BallinaEkonomiBSH: Performanca e sektorit bankar në rritje, të shfrytëzohet për të administruar...

BSH: Performanca e sektorit bankar në rritje, të shfrytëzohet për të administruar më mirë rreziqet

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi sot Raportin e Stabilitetit Financiar për gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Banka Qendrore vlerëson se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, veprimtaria e sektorit bankar në Shqipëri u përmirësua.

Depozitat dhe kreditë u zgjeruan pavarësisht efektit pakësues të mbiçmimit të kursit të këmbimit, kapitalizimi i veprimtarisë u shfaq në nivele të mira, ndërsa fitimi u përmirësua në mënyrë të ndjeshme. Rreziqet e veprimtarisë vlerësohen në nivele të kontrolluara dhe në tërësi rezistenca e veprimtarisë bankare ndaj tyre është forcuar.

Megjithatë, Deklarata e Stabilitetit Financiar thekson se rreziqet e shoqërojnë gjithmonë veprimtarinë bankare, ndaj performanca më e mirë financiare duhet të përdoret nga bankat për të përmirësuar infrastrukturën e administrimit të rreziqeve.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet ekonomike gjatë periudhës ishin pozitive, ndikuar nga ecuria e mirë e konsumit dhe e investimeve, dhe veçanërisht nga përmirësimet në llogarinë korrente të bilancit të pagesave. Rritja ekonomike u shoqërua me ulje të papunësisë dhe rritje të punësimit e të pagave. Politika fiskale ruajti një prirje konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste erdhën në rënie, por norma e inflacionit mbeti mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Këshilli Mbikëqyrës ka theksuar edhe njëherë se reagimi i mëtejshëm i politikës monetare do të mbështetet mbi të dhënat korrente dhe do të reflektojë analizën e faktorëve të rrezikut për ecurinë e inflacionit.

Ndërkohë, sipas Bankës së Shqipërisë, rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme. Ato lidhen kryesisht me pasigurinë që mbartin zhvillimet gjeopolitike. Në këto kushte, rekomandohet që politikat ekonomike të përdorin këtë periudhë të favorshme në zhvillimet ekonomike e financiare në vend, për të konsoliduar arritjet dhe për të reformuar më tej ekonominë me qëllim vendosjen e saj në shinat e një zhvillimi sa më të qëndrueshëm dhe të balancuar në të ardhmen.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular