BallinaAktualitetDrama e familjes Hajdinaj/ Nënë e bijë në burg për dhunë në...

Drama e familjes Hajdinaj/ Nënë e bijë në burg për dhunë në familje, 25-vjeçarja kërkon lirinë: E bëra për…! Jam penduar…

Nënë e bijë nga Saranda ndodhen prej muajsh në burgun e grave në Tiranë, të akuzuara për “dhunë në familje”. Fillimisht në 12 korrik të këtij viti në pranga ra Remilda Hajdinaj, 25-vjeç. Nëna e saj, Dafina Hajdinaj e akuzoi atë për dhunë. Edhe pse 25-vjecarja para Gjykatës kërkoi një masë më të lehtë sigurimi pasi sipas saj ishte vetëmbrojtur ndaj veprimeve të nënës, e cila njëkohësisht rezulton me probleme mendore, Gjykata sërish e la në masën “Arrest në burg”. Ndërkohë në 11 gusht policia arrestoi edhe Dafina Hajdinajn. Ajo u akuzua për dhunimin e nënës dhe vëllait të saj. Prej gushtit edhe ajo ndodhet në masën e sigurisë “Arrest me burg”.

Pak ditë më parë çështja e kësaj drame familjare është rikthyer në dyert e gjyqësorit të Sarandës. Ka qenë 25-vjeçarja Remilda Hajdinaj që ka kërkuar lirimin nga qelia. Përmes përfaqësuesit ligjor, Hajdinaj, ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” duke deklaruar dhe shpjeguar shkaqet që e shtynë të kryente këtë vepër penale duke u vetëmbrojtur.

Ajo ka treguar çdo veprim të detajuar se nuk ka kryer asgjë me paramendim, ka qenë një veprim i çastit dhe jo i mirëmenduar. Përveç të tjerave, personi nën hetim është i penduar për veprimin që ka kryer dhe thekson se nuk do të përsëritet më. Sipas saj ajo jeton bashkë me gjyshen e saj Ervehe Bejdullai, pasi kjo e fundit është në moshë 75 vjeçe dhe ka nevojë për kujdesje.

“Dafina ka jetuar dhe emigruar vite jashtë shtetit, ne Francë, dhe Remildën ia besoi mamasë së saj Ervehes. Dafina ka probleme të çrregullimit mendor që kur ka qenë e shtruar në spitalin e Francës dhe vazhdoi edhe në spitalin e Vlorës. Sa herë kjo e fundit kthehej nga spital bënte sherre me të gjithë të shtëpise edhe me vajzën e saj edhe me nënën e saj Ervehen. Meqënëse aktualisht ajo ndodhet në burgun e grave në Tiranë, kërkojmë nga Gjykata të zëvendësohet masa shtrënguese në një masë më të lehtë të kërkuar sipas objektit të mesipërm për të arrestuarën, pasi kjo e fundit jeton me gjyshen Ervehe Bejdullai.

Pra, e arrestuara ka qenë në kushtet e vetëmbrojtjes kur Dafina ka ushtruar dhunë edhe ndaj Remildës edhe ndaj nënës së saj Ervehe Bejdullai. Për shkak të rrethanave të faktit dhe e rritur jetime me gjyshen e saj, e arrestuara nuk ka rrezik të kryejë krime të të njëjtit lloj me atë për të cilën procedohet. Gjyshja e saj Ervehe kërkon që të vihet drejtësi për mbesën e saj dhe të zbutet masa e dënimit pasi i mungon se e ka rritur vetë. Gjithashtu, nisur edhe nga rreziku i pandemisë që jetojmë në vazhdimësi, i kerkohet Gjykatës të ketë në vëmendje të gjithë këtë situatë”, u shpreh para Gjykatës avokatja e 25-vjeçares.

Në gjykim, avokatja e kërkueses depozitoi si provë një “Deklaratë” me shkrim, e cila mban dt.14.07.2021, ku deklarohet se: “Unë, e nënshkruara Dafina Mestan Hajdinaj deklaroj si më poshtë: Tërheq denoncimin që kam bërë për vajzën time. Në atë moment që kam kryer denoncimin, kam qenë me ngarkesë psikike e mendore dhe e pandërgjegjshme. Sot jam shumë e përgjegjshme për gabimin dhe tërhiqem me plot vetëdijen time dhe pa asnjë imponim”.

Megjithatë Prokurorja Aurora Hajro deklaroi se nuk ka asnjë rrethanë të re, si dhe asnjë provë që të mund të justifikojë zbutjen e masës së sigurimit. I të njejtit mendim ishte edhe Gjyqtari Fatmir Ndreu, i cili vendosi përfundimisht “Rrëzimin e kërkesës së personit nën hetim Remilja Aleksandër Hajdinaj, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “dhuna në familje”, në dëm të shtetases Dafinë Hajdinaj, parashikuar nga neni 130/a/3 i Kodit Penal, për zëvendësimin e masës së sigurimit të caktuar ndaj saj”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular