BallinaOP EDTjetërsimi i shesheve historike në Vlorë, vepër antikombëtare

Tjetërsimi i shesheve historike në Vlorë, vepër antikombëtare

Nga Gezim Zilja
Këta kanë nxjerrë Atdheun në pazar. Zhdukja e simboleve nga vendet historike, tjetërsim i historisë së gjakut të vlonjatëve dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet,  duke e zëvendësuar me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim
Për Vlonjatin, Sheshi i Flamurit ka qenë dhe është adhurim hyjnor, shtëpia e shpirtit të shqiptarëve, britmë, reflektim, që ndryshon rrjedhën e historisë, kur tradhëtarët e nxjerrin Atdheun në pazar, ose kërcënohet liria nga pushtuesi i huaj. Mbi të gjitha Vlora është Frymë guximi dhe Atdhetarizmi. 
Zhvendosja, ndryshimi, zhdukja e simboleve nga vendet historike, që kanë të bëjnë me themelimin e shtetit të parë shqiptar dhe luftërat e tij heroike për liri e pavarësi nuk janë tallje, apo teka të një njeriu mendjemadh, mburravec e kokëbosh, që ka vendosur të ndërtojë një histori tjetër e të shpikë simbole të tjera nga ato që na kanë lënë të parët. Për Vlorën kjo do të thotë t’i zhdukësh apo tjetërsosh historinë e saj unike, traditën, trashëgiminë, frymën patriotike që vlonjati e ka të rrënjosur në gjak. Do të thotë të godasësh në zemër krenarinë kombëtare, të kthesh simbolet e themelimit të shtetit shqiptar, Sheshin e Flamurit, dhe atë të Pavarësisë në Skelë, në lodra, që çvendosen gjithandej, duke ndërtuar simbole të reja betoni pa kuptim, pa lidhje me ngjarjet, mesazhet patriotike e të kthesh flamurin kombëtar në një leckë pa vlerë. Këto veprime përbëjnë një akt të qëllimshëm antishqiptar .

Vlorën koha e solli të jetë kryezonjë e historisë moderne me dy ngjarje që i vunë vulën shtetit të ri shqiptar dhe vazhdimësisë së tij: Shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe Luftën e Vlorës më 1920. Sheshi i Flamurit ishte një ansambël i plotësuar me Varrin Monumental të Babait të Kombit, Ismail Qemalit, Monumentin e Ushtarit të Panjohur, Shtizën e Flamurit, Monumentin Madhështor të Pavarësisë, kompleksin e rrallë me katër sferat (topat) që përfaqësonin Shqipërinë etnike me katër vilajetet e saj dhe shatërvani që hijeshonte gjithçka rreth e qark. Gjithë hapësira nga Monumenti gjigand i Pavarësisë ishte e hapur dhe harmonizohej me kodrinën përballë, ku ndodhen Varrezat e Heronjve dhe Dëshmorëve të Luftës Heroike të Vlorës më 1920 dhe atyre të Luftës së Dytë Botërore. Po ç’bëri KM-ja ynë me rilindasit e rinjë!? Rrafshoi piedestalin e Monumentit të Pavarësisë 17 metra të lartë, e vendosi mbi “rrota” si shtëpi arixhiu, aty rrotull dhe po nuk i pëlqeu të mund ta çvendosë sërish. Zhduku ansamblin e sferave, katër vilajeteve, simbol i Shqipërisë etnike, amanet i përjetshëm i rilindasve, me një mendjelehtësi dhe urrejtje të çuditshme. Ndërpreu lidhjen organike të Monumentit të Pavarësisë me Varrezat e Dëshmorëve, duke ndërtuar një ngrehinë me kollona betoni për stacion autobuzi. Në një intervistë, Muntaz Dhrami, i vetmi nga tre skulptorët mbetur gjallë, do të deklaronte plot trishtim: “…vetëm unë jam gjallë, por nuk më ka pyetur njeri për ndryshimin e Monumentit të Pavarësisë. Jam kundër kësaj vendosjeje, që kanë menduar, humb çdo lloj marrëdhënie e monumentit me spektatorin. Monumenti tani, duket sikur është bërë një skulpturë dekorative e ndonjë shtojzovalleje …”

Ndërhyrja në sheshin “Pavarësia,” në Skelë, paraqet një rrëmujë rrathësh betoni pa kuptim. Piramida e dheut, gropa para shtëpizës, ullinjtë e portokallet azmatike, pishat mbërthyer në hekurishte, lisharse e tubo kalamajsh, një kolonadë betoni 200 metërshe, të çojnë në një botë tjetër, që nuk kanë kurrfarë lidhje me Shtëpinë Muze, ku vendosi selinë, qeveria e parë shqiptare, e vetmja shenjë e “gjallë,” nga ajo kohë e papërsëritshme. U zhduk pa dhënë asnjë shpjegim monumenti i luftëtarit aq të dashur për vlonjatët, Isa Boletini. Ndërtimi së shpejti, duke filluar nga vija e ujit e ndërtesave shumë të larta, fshin nga pamja këtë shtëpizë dykatëshe, që do të duhet busull për ta gjetur në të ardhmen. Shtëpia Muze, zoti KM, duhet të ishte kryeqendra e Sheshit Pavarësia: gjithçka tjetër duhet të vihej në funksion të saj. Ishte rasti (Kjo do të ndodhë!!!) kur mund të ndërhyhej, duke ndërtuar një kompleks muzeal, që i mungon Vlorës e Shqipërisë, në përputhje me arkitekturën e kohës, që të pasqyronte luftën me pushkë e penë të rilindasve tanë nga Lidhja e Prizrenit deri në Shpalljen e Pavarësisë me kryengritjet dhe heronjtë e shumtë. Kjo nuk ndodhi prandaj mendoj, që shndërrimi i këtij sheshi është vepër antikombëtare.

Sheshi tjetër i përçudnuar, është ai para Bashkisë. Para se të fillonte Lufta e Vlorës, organizatorët e kryengritjes i dërguan Ultimatum gjeneral Piaçentinit (godina e bashkisë sot) dhe kërkuan që trupat italiane të largoheshin nga qyteti dhe rrethinat brenda 48 orësh, ndryshe do të sulmoheshin e do të hidheshin në det. Tekstin e Ultimatumit e përgatiti Avdul Kuçi, jurist, dhe deputet.  (Më 10 maj 1945, me vendim nr. 12, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e dënoi si kriminel lufte, me vdekje). Ultimatumi iu dorëzua italianëve nga luftëtari Mehmet Selimi (Mallkeq) i shoqëruar nga Halim Laze (Kaninë) dhe Adem Aliko (Vranisht). Ky gjest i rrallë trimërie e burrërie të trondit dhe sot. Shqiptari trim, që përfaqësonte një ushtri vullnetarësh prej 4.000 vetësh, i kërkon gjeneralit të ushtrisë prej 20.000 vetësh, me armët më moderne të kohës të largohej menjëherë ndryshe pushka do të vendoste drejtësinë. A nuk të mahnit ky veprimt? A nuk të bën krenar, si vlonjat, si shqiptar!? Por në atë shesh mungon simboli, mungon historia, mungon dëshmia, mungon Selim Mallkeqi, luftëtarët e Vlorës dhe mesazhi: Këtu i thonë Shqipëri, i thonë Vlorë! Japim jetën po Vlorën nuk e lëshojmë! Sa herë që njerëzit të kalojnë nga ai shesh të mos harrojnë kurrë ata trima, që mundën një perandori të kohës vetëm me vullnetin dhe dashurinë për atdheun, flamurin dhe lirinë. Doni ta mbani gjallë patriotizmin dhe historinë zoti KM? Doni të dini si luftuan vlonjatët për flamur e për atdhe? Doni që mesazhi i dashurisë për atdheun i Luftës së Vlorës të nderohet e lartësohet? Ndërtoni një monument për luftëtarin trim, Mehmet Selimi mbi kalin e tij, me fustanellë e qylaf, në sup mavzerin dhe në dorë ULTIMATUMIN, duke dhënë mesazhin e përjetshëm: Vlorën nuk e japim! Për Vlorën e derdhim gjakun lumë! Hiqi ato shkallë e pllaka betoni se edhe në Surrel nuk shkojnë e jo në Vlorë, ku çdo pëllëmbë tokë flet për trimëri e heroizëm. Ke ende kohë të korrigjosh e sjellësh në gjendjen e mëparëshme Sheshin e Flamurit e të plotësosh Sheshin e Pavarësisë në Skelë. Nëse jo, jam i sigurt, që herët ose vonë pasardhësit e vlonjatëve, që shkruan faqet heroike të historisë së Shqipërisë, do të kuptojnë se Atdheu është para partive të kuqe apo blu dhe drejtuesve të tyre sharlatanë, të korruptuar dhe delirantë. Ata do të rindërtojnë Sheshin e Flamurit siç ishte madje do ta plotësojnë me ndërtimin e sarajeve të Vlorajve, ku u ngrit flamuri, do të ndërtojnë kompleksin Muzeal te sheshi Pavarësia dhe do të ngrenë monumentin e Mehmet Selimit para sheshit të Bashkisë. Kjo do të ndodhë, sepse gjaku i vlonjatëve dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular