BallinaOP EDTë paaftët dhe një mundësi e artë për turizmin

Të paaftët dhe një mundësi e artë për turizmin

Nga Erion Dasho

Turizmi është një nga sektorët që u dëmtua më rëndë gjatë pandemisë dhe Shqipëria nuk bëri përjashtim. Sot, turizmi ende vazhdon të vuajë për shkak të disa masave që vazhdon të mbajë në mënyrë të pakuptimtë komiteti i të paaftëve dhe marionetave politikë.
Në situatën epidemiologjike që ka sot Shqipëria, asnjë prej masave të mëposhtme nuk ka kuptim:
1. Ora policore
2. Mbajtja mbyllur e diskove dhe klubeve të natës
3. Kufizimi i numrit të personave në grumbullimet e jashtme
Ose të paaftët nuk e kuptojnë se Shqipëria ka arritur imunitetin e grupit dhe këto masa janë totalisht të panevojshme, ose shërbëtorët e politikës vazhdojnë të zbatojnë në mënyrë të verbër udhërat bizarrë të padronëve.
Fakti që Shqipëria bëhet vendi i parë në botë që arrin imunitetin e grupit në mënyrë natyrale (ndonëse kriminale, e papërgjegjshme dhe me një kosto tepër të lartë në jetë të humbura) ka krijuar një situatë unike ku Shqipëria mund të ofrojë turizmin më të sigurt në Mesdhe.
Nga njëra anë, kjo duhet promovuar dhe, nga ana tjetër, duhet mbrojtur.
Përsa i takon promovimit, duhet theksuar se imuniteti i grupit lidhet me kalimin e sëmundjes dhe jo me vaksinimin. Sot Portugalia ka vaksinuar 45% ose më tepër se dyfishin e Shqipërisë dhe është e mbyllur për turistët anglezë. Shqipëria ka vaksinuar 20%, por ama ka 80% të popullsisë të imunizuar në mënyrë natyrale, çka garanton një verë të qetë dhe pa surpriza.
Duke përfituar nga ky pozicion unik, Shqipëria mund të bëhet edhe mikpritëse e eventeve të ndryshme si koncerte nga artistë me famë botëre, festivale në bregdet, etj. të cilat në vendet e tjera europiane as që mund të mendohen.
Mesazhi për turistët europianë duhet të jetë “Ejani në Shqipëri, në vendin e imunizuar!”
Nga ana tjetër, kjo situatë duhet mbrojtur nga hyrja e mutacioneve të cilat mund të përbëjnë ende rrezikshmëri. Për të minimizuar këtë risk mjafton një masë e thjeshtë. Çdo person që hyn në Shqipëri duhet të provojë që është i testuar, i vaksinuar apo i shëruar nga COVID (unë e kam quajtur me humor TVSH).
Ministria dhe komiteti nuk duhet të kenë frikë se një masë e tillë mund t’i dekurajojë turistët europianë. Është pikërisht e kundërta! Kjo masë u tregon atyre dhe qeverive të vendeve nga ata vijnë se Shqipëria është një vend serioz që e merr seriozisht shëndetin e turistëve. Politika e tanishme me dyer të hapura nuk shihet me sy të mirë në Europë.
Përfundimisht, këtë verë Shqipëria ka shansin e artë të kthehet në oazin e sigurt të pushimeve verore për qytetarët europianë, madje edhe ata aziatikë, si dhe t’i japë turizmit shqiptar një mundësi zhvillimi të paprecedent.
Për të bërë një gjë të tillë duhet të heqë sa më parë kufizimet idiote si ora policore dhe mbajtja mbyllur e vendeve të argëtimit, të sqarojë turistët se në Shqipëri është arritur tashmë imuniteti i grupit dhe të vendosë kontrollin në kufi sipas TVSH-së së mësipërme.
Në se këto masa merren sot, turizmi shqiptar do të ketë përfitime të jashtëzakonshme sot dhe në të ardhmen!
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular