Një 43-vjeçar është arrestuar nga autoritetet greke me dyshimin se ka ndezur zjarret në zonën e Kryonerit.
Sipas mediave greke, ai shtirej si një drejtues autobusi dhe pretendonte se merrte pjesë në aksionet për shuarjen e flakëve, në mënyrë vullnetare.
Teksa ai bënte sikur ndihmonte në shuarjen e zjarrit, pas tij, gjendeshin papritur vatra të reja.
Këto nxitën më shumë dyshimet e autoriteteve, që vendosën ta arrestonin 43-vjeçarin.
Ai akuzohet se ka vendosur me qëllim zjarrin në një pyll, që u përhap më pas në një dendësi më të madhe, duke shkrumbuar mijëra hektarë tokë.
Policia pas arrestimit i ka shtrirë kontrollet në shtëpinë e 43-vjeçarit ku ka gjetur çakmakë dhe mjete të tjera që përdoreshin për djegie.