BallinaKryesoreNga zgjerimi i kryesisë tek formula për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar...

Nga zgjerimi i kryesisë tek formula për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie, ja propozimet e Bashës. Këshilli Kombëtar do ngarkohet me detyra në departamentet e PD

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i mandatuar edhe për 4 vitet e ardhshme në krye të selisë blu, ka depozituar 11 propozime për ndërhyrje në Statutin e Partisë Demokratike.

Propozimet e kreut të selisë blu kanë natyrë rregulluese të statutit aktual. Kështu, kreu i PD-së mendon që të njëjtën metodë që ndoqi në 2020-ën me përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë të aplikojë edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkish. Sipas ndryshimeve që pritet të ndodhin, kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin vendor seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH-së.

Pas konsultimit me anëtarësinë, kandidaturat për organe ekzekutive të pushtetit vendor propozohen nga kryetari i Partisë, caktohen nga kryesia e PDSH-së dhe lista e plotë miratohet nga Këshilli Kombëtar. Kryesitë e degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve në njësitë vendore. Kryesia e PDSH-së duhet të informohet për çdo hap të procesit të miratimit të kandidatëve dhe ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e vlerëson të domosdoshme.

Përjashtimisht për bashkitë që janë qendër qarku lista e këshilltarëve propozohet nga kryesia e degës dhe miratohet nga kryetari i Partisë. “Kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin vendor seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e PDSH-së. Pas konsultimit me anëtarësinë, kandidaturat për organe ekzekutive të pushtetit vendor propozohen nga kryetari i partisë, caktohen nga kryesia e PDSH-së dhe lista e plotë miratohet nga Këshilli Kombëtar. Kryesitë e degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve në njësitë vendore.

Kryesia e PDSH-së duhet të informohet për çdo hap të procesit të miratimit të kandidatëve dhe ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e vlerëson të domosdoshme. Përjashtimisht për bashkitë qendër qarku, lista e këshilltarëve propozohet nga kryesia e degës dhe miratohet nga kryetari i partisë”, thuhet në pikën 3 të nenit 12 të statutit të PD-së.

ZGJERIMI I KRYESISË

Po ashtu, kryedemokrati Basha synon që ta sanksionojë në ligjin funksional të brendshëm të PD-së edhe përbërjen e kryesisë së saj. Sipas Bashës, përveç 15 anëtarëve të kryesisë, të cilët zgjidhen nga Këshilli Kombëtar, të jenë edhe sekretarët, zëdhënësi i partisë apo edhe nënkryetarët. Ajo që kryedemokrati kërkon të fusë rishtazi është kryetari i Bordit Financiar, i Komisionit Zgjedhor dhe i Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës. “Kryesia e PDSH-së ndjek dhe siguron zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar.

Kryesia vendos për të gjitha çështjet që nuk janë e drejtë ekskluzive sipas këtij statuti e Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit Kombëtar, si dhe miraton marrëveshjet politike. Kryesia e PDSH-së drejtohet nga kryetari i partisë dhe ka në përbërje edhe: Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët e partisë, sekretarët funksionalë, kryetarin e Këshillit Kombëtar, kryetarët e organizatave partnere, kryetarin e Bordit Financiar, e Komisionit Zgjedhor dhe Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës”, thuhet në nenin 45 të statutit të PD-së që propozon Basha.

DREJTUESIT POLITIKË

Një tjetër propozim i kryedemokratit Basha është që t’u caktojë një mandat më të hershëm drejtuesve politikë në qarqe dhe këta të jenë drejtues të një këshilli koordinues të qarkut. “Është shtuar si strukturë vendore e partisë edhe Këshilli Koordinues i Qarkut, që drejtohet nga drejtuesi politik i qarkut, që emërohet nga kryetari i Partisë. Kjo do të jetë një strukturë e përhershme me përgjegjësi në organizimin elektoral dhe aksionet e veprimtarisë politike të PDSH-së në nivel qarku”, thuhet në shpjegimin e kryedemokratit. Ndërkohë, edhe Këshilli Kombëtar do të ketë më shumë angazhim sipas kryedemokratit Basha. Në varësi të formimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ata do të angazhohen në departamentet e strukturave të PD-së dhe do të jenë përgjegjës për hartimin e platformave apo strategjive elektorale.

ZBULOHET VENDI KU DO MBLIDHET KUVENDI KOMBËTAR I PD

Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike do të zhvillohet ditën e shtunë, në orën 10:30, në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Detajet bëhen të ditura nga sekretariati organizativ i PD-së, i cili në një mesazh drejtuar anëtarësisë, u kërkon atyre të jenë prezentë dhe të pajisen me kartë identiteti. “I nderuar anëtar i Kuvendit Kombëtar të PD-së, ju njoftojmë se mbledhja e Kuvendit do të zhvillohet ditën e shtunë, datë 17.07.2021, ora 10:30, në ambientet e Pallatit të Kongreseve në Tiranë. Ju lutemi të jeni prezentë dhe me vete të keni kartën tuaj të identitetit. Sekretariati organizativ i Partisë”, thuhet në mesazhin e shpërndarë dje. MARINGLEN KUME/PANORAMA

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular