BallinaOP EDProjektligj që nuk duhet votuar

Projektligj që nuk duhet votuar

Nga Bujar Leskaj
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.8577, datë 10.2.2000, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, bazohet mbi një propozim të Gjykatës Kushtetuese për rritjen e pagave të gjyqtarëve të saj dhe të anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në masën dyfish, krahasuar me pagën e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas Nenit 124 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Ajo i nënshtrohet vetëm Kushtetutës. Projektligji që po diskutojmë është në kundërshtim flagrant me frymën e Kushtetutës, për arësyet si më poshtë:

Rritja e pagave të GJK, në një nivel absurd dhe të pabazuar në hierarkinë e pagave në Shtet

Rritja e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në nivelin 96 përqind(pra gati njësoj) të pagës së Presidentit të Republikës dhe me 58 përqind shtesë mbi këtë pagë, e justifikuar në projektligj për shkak të natyrës së veçantë të punës(?!), në tejkalim të ndjeshëm me 0.5 herë pagën e referencës së Presidentit të Republikës, është dukshëm absurde dhe e pabazuar në hierarkinë kushtetuese të pagave në administratën shtetërore. Kjo rritje përfaqëson karotën e sektit Rama për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ajo u kundërshtua me forcë nga juristë të njohur dhe personalitete të politikës majtas dhe djathtas, si Fatmir Xhafa dhe Oerd Bylykbashi. Deputeti Xhafaj i cilësoi të paqarta argumentet dhe kriteret, mbi të cilat është justifikuar ngritja e pagave të gjyqtarëve kushtetues në projektligj. Sipas tij, nga “natyra e veçantë e punës së tyre, nuk kuptohet çfarë vështirësie kanë këta gjyqtarë, në raport me gjykatësit e luftës kundër korrupsionit, që të kenë një shtesë 58 përqind, përtej pagës me koefiçient 0.96, në raport me Presidentin e Republikës! Deputeti Xhafa pyet me të drejtë dhe me ironi se mos vallë kanë dënuar me burgim të përjetshëm ndonjë mafioz këta gjyqtarë, për të merituar këtë rritje. Nga ana tjetër, zoti Xhafa cilëson se funksionet kontrolluese të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të justifikojnë një ngritje kaq të madhe page, se funksione të tilla kanë edhe institucione të tjera kushtetuese të kontrollit dhe asnjë anëtar i këtyre institucioneve nuk ka një pagë të afërt as me gjysmën e pagës 664 mijë lekë në muaj të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, që përcakton ky projektligj. Z. Bylykbashi e cilësoi si të jashtëzakonshëm diferencimin e pagës qe ky projektligj bën për gjyqtarët kushtetues dhe e emërtoi projektligjin si klientelist, që ka për synim që Gjykata Kushtetuese të vetëlidhë sytë në të ardhmen, pasi nuk kemi të bëjmë me një gjykatë që vlerëson mbi prova, por që interpreton me fjalë. “Shkëmbimi i favoreve mes qeverisë dhe Gjykatës nënkupton që pas kësaj, asnjë ligj i qeverisë nuk do të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh z. Bylykbashi.

Asnjë pagë në shtet nuk duhet të jetë mbi pagën e Presidentit të Republikës!

Në frymën e Kushtetutës dhe të orientimit nga ajo të piramidës së pagave në administratën publike, asnjë pagë në shtet nuk duhet të jetë mbi pagën e Presidentit të Republikës, figurës më të lartë të Shtetit. Deri tani, piramida e deformuar e pagave në shtet ka dëmtuar rëndë hierarkinë profesionale dhe meritokracinë në administratën tonë shtetërore. Ne si deputetë gabuam, kur i rritëm pagat tona në mënyrë jo proporcionale me rritjen e përgjithshme të pagave në administratën publike dhe pranuam karrotën e sektit Rama. Praktikisht, qeveria na bleu. U ulëm shumë në sytë e qytetarëve dhe në perceptimin publik të misionit dhe moralit të punës sonë. Është gabim që duhet ta korrigjojmë. Nëse e miratojmë këtë projektligj, po e thellojmë këtë gabim dhe kjo është e pafalshme, pasi po kompromentojmë një institucion jetik si Gjykata Kushtetuese dhe po prishim piramidën e pagave shtetërore akoma dhe më shumë, ndërkohë që nuk vendosim gishtin në plagë, tek domosdoshmëria e rritjes së pensioneve, pagës minimale dhe e percaktimit te minimumit jetik. Vendi nuk ka nevojë dhe domosdoshmëri dyfishimin e rrogave tona apo të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, por luftimin me sukses të varfërisë masive, duke rritur pensionet, pagat minimale dhe asistencën sociale, për ata që jetojnë nën minimumin jetik. Jemi i vetmi vend në Evropë që nuk e ka të zyrtarizuar dhe të percaktuar me ligj minimumin jetik dhe për këtë duhet të turpërohemi të gjithë!

Gjykata e sotme Kushtetuese, më e dobta e 33 viteve të fundit

Nga e gjithë reforma në drejtësi, institucioni më i dobët doli Gjykata e sotme Kushtetuese! Ajo ka një ndryshim të madh nga gjykata kushtetuese e mëparshme, qe kishte kthyer, si jo ne perputhje me kushtetutën, një sërë ligjesh të qeverisë Berisha dhe qeverisë Rama. Mjafton të kujtojmë vendimin Nr. 15 të Gjykatës Kushtetuese të dt. 15.04.2010, për shfuqizimin e marrëveshjes “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin, në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen e detit me Greqinë, me një vendim unanim. Mund të kujtojmë edhe pezullimin nga Gjykata Kushtetuese më datë 2 korrik 2021, të ndërtimit të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe rrëzimin e ligjit special PPP për këtë pasuri kombëtare. Po çfarë t’i kujtojmë trupës së sotme të Gjykatës Kushtetuese? Një pafuqi, pagojësi dhe mungesë të theksuar kurajoje profesionale dhe civile, në të gjitha rastet me interes kombëtar, kur është thirrur për të interpretuar Kushtetutën? Këtë t’i kujtojmë? T’i kujtojmë rrëzimin më 16 korrik 2023 të kërkesës se opozitës për anulimin e marrëveshjes për projektin abuziv prej 2.1 miliardë euro “Durrës Yachts& Marine” në Portin e Durrësit? T’i kujtojmë refuzimin nga kjo Gjykatë më 28 tetor 2022, të konsiderimit të pretendimit të opozitës se është cenuar e drejta e saj kushtetuese, për të kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e mënyrës së zbatimit të ligjit “Për investimet strategjike”, i cili bashkë me ligjin famëkeq Nr. 2020 kanë grabitur dhe po grabisin pronat e qytetarëve në bregdet dhe gjithkund? Apo trajtimin e pjesshëm dhe vonesën nëndëmujore në kalimin në seancë publike të kërkesës së shoqërisë civile për të rrëzuar Ligjin Nr. 50/2022 mbi menaxhimin e Parkut të Butrintit nga një fondacion privat, edhe pse Parku i Butrintit është pasuri kombëtare dhe e ardhmja e pasigurtë e tij prek të gjithë shqiptarët? Theksoj se ende kjo seancë publike nuk është zhvilluar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Çfare pret akoma ajo? Këto janë disa arësye (ka dhe shumë të tjera), pse gjykoj se Gjykata Kushtetuese që kemi sot, është profesionalisht struktura më e dobët e gjyqësorit, që nga viti 1990 e deri sot. Shumica e anëtarëve të saj janë profesionalisht në një nivel të ulët. Mendoni një moment të krahasoni kryetaren aktuale, e cila nuk ka asnjë ditë eksperiencë pune si gjyqtare (pasi më parë ka qenë drejtore në një drejtori juridike të një institucioni), me një profesoreshë të nderuar të jurisprudencës shqiptare, si Aurela Anastasi! Për shkak të kësaj trupe gati anonime që kemi sot, Gjykata ndodhet në pozicionin më të ulët të veprimtarisë së saj, me heshtjen, profesionalizmin e pakët dhe moskurajon civile, për të trajtuar dhe interpretuar në frymën e Kushtetutës, tema të nxehta me interes kombëtar.

xxx

Mendoni njëherë ç’do mendojnë dhe si do të ndihen qytetarët, kur të mësojnë se paga mujore e një gjyqtari të kushtetueses ka arritur në 664 mijë lekë! Arësyeja e vetme për këtë rritje krejtësisht të paargumentuar dhe të pabazuar të pagës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, qëndron në blerjen e kësaj Gjykate nga sekti Rama në qeverisje, qëndron në mbrojtjen që Rama dhe sekti i tij duan t’i bëjnë vetes për shkeljet flagrante të Kushtetutës me ligjet e qepura për oligarkët , duke mbitrajtuar financiarisht, me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe në deformim të hapur të piramidës shtetërore të pagave, një Gjykatë të pagojë dhe të pakurajë, nga ana profesionale dhe qytetare.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular