BallinaKulturePoezi e guximshme dhe mendim racional i Tomor Kotares/Shënimi i Lola Shehit...

Poezi e guximshme dhe mendim racional i Tomor Kotares/Shënimi i Lola Shehit në librin në ciklin me poezi “STUHI YJESH”

Nga Lola Shehi
Autori Tomorr Kotarja, vjen para lexuesit me vëllimin e dytë poetik që titullohet, “ Stuhi yjesh”. Në rolin e redaktores së këtij vëllimi, kam pasur fatin që këtë vëllim poetik ta lexoj që në dorëshkrim. Që në kontaktin e parë, më ra në sy ekstremiteti i autorit. Po e cilësoj ekstremitet, pasi poezitë e Tomorr Kotares, janë o të ëmbla e të ngrohta si fllad, o rebele e të furishme si stuhi. Ky fakt, më diktoi edhe strukturën e organizimit të poezive në këtë libër. Poezitë sipas llojit, ndaheshin numerikisht aty – aty, prandaj mendova që librin ta kompozoja në dy pjesë, por kjo nuk do të thotë se kjo ndarje është e prerë me thikë. Ka poezi, ku autori shpreh të dyja gjëndjet njëkohësisht. Ndoshta dikush ndan mendimin se poezia s`ka nevojë as për parathënie, e as për pasthënie, por unë preferova ta le të shkruar mendimin tim për kontributin e autorit në botën e bukur të poezisë.
Ajo që më ka bërë përshtypje më së shumti gjatë redaktimit të këtij vëllimi poetik, është se autori iu është rikthyer krijimeve të tij disa herë. Autori duket kërkues ndaj vetes. Nuk ndjehet vetkënaqësi në asnjë varg të tij. Autori është kërkues jo vetëm në cilësinë e vargut, por në të gjithë komponentët, të dukshëm e të padukshëm, që përbëjnë një vepër letrare. Poezinë e Tomorr Kotares, guxoj ta quaj të guximshme. Të shumta janë poezitë ku ai rebelohet me fenomenet e përditshmërisë, por poezitë që e evidentojnë më qartë këtë, janë poezitë, “Ardhmëria”, “ Rebelim yjesh”, e “Diell e yje sfidoj”, në ciklin “Rebelim yjesh”. Autori as e huazon e as e fantazon tematikën e poezive, por e merr nga e përditëshmja, nga fenomenet shoqërore, ekonomike e politike të çastit. Ndoshta tingëllon pak kontradiktore, por nëse kopertinën është kujdesur ta veshë me ngjyra të qeta, poezinë e ka veshur me tone të zjarrta, ndërsa nuk është sforcuar ta veshë me metafora të tepërta, e as me fjalë të mëdha siç ndodh rëndom. Kjo kontradiktë në dukje, e bën edhe më të lexueshëm këtë autor. Tomorr Kotarja vjen kuptueshëm para lexuesit. Autori është përpjekur që me pak vargje, të shprehë shumë e të prekë thelbin. Përfundimisht, do të thoja se ai e di mirë ku i pikon çatia vendit të tij.
Vëllimi poetik, fillon me poezinë “Drejt teje”. Janë vargjet që autori thur për dashurinë e tij. Të gjetura do t`i cilësoja metaforat e kësaj poezie. Dashuria është jetë, e jeta lind nga dashuria. Në këtë kontekst, autori e ka kapur bukur fillin që do ta tërheqë lexuesin në brendi të këtij libri. Autori nuk paraqitet aspak ëndërrimtar, nuk e përshkruan dashurinë e tij me superlativa, e përshkruan me tone reale, me të gjitha ndjesitë, të ëmbla e të hidhura, me fitore e dështime.
Ja si e përshkruan ai:
Dashuria ime,
Tej malit të hirtë
Tej detit trazuar…
Ndërsa mbyllja vjen e brishtë dhe e fuqishme njëkohësisht:
Dashuria ime
Stuhi yjesh të dielltë!…
E bukur gjetja e autorit për ta përmbyllur këtë poezi. Dashurisë së tij nuk i mjafton një yll, as një qiell me yje, por një stuhi yjesh të dielltë.
Ndërsa për ta përmbyllur librin, zgjedh poezitë që i japin titullin këtij libri “Stuhi yjesh” e “Diell e yje sfidoj”. Kjo zgjedhje evidenton rritjen e temeraturës së poezive, po ashtu edhe  rritjen e shpirtit rebel të poetit.
Nuk kam ndërmend të bëj analizën e poezive kokë për kokë sepse do të ishte e tepërt. Them është e tepërt, duke konsideruar se poezia dhe arti në përgjithësi, nuk shpjegohen.
Autori shpesh është sfidues në vargjet e tij, por nga ana tjetër, nuk shkruan poezi moraliste. Edhe aty ku duket se shkruan poezi deklarative, për shembull në poezitë ku bën thirrje për protestë, ai shfaqet shpërthyes, por njëkohësisht edhe racional, nuk e tepron.
Nëse e kalon për së pari poezinë e Tomorr Kotares, shumë gjëra i kalon pa i vënë re, por nëse i kthehesh për së dyti, me siguri do ndalesh për të mbetur aty.
Ndodh që lexuesi të kërkojë autorin në çdo poezi, apo në të shumtën e tyre. Në këtë vëllim poetik, autori duket sikur ka shkruar për gjithçka dhe për të gjithë, dhe pak ose aspak për veten. Edhe poezi dedikim ka me pikatore në librin e tij. Duke rrugëtuar nëpër poezitë e këtij autori, shpesh më dukej se nuk kisha të bëja me një poet, por me një misionar. Më krijohej përshtypja se autori qëndronte në një kullë vrojtimi, prej nga projektonte tematikën e poezive. Dua të theksoj, këtu ndoshta edhe gaboj, se Tomorr Kotarja nuk ka modele, nuk ndjek modele poetësh, nuk kërkon t`i ngjajë ndonjë poeti me emër. Tomorr Kotarja, i ngjan Tomorr Kotares.
Vërej se autori ka një lidhje gati mistike me vendin e tij të origjinës, këtë e tregojnë poezitë që i kushton Kalisit, por nuk e hiperbolizon atë. Autori thur vargje për gjithë natyrën shqiptare nga jugu në veri, pa më të voglin diferencim, dhe këtu kam të drejtë ta quaj misionar. Njëlloj i dhemb si mali e si bregdeti, madje edhe rëra.
Ja si shprehet në poezinë “ Puthmë”:
Puthmë Jezercë
Puthmë Sazan
Puthmë o Det
Puthmë! O dashuri oqean.
Puthmë Tomorr
O mal i shenjtë
Puthmë Dumre
Pllajë lozanjare
Puthmë Valbonë
Puthmë o breg
Siç di të puthë një shtojzavalle
Puthmë o bjeshkë
Korab e kurorë
Puthmë Gjallicë
Stolisur me borë…
Autorin Tomorr Kotarja, do ta rreshtoja tek poetët fjalëpakë. E them këtë, pasi edhe për të shprehur dashurinë e mirënjohjen për babain e tij, si për t`iu falënderuar kontributit të tij për këtë që është sot, si për t`iu falënderuar genit të tij, ka gjetur një mënyrë origjinale.
Kjo duket në poezinë “ Emri im”….
Kur linda,
Për fat,
Babai më zgjodhi,
Emrin e një mali të lartë.
Tomorr!
TOMORR,
Ia pagëzoi emrin djalit
Ndoshta deshi që t`i ngjaja malit.
Hije i ka një djali
Të jetë i lartë e i fortë si mali.
Nuk di në u plotësua profecia…
Edhe pse sot Tomorr Kotarja është një njeri i suksesshëm në çdo aspekt të jetës, përsëri poezinë ku flet për emrin e tij, e mbyll me pyetje retorike.
Në pamje të parë ky fenomen merret si modesti, por në fakt, është kërkesë ndaj vetes. Dhe këtë autori e tregon më së miri duke ardhur para lexuesit me këtë vëllim cilësor poetik.
Nuk e teproj po të them se Tomorr Kotarja është njeri i detajeve, dhe këtë e mbështes në faktin se libri është mjaft i kuruar estetikisht në kopertinë e brenda tij.
Lola Shehi, Dhjetor 2018

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular