BallinaAktualitetPROFIL/Ahmet Prençi - ekonomisti, juristi, shkrimtari, shtetari dhe qytetari me integritet, si...

PROFIL/Ahmet Prençi – ekonomisti, juristi, shkrimtari, shtetari dhe qytetari me integritet, si referencë për shoqërinë

Nga Vasil Dardha
Është e vështirë të gjesh tek një person; njeriun e letrave, ekonomistin, juristin, hetuesin, policin, njeriun me uniformë si garant të zbatimit të ligjit. E vështirë është që jo vetëm t’i mbartë këto cilësi, por dhe të tregojë me vepra se di t’i zotërojë dhe t’i shfaqë e zbatojë sa herë është e nevojshme. Zotërimi i këtyre cilësive, bashkë me karakterin pozitiv e shfaqur kjo në marrëdhënien e përditshme njerëzore apo dhe në realizimin e detyrave që mund të mbash dhe ke kryer me nder, të bën të besosh se një person i tillë është afër krejt i aftë për të kontribuar, jo vetëm në familje, por dhe për një shoqëri të shëndoshë si dhe për atë që ka shumë nevojë ky vend sot më shumë së kurrë; në shtetbërje.
Njerëz të tillë nuk janë shumë, ato kur i pikas duhen klasifikuar si asete të vlefshme, burime njerëzore të cilat duhet t’i përdorësh për ndërtimin e një institucioni të mirë, që ata të japin kontributin e tyre të vyer dhe mëse të nevojshëm.
Njëri prej tyre i sjell sot në startnews.al si histori suksesi është Ahmet Prençi nga Reçi i Dibrës lindur më 25 Prill 1968. Vjen nga familje atdhetare, punëtore, e ndershme dhe antikomuniste. Nga origjina si nga babai dhe nga nëna nuk ka patur asnjë lidhje me komunizmin dhe të shkuarën negative të kohës së diktaturës. Ka qenë student i dhjetorit ’90 dhe mjaft aktiv në zhvillimet e kohës. Ahmeti është një emër i njohur për publikun shqiptar e madje dhe ndërkombëtar për marrëdhëniet e shkëlqyera që ka ditur të ketë në detyrat e larta që ka mbajtur dhe ende mban. Në karrierë ka spikatur dukshëm duke ndërthurur brenda vetes pikërisht ato cilësi që sapo përmendëm më lartë; profesionistin, njeriun me zemër të madhe dhe kjo i vjen nga të qenit njeri i letrave, ekonomistin duke qenë një laps i hollë për shpenzimet e tepërta që ato të mos ndodhin të pajustifikuara nën drejtimin e tij, si dhe juristin dhe policin si një zbatues korrekt të ligjit aq më tepër duke qenë se ka një karrierë brilante brenda radhëve të uniformave blu deri në nivelin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ku integriteti e ka shoqëruar në çdo hap të hedhur. Gjatë karrierës, në të gjitha detyrat shtetërore që ka mbajtur nuk është marrë asnjëherë me politikë dhe nuk ka kryer asnjëherë veprime të njëanshme të diktuara ose në interes të asnjë partie.

Ahmet Prençi ka qenë një nxënës i shkëlqyer dhe që në rininë e tij ka spikatur me talentin. Ai ka surprizuar mësuesit e tij për të nxënit në mësime duke qenë ekselent si dhe nuk ka nguruar të trokasë dhe lërë gjurmë në krijmtari në shtypin e kohës duke çuar artikujt e parë të cilat janë vlerësuar dhe botuar.
Si dashamirës i letrave dhe letërsisë si një nxënës i shkëlqyer, Ahmet Prençi kërkon të drejtë studimi për letërsi, por e dërgojnë në shkollë për ekonomi në UBT. Sapo mbaroi studimet për ekonomi nuk mundi të punojë asnjë ditë ekonomist, por e emërojnë në prokurori në vitin 1992. Dëshira e të nxënit të sa më shumë të dijeve e shtyu z.Prençi të mbarojë ndërkohë studimet edhe për Juridik si dhe ka kryer studime të avancuara në drejtësinë penale dhe menaxhimin e lartë të Policisë.
Karriera e z.Prençi është mbresëlënëse dhe si shembull për kolegët e tij në rrugëtimin e përbashkët, por edhe të tjerë që e pasojnë. Nga goja e çdo kolegu apo bashkëpunëtori të tij sa herë i takon dëgjon fjalët më të mira, jo vetëm për aftësinë e jashtëzakonshme komunikuese, por dhe profesionale të z.Prençi i cili ka ditur të ketë durimin të dëgjojë, të gjykojë si duhet, por dhe marrë vendimet e sakta shoqëruar me provat dhe fakte kur ka qenë e nevojshme.

Në detyrat e mbajtura Ahmet Prençi nuk ka ditur çfarë është servilizmi që rëndom ndodh në Shqipërinë tonë të vogël, nuk ka pranuar as trysninë dhe presionin për të marrë vendime verbërisht dhe emërime të orientuara padrejtësisht nga politika. Ka rezistuar dhe ka refuzuar në mjaft raste kur i është kërkuar të bëjë padrejtësi, ndaj dhe sot pa frikë jo vetëm ndër qytetarë, por dhe kolegët gazetarë mbahet si një ndër, për të mos thënë i vetmi drejtues i Policisë së Shtetit në këto 34 vite tranzicion që gëzon integritet të plotë. Kjo vërtetohet edhe me rezultatet e larta që z.Prençi pati në radhët e uniformave në çdo detyrë të mbajtur. Angazhimi në polici do të ishte një risi për z.Prençi i cili do të spikaste jo vetëm një profesionist në atë që ka dhënë, por edhe si drejtues që diti shumë mirë t’i jap zgjidhje problemeve jo të vogla në një fushë të vështirë siç është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike.
Çdo qytetar shqiptar është dëshmitar i asaj që u arrit në fushën e rendit dhe sigurisë fal drejtimit të Ahmet Prençit. Krimi u godit pa mëshirë, bandat e panë veten pas hekurave ku vendosmëria e ish-kryepolicit Prençi ishte që duhej të mbizotëronte ligji, jo maliqi dhe i forti. Në karrierën e tij, sidomos në polici si garant i zbatimit të ligjit, Ahmet Prençi i ka kushtuar rëndësi kualifikimit të mëtejshëm të tij duke vijuar me kurse dhe trajnime të pafundme për menaxhimin e lartë të drejtimit të policisë, të kryera këto në disa vende perëndimore. Duhet theksuar fakti që puna e bërë në vitet 2007 – 2009 kanë qenë historike edhe për policinë e rrjedhimisht edhe për qeverisjen dhe kjo mban firmën e z.Prençi. Vlerësimi më i mirë i erdhi nga SHBA pas vizitës së presidentit Xhorxh W.Bush në Tiranë.

Koha në të cilën ndodhemi sot, kaosi që është zhytur policia ku drejtuesi i SPAK Altin Dumani deklaroi se shumë efektiv madje të nivelit të lartë janë në hetim për bashkëpunim me krimin, na apelojnë dhe kërkojnë për të tillë shembuj si Ahmet Prençi. Edhe në detyrën e Drejtorit të Hetimit Tatimor Ahmet Prençi tregoi profesionalizëm të jashtëzakonshëm dhe cilësitë e tij pozitive, nxori në pah integritetin që e shoqëroi deri ditën që dha dorëheqjen nga ajo detyrë duke përmbushur me korrektësi maksimale dhe dinjitet funksionet e ngarkuara nga ligji.
Zoti Prençi është angazhuar edhe në detyrat si; këshilltar në Ministrinë e Brendshme, Drejtor i Hetimit Tatimor në ILDKP, pedagog dhe ekspert i shoqërisë civile duke shfaqur aftësinë dhe cilwsitë më të mira.

Më 14 prill 2022 Ahmet Prençi mbushi dy vite në detyrën si Komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, Trajtimit ose Dënimit të Egër, Ç’njerëzor ose Poshtërues pranë Avokatit të Popullit, detyrë për të cilën mori votën absolute të ligjvënësve shqiptarë duke i besuar në mënyrë dërrmuese me kartonët e ngritur “Pro” duke i deleguar njeriut me integritet besimin e zgjedhësve të tyre.
Shkëputja nga detyrat e rëndësishme shtetërore që do t’i kërkonin shumë angazhim do të zgjonte tek Ahmet Prençi dëshirën dhe pasonin e të shkruarit. Letërsia është pasioni i hershëm. Ka lexuar që i vogël letërsi dhe vazhduar pa ndërprerje. Poezitë e para i ka botuar në shtypin e kohës që në vitin 1985 e në vazhdim deri në vitin 1991. Pastaj është shkëputur sepse angazhimet shtetërore dhe punët delikate i kërkonin angazhim gjithë kohën, natën e ditën. Pas viti 2014 z.Prençi ishte më i lirë dhe i kushtoi më shumë kohë leximit dhe të shkruarit. Gjeti kohë mjaftueshëm të shfletojë shënimet e mbajtura ndër vite dhe të shkruajë. Gjatë 10 viteve të fundit ka dalë me 5 botime.
“Letërsia ime e shkruar së pari është një kënaqësi estetike personale për veten time, do të thotë që po përmbush një dëshirë timen. Kur dikush e lexon dhe e pëlqen kënaqësia sigurisht është më e madhe. Në këto kushte në një farë mënyre po përmbush një ëndërr rinore, po i kthej borxhin rinisë time”- thotë Ahmet Prençi.
Krijimtaria e z.Prençi ka njohur një sukses të jashtëzakonshëm duke u përqafuar menjëherë nga lexuesi si dhe është vlerësuar edhe nga kritika, veçanërisht nga romanet e tij të fundit. Kopjet e shitjeve të librave janë dëshmi e qartë që Ahmet Prenci mund të përmbush ëndërrën rinore edhe në këtë moshë për të qenë histori suksesi edhe si shkrimtar.
Ahmet Prençi është autor i librave: “Udhë në pasqyrë” vëllim poetik 2016, “Vice Versa”  publicistikë 2019, “Artan Cuku, in memoriam” 2018, “Anja” roman  2020  i ribotuar. (Fitues i çmimit At Gjergj Fishta, finalist i çmimit kombëtar të letërsisë për vitin 2020) si dhe Romani “Brenga e Prokurorit” është libri tij i fundit që po njeh një sukses të madh.
Përpos gjithë këtyre arritjeve duhet theksuar fakti që tek Ahmet Prençi gjen cilësitë e një njeriu të thjeshtë. E reflekton këtë me çdokënd, është i njëjti në raportet që krijon me të gjithë pavarësisht peshës së karriges që i është besuar duke mos patur atë shkëputjen e një drejtuesi hijerëndë ku shpesh jemi mësuar të shohim fatëkeqësisht në këtë katundin tonë “Shqipëri”. Sjellja që ai reflekton në raport me miqtë dhe jo vetëm, është e njëjtë. Eshtë mjaft komunikues, bashkëpunues dhe qoftë dhe sakrifikues kur i nevojitet.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES

Most Popular