HomeOP EDNe Vendosim/Nga Kolindo Vjerdha

Ne Vendosim/Nga Kolindo Vjerdha

spot_img

Nga Kolindo Vjerdha

Demokracia gjenerohet nëpërmjet zgjedhjeve, të cilat janë motori i ndryshimeve të nevojshme që shkojnë në linjën e nevojave të sovranit. Të zgjedhësh nuk është thjesht një e drejtë që buron nga konventat ndërkombëtare, por një detyrë qytetare që mbart mbi vete dinjitetin personal të individit që e ushtron këtë të drejtë.
Duke ecur në kalvarin e viteve padyshim që kemi një rritje të pakënaqësive dhe rrjedhimisht një rënie të besimit në vlerat që demokracia trumbeton duke shkaktuar ngërçe politike që prodhojnë disfata për qytetarët. Në artikulimet e kohëve të fundit diskursi ka marrë në konsideratë një fokus sa të vjetër aq edhe me energji të reja që lidhet gjithmonë me rininë. Rinia, me indiferentizmin e saj, si pasojë e zhgënjimit nga e kaluara dhe politikat e harruara në sirtaret e qeveritarëve zgjedh gjithmonë që në periudha zgjedhore të hesht. Heshtja flet, por me heshtje ndryshimi nuk vjen.
Duke u nisur në amalgamën e përceptimeve është e rëndësishme të kuptojmë nga ku buron rëndësia e votës. Nuk duhet anashkaluar kurrë ky moment që vendet perëndimore e etiketojnë si festë e demokracisë dhe nga ku vlerat ngrihen në piedestal. Një herë në katër vite ne zgjedhim përfaqësuesit tanë, njerëzit që mbartin mbi supe vlerën e përfaqësimit. Nëse shumë skeptike pretendojnë se me kalimin e viteve përfaqësimi ka rënë, kjo është edhe rrjedhojë e sistemit që gjeneron individët. Këto zgjedhje kanë tjetër specifikë, ç’ka e bën të matshëm çdo kandidat dhe sa më shumë mbeshtetje të kenë aq më të fortë dhe aq më denjësisht mbrojnë interesat tona. Padyshim propagandimi politik është ai që ul dozat e besimit, por kjo nuk duhet të na pengojë që një detyrë qytetare ta kryejmë me dinjitetin që i takon.
Është detyrë e të rinjve që të investojnë në kulturën e tyre, e cila votën e vesh me individin dhe i jep vlera njerëzore. Ai është vullneti personal i pakontestueshëm. Të ecim në ritmet e kohës, të studiojmë programet, të gjejmë veten në to dhe të zgjedhin përfaqësuesit. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që vullneti i çdo qytetari të jetë një gur sado i vogël që shërben në konstituimin e Parlamentit të ardhshëm. Rinia duhet të jetë pararojë e këtyre zgjedhjeve pasi voton për veten, voton për demokracinë dhe për rrugën europiane të Shqipërisë. Pjesëmarrje më e lartë nënkupton përfaqësi më të plotë në Parlament. Të votuarit është një akt që shkon gjithmonë përtej preferencave partiake. Të votosh është një zgjedhje që tregon se ke kontribuar në historinë e vendit.
Dëshiroj të theksoj rëndësinë e votës dhe specifikisht ta lidh me rininë duke dashur t’i mëshoj faktit se të zgjedhurit shkon përtej një partie politike, është një demonstrim i qartë i një vullneti personal që i ofron besim një programi të caktuar. Të zgjedhim me sytë hapur duke analizuar çdo gjë pozitive dhe negative, që një program sjell tek ne si individ. Përfaqësimi në Parlament është rezultat i zgjedhjeve tona nëpërmjet të votuarit, një e drejtë sublime e çdo qytetari. Padyshim e gëzojmë të drejtën edhe për të kërkuar zgjidhje për problematikat që na shqetësojnë, por së pari duhet të jemi ne vetë që kontribuojmë në zgjidhjen e tyre. Mendësia dhe kultura e të votuarit ndryshon nëse ne vetë zgjedhim ta ndryshojmë. Prandaj ftoj këdo, sidomos të rinj që të bëhen promotorë të ndryshimit të kësaj kulture dhe t’i kthejmë vendit një faqe të re në arenën ndërkombëtare. Ne së bashku Vendosim.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular