilin BE-ja dhe vendet e tjera do të punonin. Veç faktit që ky ishte një vullnet i shqiptarëve (Rama fitoi zgjedhjet) ata duket se e shihnin Ramën si njeriun e duhur në atë moment. Nuk mund të fshihet një lloj besimi i shumë zyrtarëve të lartë europianë ndaj Ramës në mandatin e parë.

Kur qeverisja e Ramës nisi të shfaqë shenjat e para se po sëmurej keq, nisën edhe sinjalet që kërkonin mjekim të saj. Bëhet fjalë për trafikun e drogës me avionë, mbjelljen e hashashit masivisht ku nisën kritikat, kërkesat, dyshimet. Pastaj doli çështja e dekriminalizimit dhe e mbushjes së Parlamentit me njerëz që vinin nga trafiku. Gradualisht, në mandatin e dytë, Rama nisi të bjerret gjithandej. Në fillim ishte çështja e dyshimit të përfshirjes së Tahirit në trafik droge. Më pas ishte çështja e ministrit Xhafaj, më pas ishte përfshirja në “negociata” për kufijtë Kosovës. Më pas ishin qëndrimet e FMN-së dhe BB-së për klimën në ekonomi, borxhin e lartë, koncesionet. Kulmi ishte kur për tre vjet me radhë qeverisë shqiptare nuk iu hapën negociatat për anëtarësim. Kulmi i kulmeve ishte kur në fillim Bundestagu dhe më pas Këshilli i BE-së vendosi kushte për hapjen e negociatave. Këto kushte erdhën duke u rritur. Ato ishin dhe janë të parealizueshme nga Rama. Ato kërkojnë reformë zgjedhore të përbashkët me opozitën, që Rama e prishi, ato kërkojnë hetim të dosjeve të manipulimit të votave, ato kërkojë hetim të korrupsionit, hetim të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, ngritje të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë etj. Këto janë kushte, të cilat mund t’i vendoseshin fare mirë një qeverie si ajo e Adil CCarccanit në 1989.

Rama, me mjete të mëdha propagande në këto 30 vite, ka dashur dhe ka mundur disi ta shesë veten si një europeist, si një njeri i vlerave të Perëndimit dhe i demokracisë liberale. Në fakt, ai këtë e ka bërë vetëm sepse kjo ishte një mënyrë për të fituar besimin e tyre. Kur nuk i bënte punë, ai ka vepruar ndryshe. Ai shpërtheu kundër ambasadorëve që kërkonin respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit. A shpërtheu edhe para pak ditësh kur iu kërkua të mos kandidojë njerëz që vijnë nga trafiku i drogës. Ai sulmon çdo eurodeputet kur ky e kritikon. Ai përqesh çdo gazetar të huaj apo çdo zyrtar europian që e kritikon. Sot ka një kor ndërkombëtar kundër Ramës, i cili është, në fakt, kundër qeverisë së tij plot me metastaza. Të tria shkollat kryesore të marrëdhënieve ndërkombëtarë (realiste, liberaliste, konstruktiviste) thonë se një vend do të donte që vendet e tjera, me të cilat ai do të ndërtonte marrëdhënie, të ishin si ai, të kishin vlera politike dhe morale si ai, të kishin parime si ai. Ky është një parim bazë dhe dominues në marrëdhënie ndërkombëtare. Rrëshqitja e qeverisjes së Ramës në këtë derexhe ku nuk ka mbetur sektor pa metastaza, ku sundimi i ligjit është një leviatan kundër njerëzve të dobët dhe një mbrojtës i qeverisë dhe korrupsionit, ku llogaridhënia e qeverisë është në fakt poshtërim ndaj qytetarëve dhe shkelm mbi ta, nuk ka asgjë të përbashkët me vlerat e lirisë apo demokracisë, nuk ka asnjë gjë të përbashkët me atë që mbron Bundestagu apo Merkel, që mbron Parlamenti Europian apo Këshilli i BEsë. BE-ja, SHBA-ja, siç kanë bërë gjithnjë, kudo kërkojnë partnerë që të kenë vlera si ata, që të ngjajnë me ata, që të mbrojnë parime politike të demokracisë liberale si të tyret.

Kryetari i PD-së, Basha, nga ana tjetër ka kohë që po ndërton një marrëdhënie pa zhurmë, të qëndrueshme me Bundestagun, qeverinë gjermane, qeveritë e vendeve të BE-së, parlamentarë të BE-së, diplomatë dhe zyrtarë të lartë amerikanë dhe të vendeve të tjera, përfshi Greqinë, Turqinë etj. Partitë Popullore Europiane që janë grupimi më i madh në BE kanë shprehur hapur besimin ndaj tij. Në çdo aspekt, Basha është një prerje tjetër nga Rama, është një prerje, për të cilën nuk mund të vihet kurrë në diskutim nëse i mbart apo jo vlerat politike të Bashkimit Europian apo të SHBAsë, nuk mund të vihet kurrë në diskutim largësia e tij e pamat ndaj mendësive totalitare apo neveria e tij ndaj delirantizmave për të hyrë në lojëra politike të mëdha ndërkombëtare.

Ka ndodhur gjithnjë që para zgjedhjeve, politikanë të lartë, të BE-së sidomos, të japin sinjale se cili është më afër vlerave të tyre, se cili do të ishte partneri i tyre i parapëlqyer. Ka pasur raste kur ata edhe kanë punuar që kjo të ndodhë. Rama në vitin 2013 bëri një tur në disa vende të Europës ku u takua me Presidentin socialist të Austrisë, Fischer, me Kryeministren daneze, Shmidt, me ish-Kryeministrin britanik, Blair. Pa dyshim që këto ishin takime domethënëse dhe tregonin se Rama po shihej si dikush që po shkonte drejt zyrës së Kryeministrit. Ato, sigurisht, nuk qenë takime të mëdha me zyrtarë të BE-së apo përfaqësues kancelarish të mëdha, por, gjithsesi, ishin një lloj shenje.

Dy ditë më parë, Basha zhvilloi takime pabesueshmërisht të rëndësishme në Kroaci dhe Slloveni. Takime të kësaj natyre dhe përmbajtjeje nuk janë bërë asnjëherë në këto tri dekada që pas 1992-it. Ai u takua me kreun e presidencës së ardhshme të BE-së. Basha mori aty, sipas asaj që tha shtypi, përkrahje për reformat e nesërme në Shqipëri, ndërkohë që Basha kërkoi ndihmë për integrimin dhe u zotua se do të jetë një njeri i besueshëm dhe mbrojtës i parimeve më të mira të demokracisë dhe bashkëpunimit me BE-në. Veç kësaj, Basha u prit nga Kryeministri i Kroacisë dhe nga ministri i Jashtëm i saj. U duk sikur për ta zgjedhjet në Shqipëri ishin zhvilluar.

Arsyeja e të gjithë këtyre takimeve ka të bëjë me faktin që në BE, mes zyrtarëve, kryeministrave, deputetëve, ka një nervozizëm për Shqipërinë. Rama i ka nervozuar, i ka gënjyer, ka marrë përsipër realizim kushtesh dhe nuk i ka bërë, ka marrë përsipër kuftë ndaj krimit dhe nuk e ka bërë, ka marrë përsipër luftën ndaj “metastazave” dhe nuk e ka bërë. Në Europë janë të bindur të gjithë se Rama nuk mundet t’i bëjë këto gjëra jo thjesht sepse “metastazat” janë kudo por sepse ai vetë është ushqyesi, thirrësi, përhapësi i metastazave.

Nga ana tjetër, Basha ka treguar butësisht dhe me këmbëngulje një anë tjetër, anën e politikanit që rri larg nga krimi dhe trafiku, e politikanit që vlerat politike të Europës, të demokracisë liberale, nuk i ka për shfaqje për propagandë apo që ta pëlqejnë, por i ka sepse i ka. Kjo nuk është gjë e vogël. Kjo është gjë e madhe dhe kjo është arsyeja pse ka nervozizëm me Ramën dhe simpati deri në padurim ndaj Bashës dhe ardhjes së tij në krye të qeverisjes. Takimet në Lubjanë dhe Zagreb nuk tregonin asgjë tjetër.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular