Presidenti amerikan doli me deklaratën e parë për ngjarjet në Afganistan, ku talibanët morën nën kontroll të gjithë vendin, përfshirë edhe Kabulin dhe godinat e institucioneve qeveritare.
Biden tha se i qëndron vendimit për t’u tërhequr edhe si premtim të bërë gjatë fushatës elektorale për amerikanët, por pranoi që zhvillimet dhe ofensiva e shpejtë talebane nuk ishte e pritur kaq shpejt.
“Amerikanët nuk duhet dhe nuk do të vdesin duke luftuar në një luftë që vetë afganët nuk kanë vullnet për ta luftuar për vete”, tha ai.
Mesazhi i Biden për talibanët ishte i qartë.
“Nëse sulmojnë personelin tonë, ose misionin tonë gjatë tërheqjes, SHBA do të përgjigjet shpejt dhe ashpër. Do të mbrojmë njerëzit tanë me forcë vdekjeprurëse. Do të nxjerrim njerëzit tanë dhe aleatët tanë në siguri sa më shpejt të jetë e mundur dhe pasi të kemi mbyllur këtë mision do të vazhdojmë me misionin tonë të tërheqjes së plotë ushtarake nga Afganistani”, tha ai.
Biden fajësoi politikanët afganë për dështimin e tyre përballë talibanëve. “Politikanët afganë dështuan të bëhen bashkë për të mirën e popullit të tyre”, tha ai, duke zbuluar se Presidenti afgan, Ashraf Ghani i kishte premtuar se ushtria afgane do të luftonte kundër talibanëve. “Me sa duket kjo nuk ndodhi”, vijoi Biden.
Presidenti i SHBA u shpreh se pavarësisht se sa kohë do të zgjaste misioni amerikan në Afganistan dhe pavarësisht të gjitha përpjekjeve të tjera të tij, ai ishte i përcaktuar të dështonte.
“Kam punuar me këtë çështje më shumë se kushdo. Kam udhëtuar dhe jam takuar me njerëzit në Afganistan, jam takuar me udhëheqëist, jam takuar me trupat tona në Afganistan dhe ajo që kuptova është se çfarë ishte e mundur dhe çfarë nuk ishte e mundur në Afganistan”, vijoi Biden.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë cilësoi si të pamundur vendosjen e demokracisë në këtë vend, qoftë edhe me forcën e armëve, por u shpreh se lufta e SHBA do të vazhdojë, këtë herë përmes diplomacisë dhe ndikimit ndërkombëtar që Uashingtoni ka.
“Tani jemi të përqëndruar te ajo që është e mundur dhe SHBA do të vazhdojë të mbështesë popullin afgan, duke udhëhequr me diplomaci, influencën ndërkombëtare dhe ndihmat humanitare. Duke shtyrë diplomacinë rajonale për të parandaluar dhunën dhe kaosin dhe duke folur për të drejta bazë për afganët. E kemi bërë të qartë se të drejta e njeriut do të jenë në qendër të politikës sonë të jashtme, por rruga për ta bërë këtë nuk mund të jetë përmes fushatave të pafundme ushtarake”, tha Presidenti amerikan.
“Sa jetë të tjera amerikane duhej të humbnin në Afganistan?”, pyeti Biden.
Ai tha se urdhëroi zhvendosjen e një personeli shtesë prej 600 trupash në Aeroportin e Kabulit për të vijuar me operacionin e evakuimit të shtetasve amerikanë, atyre të huaj dhe të vetë afganëve që bashkëpunuan me ndërkombëtarët.
Shifra e afganëve që bashkëpunuan me SHBA dhe NATO-n dhe familjarët e tyre përllogariten në rreth 50 mijë vetë. Aktualisht vetëm 2 mijë prej tyre kanë mbërritur në SHBA, ndërsa të tjerë pritet që t’u bashkohen në ditët në vazhdim. Biden shpjegoi edhe arsyet se përse kjo kategori nuk u evakuua me shpejt.
“Disa prej afganëve nuk dëshironin të largoheshin me shpresën që vendi i tyre nuk do të binte në duart e talibanëve”, tha ai.