BallinaSport“Ramadani është i fortë”, Starova: Ju tregoj si Asani shtangu Moxhin, duhej...

“Ramadani është i fortë”, Starova: Ju tregoj si Asani shtangu Moxhin, duhej ftuar në 2018-ën

Nga e diela në Shqipëri flitet vetëm për Kombëtaren, që mposhti Poloninë dhe e sheh veten në krye të grupit në rrugën për në “Euro 2024”. Por nëse do të na duhej të evidentonim dy emra të spikatur të kësaj skuadre, ata do të ishin Ylber Ramadani dhe Jasir Asani. Për këtë dyshe meritë ka edhe Partizani, që ka rezultuar të jetë trampolina e madhe drejt niveleve të larta.

Fillimet e tyre, të dy këta lojtarë i kanë në kohën kur Sulejman Starova ishte pjesë e klubit si trajner, por edhe në role të tjera. Për të mësuar më shumë detaje rreth fillimeve të këtyre dy “yjeve” kuqezi, ne kontaktuam pikërisht “Bobin”. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Starova tregon detaje mjaft interesante, veçanërisht për Asanin.

I mbani mend fillimet e Asanit dhe Ramadanit?
Asani ka ardhur pas Ramadanit, në shtator të 2017- ës. Ramadani ka ardhur në vitin 2016, në janar. Asani ka qenë një lojtar i evidentuar te moshat dhe i patëm marrë letrat edhe Maqedonisë për ta aktivizuar te Shpresat tona. Unë i mbaj mend Asanin dhe Ramadanin në fillimet e tyre te Partizani. Sapo i kishim afruar në ekipin e parë, sepse më parë më së shumti luanin te skuadra U-21. Por stërviteshin me ekipin e parë gjithë kohës. Vetëm ndeshjet i bënin me ekipin e dytë. Ata përkojnë me atë grupin e bukur që kam pasur unë, me Mazrekajn, Sukajn, Ekubanin, Malotën, Trashin, Bathën e të tjerë. Nga të rinjtë ka qenë Bardhi, Fili e të tjerë.

I mbani mend fillimet e Asanit. Sa të vështirë e kishte?
Unë do t’ju tregoj pak nga historia e Asanit me Partizanin. Asani ka pasur gjithnjë besim në vetvete se ishte një lojtar i mirë, por për një periudhë te Partizani nuk po ecte shumë dhe herë pas here nxirrte edhe pjesët “gri” të personalitetit të tij. Kur erdhi në fillim, natyrisht që nuk do të gjente autostradë dhe kishte vështirësi. Unë jam emëruar trajner pasi u largua Iuliano, në nëntor 2017. Në atë kohë unë bëra një spastrim dhe Asanit e të rinjve të tjerë iu liruan hapësirat. Por me Asanin në kohën e Moxhit ka ndodhur një histori interesante.

Mund të na e tregoni?
Po, patjetër. Kur erdhi Moxhi, pati marrë me vete edhe një drejtor, Antonelo Preitin. Ai nuk kishte ndonjë funksion të veçantë, e ftoja të vinte në analizë dhe nuk e bënte. Thjesht vinte ngrinte zërin ndonjëherë. Unë e fus në formacion Asanin menjëherë, edhe pse në skuadër kishin ardhur shumë lojtarë. Preiti mesa duket nuk e pëlqente Asanin, por dikë tjetër nga afrimet, sepse i shihte si trupa me fizik më të madh. Dhe pas shpinës sime ai i thotë Moxhit që unë isha “fiksuar” pas Asanit. Unë kam qenë i dënuar disa javë nga Disiplina dhe po shihnim ndeshjen te kati i dytë te stadiumi “Dinamo”. Isha me Preitin dhe me Moxhin.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular