Në datën 6 qershor do të nisin regjistrimet në çerdhe. Prioritet do të kenë fëmijët që vijnë nga shtresat vulnerabël.
Katër ditë kohë do të kenë prindërit për të regjistruar fëmijët e tyre në çerdhe.
Aplikimet nisin të hënën e 6 qershorit dhe do të zgjasin deri në datën 10.
Ata që do të kenë prioritet dhe do të regjistrohen të parët janë fëmijët nga shtresat vulnerabël.
Për fëmijët me statusin e jetimit dhe fëmijët të familjeve ku kujdestari ligjor ka të njëjtin status nevojitet libreza e statusit si dhe certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.
Për fëmijët me aftësi të kufizuara apo sëmundje të rënda përveç certifikatës nevojitet dhe raporti mjeko-ligjor.
Prioritet do të kenë edhe fëmijët e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike si dhe ata që i përkasin komunitetit rom dhe egjiptian.
Pjesa e mbetur e vendeve në çerdhe plotësohet me të vegjlit që i kanë të dy prindërit ose njërin në punë.
Ndërkohë ata që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2021-2022 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 15 Shtator 2022, do të regjistrohen automatikisht në kopsht.
Prindërve u kërkohet që të deklarojnë pranë çerdhes që fëmija ka frekuentuar, kopshtin në të cilin dëshironi të regjistrojnë atë.
Deklarimi duhet të kryhet brenda datës 24 qershor 2022 ndërsa institucioni i përzgjedhur duhet të jetë në njësinë administrative ku aktualisht ndodhet vendbanimi i fëmijës.