Një person ka mbetur i vrarë dhe një tjetër i plagosur, nga të shtënat me armë në një lokal pranë Gjykatës së Tiranës.
Viktima është shtetasi Kudret Saliaj, i cili u qëllua për vdekje nga vjehrri i tij, Mexhit Picar. Ndërkohë i plagosur ka mbetur ish-prokurori, Adriatik Cama, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Gazeta Shqip ka siguruar fotot nga vendi i ngjarjes, ku vihet re edhe viktima i shtrirë në tokë dhe avokati i tij, Cama, teksa telefonon policinë për vrasjen.
Nga të dhënat e policisë është bërë e ditur se Saliaj ishte në një proces divorci me bashkëshorten e tij, Dhurata Saliaj. Sot ishte seanca e pestë, ku djali i tyre i madh do të dëshmonte se me cilin prind donte të qëndronte.
Gjykata më herë i kishte caktuar Kudretit kujdestarinë e fëmijëve deri në përfundimin e procesit të gjatë të divorcit. Gjithashtu thuhet se Dhurata ka qenë më herët e arrestuar për veprën penale “Dhuna në familje”.
Njëkohësisht mësohet se Kudret Saliaj kishte kërkuar urdhër-mbrojtje nga vjehrri i tij, por kërkesa nuk ishte pranuar.