BallinaAktualitetE pazakontë në Tiranë/ Denoncon në komisariat kompaninë: Këpucët që bleva online...

E pazakontë në Tiranë/ Denoncon në komisariat kompaninë: Këpucët që bleva online në Instagram nuk më bënin

27-vjeçarja A.M. e ndjek modën përmes rrjeteve sociale veçanërisht në Instagram. Sidomos gjatë pandemisë kur fiksimi për të blerë direkt në dyqane iu kufizua, ajo si shumë të tjerë ia mësynë Instagramit, ku mund të porosisje tashmë gjithçka. Produkti i radhës që pëlqeu A.M. ishin një palë këpucë që, siç detajoi ajo më pas në polici, ishin të markës “studio Pollini”.

“Frekuentoja llogarinë Instagram ku një faqe mode ilustron veshje, këpucë dhe çanta. Faqja quhet O…rs, këpucët që më tërhoqën ishin numri 38, material lëkurë viçi me ngjyrë të zezë dhe me vlerë 5500 lekë”, ka thënë e reja në deponimin e siguruara nga Gazeta “Si”.

Mbasi këpucët në fjalë e tunduan, e reja i shkroi menjëherë faqes në privat. Në inbox një person me të cilin ka komunikuar i ka shkruar se të nesërmen këpucët do t’i kishte ku t’i dëshironte ajo.
“Këpucët mbërritën në orarin që i kërkova, m’i solli një djalë me biçikletë. Nuk e pashë aspak produktin në qese, kreva pagesën dhe djali që i solli nuk më dha kupton tatimor, as unë nuk ia kërkova kuponin. Kur u ngjita sipër, i provova këpucët dhe e zhgënjyer konstatova që më binin të vogla”.
E reja tregon pranë zyrës kundër krimit ekonomiko-financiar se i ka shkruar faqes në Instagram duke i parashtruar problematikën e hasur.
“Nga kjo faqe nuk mu kthye asnjë përgjigje. Duke u nisur nga ky fakt dyshova se mos ndoshta nuk gjendeshin online”, ka thënë e reja. Ajo u ka rishkruar shitësve të këpucëve, por ata nuk i janë përgjigjur, derisa në një çast ka vërejtur që e ata që administronin llogarinë në Instagram i kishin bërë “block”.
“Për t’u bindur se diçka po ndodhte, i kërkova një mikeshës time që t’u shkruante sikur po porosiste diçka dhe ata iu përgjigjën”, rrëfen vajza në policinë e Tiranës ku dhe ka kërkuar që të zbulohen personat që i sollën këpucët që nuk i bënin.
E reja e nevrikosur i ka shkruar më pas djalit që i solli këpucët me bicikletë. E ka telefonuar dhe i ka kërkuar shpjegime. Por ai është shfajësuar dhe nuk i ka dhënë asnjë zgjidhje duke shtuar se nuk ishte ai personi që e posedonte llogarinë e Instagramit.
Vajza, sipas burimeve të Gazetës “Si” i ka kopjuar të gjitha mesazhet në telefon, përpjekjet e saj për të komunikuar me llogarinë në Instagram dhe me këpucët në dorë, ka shkuar në polici.
Policia mbasi ka administruar numrin e telefonit dhe ka këqyrur faqen në Instagram që ilustron veshje të modës, ka kryer veprimet e para hetimore.
“Ne zbuluam djalin e biçikletës që quhet A.D. – tha për Gazetën “Si” një agjent i policisë – dhe e thërritëm për ta marrë në pyetje”.
Dëshmia e të riut ishte akoma më interesante. Për shkak të pandemisë rezulton se ai kishte nevojë për para dhe për këtë arsye ai me biçikletë shpërndante ndonjëherë postën.
“Më telefonoi një shoku im që kishte shumë punë dhe më tha ta merrja pakon e ta çoja në adresën në fjalë që gjendet në rrugën “Qamil Guranjaku” pranë Drejtorisë së Higjenës. Mbasi dorëzova pakon, mora paratë dhe ia dorëzova A., shokut tim. Për këtë shërbim mora 200 lekë”, ka thënë djali korrier.
Policia deklaron se më pas është thërritur djali i dytë që i kërkoi ndihmë biçikletistit. Edhe ai kishte nevojë për një pagesë shtesë dhe shërbente ndonjëherë në shkëmbim të 2 mijë lekëve të vjetra.
“Punoj në një call-center. Duke qenë se gjendem në vështirësi financiare hapa një faqe në Instagram si korrier transporti dhe pas punës shpërndaj porosi që dyqanet i operojnë gjatë pandemisë on-line dhe në rrjete sociale”, ka thënë djali i dytë.
Policia bën me dije për Gazetën “Si” se pakot ai i mbante në garazh ku kishte edhe biçikletën dhe i shpërdante sapo linte turnin në call-center. “Këtë shërbim e ofroj dhe për faqen e Instagramit që shet veshje dhe këpucë”, ka deklaruar i riu.
Policia shton se këqyri faqen në Instagram dhe ka vërejtur se aty ofrohen veshje origjinale që nga “Adidas”, “Nike”, “Slippers”, “Timberland” e të tjera. Për këtë arsye mbasi ka kryer të gjitha veprimet policia konfirmon se e ka regjistruar çështjen edhe për shkelje të të drejtave të pronësisë industriale.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular