Byroja e Kuvendit në një vendim të fundit u ka hequr aksesin e gazetarëve në mjediset e Kryesisë së Kuvendit.
Gjithashtu reporterët do të jenë të kufizuar të marrin intervista dhe prononcime në korridoret e Kuvendit.
Kësisoj reporterët dhe operatorët e mediave do të zëvendësohen me transmetimet e kontrolluara nga Kuvendi.
Vendimi i publikuar në faqen e Kuvendit mban datën 2 qershor dhe ndryshon rregulloren e vitit 2014.
Sipas vendimit gazetarët do të qëndrojnë në një dhomë të veçantë, nga ku do të mund të ndjekin përmes rrjetit të transmetimit të kontrolluar punimet e Kuvendit.
“Personat e akredituar pranë Kuvendit të Shqipërisë akomodohen në dy godinat e parlamentit, në mjediset e caktuara për ta si me poshtë:
- Te Kryesia e Kuvendit në News Room/ Salla e Gazetarëve, qe ndodhet në katin e pare te godinës,
- Te ambienti i caktuar për gazetarët te Salla e Seancave Plenare” thuhet në vendimin.
Përjashtim duket se bëjnë dy mediat RTSH dhe ATSH.
“Personat e akredituar, punonjës të RTSH dhe ATSH, mund të lëvizin lirisht edhe në këto ambjente”, thuhet në vendim.