“Ndikoi makineria shtetërore”, Gazment Bardhi flet për “14 majin”: Kemi humbur kohë duke u marrë me njëri-tjetrin

0
126

Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se opozita mori këtë rezultat në zgjedhjet e 14 majit, pasi ishin të përçarë dhe në “luftë” me njëri-tjetrin.

Komentet Bardhi i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin “Frontline” në News24, ku tha se në zgjedhjet e 14 majit ndikuan edhe makinacionet e qeverisë, për të deformuar vullnetin e qytetarëve

Ai shtoi se ka ardhur kohë që të punohet për të sheshuar ndasitë brenda PD-së dhe për të ndalur përçarjen, si e vetmja mënyrë për të rrëzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama.

“Uroj të jem në lartësinë e pritshmërisë së kolegëve. E kam vlerësuar dorëheqjen e zotit Alibeaj dhe qëndrimin e tij pas zgjedhjeve. Për PD mënyra si hymë në zgjedhje dhe veprimtari në 1 vit e gjysmë sillte një rezultat të pritshëm. Secili nga ne bëri ç’mundi në këtë fushatë të shkurtër. Secili prej nesh që nuk iu bashkua pjesës së drejtuar nga Berisha ishte në një sulm e përbaltje të vazhdueshme që ndikoi.

Zgjedhjet treguan që përçarja brenda PD dhe vijimi i të njëjtit model të drejtimit të partisë, sjell një rezultat të tillë. Edhe humbja e “Bashkë Fitojmë” është humbje për çdo opozitar. Sa kohë kemi humbur duke u marrë me njëri tjetrin kur duhet të punonim bashkë për të prezantuar një alternativë që do votohet pavarësisht mekanizmave të paligjshëm të qeverisë. Ka dy arsye që kanë ndikuar në rezultat, makineria shtetërore dhe përplasja e ashpër brenda PD që nuk krijoi frymën e fitores.

Partia ka pasur si drejtues zotin Alibeajn, sikundër ka pasur edhe kryetar të grupit, dinamika parlamentare kërkon që grupi më i madh i opozitës të mos qëndrojë pa një drejtues. Të enjten disa kolegë kërkuan një mbledhje urgjente të grupit dhe aty është diskutuar për plotësimin e vakancës dhe është votuar. Anëtarët prezent kanë qenë të gjithë dakord me emrin tim për të drejtuar grupin.

Si kryetar grupi nuk mora detyrën për të thelluar përçarjen. Çdo qytetar e ka të qartë se grupi nuk është strukturë paralele, por grupi zyrtar i PD. Një nga detyrat e mia të para do jetë kontakti për secilin anëtar të grupit, edhe ata që nuk marrin pjesë në mbledhje. Në tërësi ruaj marrëdhënie normale njerëzore me secilin prej tyre. Nuk ka arsye pse të mos kemi një marrëdhënie normale politike. Koha që kemi humbur duke u marrë me njëri tjetrin ka një përqindje të caktuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve”, tha Bardhi.