BallinaAktualitetEmigrantët që do futen ilegalisht në Britaninë e Madhe, nuk do të...

Emigrantët që do futen ilegalisht në Britaninë e Madhe, nuk do të marrin azil. Deportohen 40 persona drejt Shqipërisë

NIKOLETA KOVAÇI/ Edhe pse ligji, mbi të cilin po flitet ditët e fundit në Britani si ai që do të shpëtojë sistemin financiar nga shpërdorimi në emër të emigrantëve, duket se në fokus ka më së shumti shtetasit shqiptarë.

Këta të fundit prej afro 6 muajsh janë vënë në shënjestër të zyrtarëve të lartë të ministrisë së Brendshme britanike, ndërkohë që ata konsiderohen si njerëz që vijnë nga një vend i sigurt, kalojnë nëpër një vend të sigurt dhe mbërrijnë në brigjet e Anglisë për të shkelur ligjin dhe për të kryer vepra penale. E ndërsa ditën e djeshme mediat vendase bënë me dije se ka nisur zbatimi i ligjit për përjashtimin nga azili të të gjithë personave që kalojnë La Manshin me gomone, në Rinas kanë zbarkuar të përzënurit e policisë vendase.

Këta persona mësohet se janë të gjithë shtetas nga Shqipëria që kanë mbërritur në mënyra të ndryshme në Angli por që kanë punuar në të zezë, për shkak se kanë pretenduar se mund të përfitojnë nga ndonjë mundësi qëndrimi atje. Autoritet britanike bëjnë me dije se në fakt do të kthehen të gjithë ata që pretendojnë azil të rreme, sidomos emigrantët që vijnë nga një vend i sigurt. E nga vend i sigurt, sipas tyre, janë vetëm shtetasit që ikin nga Shqipëria për të cilët është ngritur në këmbë jo vetëm qeveria britanike por edhe ajo franceze, për të dhënë “goditje” që në brigjet e Francës jugore, vend nga ku trafikantët realizojnë edhe nisjet nëpërmjet Kanalit.

ZBATIMI I LIGJIT

Emigrantët që kalojnë kanalin në mënyrë të paligjshme me gomone nuk do të kenë mundësi të kërkojnë azil në Britaninë e Madhe, gjë që prek edhe shqiptarët. “Daily Mail” shkruan se ligji do të ndryshojë dhe çdo emigrant që ka kaluar nëpër një vend të sigurt, siç është Franca, do të marrë statusin “i pavlefshëm” në kërkesën për azil. Më pas ata do të përballen me largimin e menjëhershëm nga Britania. Këtë gjë e ka thënë edhe vetë Suella Braverman, Sekretarja e Brendshme në Britaninë e Madhe.

Legjislacioni i ri do të përcaktojë gjithashtu masa të mëtejshme për të trajtuar “kërkesat e rreme për azil”. Ndryshimet ligjore do të formojnë një plan kyç të përpjekjeve për të përmbushur premtimin e kryeministrit Rishi Sunak për “të ndalur gomonet me emigrantë”. Kryeinspektori i burgjeve, Charlie Taylor, paralajmëroi javën e kaluar se qendrat e emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk kanë kapacitet për planin e Kryeministrit Rishi Sunak. Qeveria ka njoftuar planet për të rihapur qendrat e papërdorura Campsfield House, pranë Oksfordit dhe Haslar, në Gosport, Hampshire.

SHQIPTARËT NË QENDRA

Qendrat do të funksionojnë deri në gusht dhe do të mbajnë gjithsej 1,000 të burgosur të tjerë. Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë “zbarkuar” në brigjet britanike, rreth 10 mijë, sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre.

Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër mes palëve në rang zyrtar, ndonëse qeveria shqiptare kishte dalë garant para autoriteteve homologe britanike se Shqipëria është një vend i sigurt dhe se shtetasit e saj nuk kanë asnjë arsye të largohen. Së fundmi është nënshkruar edhe një marrëveshje mes Britanisë së Madhe dhe Francës që ka për qëllim të rrisë vigjilencën dhe të ndalojë prurjet e emigrantëve që kalojnë përmes kanalit të La Manshit për në Britaninë e Madhe. Marrëveshja parashikon një pagesë vjetore të Mbretërisë së Bashkuar për Francën për të ndihmuar Policinë e Kufirit në 72 milionë euro.

Deportimi i 40 shqiptarëve

Ditën e djeshme në aeroportin ndërkombëtarë Nënë Tereza janë deportuar nga Britania 40 shtetas shqiptarë. Me anë të një “charter”-i mësohet se 40 persona u “përzunë” nga Britania dhe mbërritën në Rinas rreth mesditës. Pas intervistave dhe procedurave ligjore në Komisariatin e Policisë Kufitare të Rinasit, 40 shqiptarët e deportuar janë pritur nga familjarët e tyre. Shumica e të deportuarve kanë punuar në punë të zezë, si në ndërtim, por ka edhe nga ata që janë të dënuar për vepra penale në Britani.

Shtetasit shqiptarë të deportuar kanë treguar se janë të pakënaqur nga trajtimi i shtetit britanik sidomos pas deklaratës të ministres së brendshme britanike, Suella Braverman. Policia bën me dije se pas një jave pritet të mbërrijë edhe një avion tjetër me emigrantë shqiptarë, të cilët nuk do të përfshihen fare në praktikat e azilit për shkak se ata jo vetëm konsiderohen se vijnë nga një vend i sigurt, por madje edhe se aplikojnë për azil të rremë dhe më pas shkojnë e punojnë në shtëpi bari.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular